Nga Brexit tek Donald Trump, nëse ka ndonjë gjë që na e tregojnë ngjarjet aktuale, ajo është se njeriu në rrugë është i zemëruar dhe kërkon ndryshim.
Një raport i ri nga Instituti Global McKinsey, me titullin e frikshëm “Më të Varfër se Prindërit e Tyre: Rënia e të Ardhurave në Ekonomitë e Përparuar”, tregon pse kjo është e vërtetë. Sipas studimit, tendenca e të ardhurave në rënie për punëtorët e klasës së mesme nuk kufizohet vetëm në Shtetet e Bashkuara, por është një fenomen global që dëmton punëtorët në të gjithë botën e pasur.
Raporti konkludoi se deri në 70% e familjeve në 25 ekonomi të përparuara panë rënie të të ardhurave të tyre në dekadën e fundit. Ndërkohë, vetëm 2% të familjeve panë rënie të të ardhurave në 12 vitet e mëparshme.
Autorët vlerësojnë se kjo do të thotë se “ndërsa më pak se dhjetë milionë njerëz u prekën [nga të ardhurat e e mbetura në një nivel ose në rënie] në periudhën 1993-2005, kjo shifër shpërtheu në diku midis 540 milionë dhe 580 milionë njerëz, në periudhën 2005-2014”.
Për ta thënë troç: Një pjesë e madhe e popullsisë së botës, e cila ishte mësuar të priste që pasuria e tyre materiale të rritej gjatë jetës së tyre dhe në brezat pasardhës, ka kuptuar se ky premtim ishte një gënjeshtër. Nuk është çudi pra, që votuesit në botën e pasur po joshen nga politika radikale dhe zgjidhjet e çuditshme, për problemet e tyre ekonomike.
Ka disa paralajmërime. Së pari, studiuesit e McKinsey nuk kanë kryer një studim gjatësor që ndjek gjurmët individuale të njerëzve të veçantë, gjatë rrjedhës së shumë viteve. Pra, ndërsa ne e dimë se të ardhurat e segmenteve të popullsisë (për shembull, një burrë 40 vjeçar me diplomë) kanë ndenjur në një vend apo kanë rënë, individët brenda këtyre segmenteve mund të kenë pasuri të ndryshme. Një studim i vitit 2015 i klasës së mesme amerikane nga sociologët Thomas Hirschl nga Universiteti Cornell dhe Mark Rank i Universitetit të Uashingtonit, tregojnë se çfarë ndryshimi mund të bëjë kjo. Ata zbuluan se për shkak të ndryshimeve të mëdha në të ardhura gjatë jetës, individët kalojnë një pjesë të jetës së tyre si njerëz me të ardhura të larta dhe pjesën tjetër të jetës në fundin e listës. Prandaj, ajo mund të duket si një rënie e ngadaltë dhe e vazhdueshme e fatit ekonomik për klasën e mesme, nuk mund të ndihet e tillë për shumë anëtarë të asaj klase.
Përveç kësaj, rishpërndarja prej qeverive po bën shumë për të mpirë efektet e kësaj tendence tek ata që vuajnë prej saj. Kur merret parasysh numri i të ardhurave të familjeve pas taksimit dhe transferimit të të ardhurave (siç janë pagesat e sigurimeve shoqërore), vetëm rreth 20-25% e familjeve në vendet e studiuara panë rënie të të ardhurave, apo thjesht mos rritje të tyre. Dhe kishte shumë ndryshime midis vendeve, në lidhje me numrin e njerëzve të ndikuar nga kjo prirje. Sipas raportit:
Në një ekstrem është Italia, e cila përjetoi një tkurrje të rëndë ekonomike në recesionin pas krizës financiare të vitit 2008 dhe që prej asaj kohe ka pasur një rimëkëmbje shumë të dobët. Atje, të ardhurat reale të tregut kishin mbetur në vend, ose kishin rënë për pothuajse të gjithë popullsinë. Në ekstremin tjetër është Suedia, ku vetëm 20 përqind e popullsisë kishte të ardhura të pandryshuara, ose në rënie. Në secilën nga katër vendet e tjera të fokusuara – Franca, Holanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – përqindja e segmenteve, me të ardhura reale që nuk rriteshin, ishte në rangun nga 60 deri në 80 përqind.
Autorët shkruajnë se arsyeja për këtë ndryshim “reflekton dallimet në qasjet e politikave; institucionet e punës si fuqia e sindikatave dhe roli i tyre, ose shërbimet për të papunët; dhe një përgjigje shumë të ndryshme të politikave kombëtare ekonomike, fiskale dhe monetare. “Për shembull, një tipar suedez të cilin autorët e sjellin si shembull – që thonë se ndihmoi në mbrojtjen e punëtorëve pas recesionit – është një lëvizshmëri e fortë e forcës punëtore. Ata argumentojnë se fakti që 68% e punonjësve suedezë i përkasin një sindikate, ndihmoi në mbajtjen e pagave në rritje. Për më tepër, një skemë për ndarjen e punës, ku qeveria suedeze punonte me kompanitë dhe sindikatat për të parandaluar shkurtimet duke reduktuar orët e punës, në vend se të pushonte njerëzit nga puna, e mbrojti atë vend nga goditja e papunësisë afatgjatë, gjë e cila ka ulur potencialin e fitimeve, për punëtorët në Shtetet e Bashkuara.
Por, pavarësisht nga politika që hartohet për të përballuar problemin e rënies së pagave, ky raport e bën të qartë se është një problem i ri dhe në rritje në botën e pasur. / Fortune – Bota.al