HistoriPersonazhe

Ja pse Kristofor Kolombi tentoi të fshihte origjinën e tij të vërtetë

Nga Barbara Maranzani

Më 3 gusht 1492, Kristofor Kolombi lundroi nga porti spanjoll i Palosit. Nën drejtimin e 3 anijeve, Nina, Pinta dhe Santa Maria, eksploruesi shpresonte të gjente një rrugë detare për pasuritë e përfoluara aq shumë (në erëza dhe ar) të Azisë. Ky lundrim, ashtu si edhe 3 të mëvonshmit, u financua nga Spanja, monarkët e të cilës shpresonin se suksesi i Kolombit, do t’i bënte një nga fuqitë kryesore të Europës.

Roli i Spanjës në historinë e Kolombit, i çoi disa njerëz të bësojnë ndoshta jo pa arsye, se eksploruesi ishte me origjinë spanjolle. Por ata me origjinë italiane, sidomos italo-amerikanët, e kanë pretenduar Kolombin për vetë, pavarësisht nga polemikat e sotme që rrethojnë keqtrajtimin e popullsive vendase që ai hasi në “Botën e Re”.

Rezulton se përcaktimi i origjinës së vërtetë të Kolombit, është po aq i komplikuar, me teoritë dhe provat e supozuara që e lidhin atë me një numër të madh rajonesh, shtetesh dhe madje edhe fesh, dhe pyetjeve pa përgjigje që kanë zgjatur për më shumë se 500 vjet pas lundrimit të tij.

 

Shumë njerëz mendojnë se Kolombi ishte italian

 

Varianti më i zakonshëm, është ai që Kolombi lindi si Kristoforo Kolombo rreth vitit 1451, në rajonin e Ligurias, në atë që tani është Italia Veriperëndimore. Në kohën e Kolombit, kryeqyteti i Ligurias ishte Xhenova, një qytet-shtet i pasur, me ndikim dhe i pavarur (Italia si shtet-komb i unifikuar nuk ekzistonte deri në 1861). Ai mund të ketë qenë djali i Suzana Fontanarosa dhe Domenico Kolombos, një tregtar i leshit.

Xhenova kishte lidhje të ngushta tregtare me rajone të tjera, duke përfshirë disa mbretëri spanjolle, dhe Kolombi ndoshta mësoi shumë nga këto gjuhë, para së të arrinte në moshë madhore. Sipas dëshmive të mëvonshme, duke përfshirë edhe ato të djalit të tij Ferdinand (ose Hernando), Kolombi u largua nga Xhenova qëkur ishte adoleshent, duke shërbyer në marinat tregtare portugeze, dhe duke fituar përvojë të vlefshme detare në eksplorimet që e çuan atë larg në Irlandë, Islandë dhe Afrikën Perëndimore .

Kur ndodhej në Portugali, ai u martua me një grua nga një familje fisnike, por disi e varfër, dhe nisi të kërkonte mbështetje nga oborri mbretëror portugez për ekspeditën e tij ndër-atlantike. Kur ky i fundit refuzoi, ai u shpërngul në Spanjë në vitin 1485, ku vitet e lobimit pranë Ferdinandit dhe Izabelës, dhanë më në fund rezultat në vitin 1492, kur çifti mbretëror ra dakord të financonte udhëtimin e tij të parë.

Mbështetësit e origjinës së tij “italiane”, i referohen shkrimeve të Kolombit nga fundi i jetës, duke përfshirë edhe amanetin tij, në të cilin ai supozohet se pretendon se ishte nga Xhenova. Megjithatë, relativisht pak dëshmi të mbijetuara deri më sot e mbështesin këtë.

Megjithë sukseset e Kolombit, ambasadorët e Xhenovës në Spanjë nuk e pretendonin atë si bashkëqytetarin e tyre në korrespondencën e tyre, dhe ndryshe nga eksploruesit e tjerë që lundronin nën flamurin e Spanjës, dokumentet zyrtare të qeverisë nuk i referohen Kolombit si një i huaj.

Dhe çka është më intriguese, edhe Ferdinand Kolombi me sa duket e pranoi se babai i tij dëshironte, për arsye të panjohura, të fshihte origjinën e tij të vërtetë. Gjithsesi, shumë historianë e vënë theksin tek fakti që dokumentet, letrat dhe madje hartat e hershme të prodhuara në dekadat menjëherë pas vdekjes së Kolombit, e identifikojnë atë si me orgjinë nga Xhenova.

 

Të tjerë besojnë se Kolombi ishte portugez

 

Lidhjet e forta të Kolombit me Portugalinë, kanë bërë që shumë të besojnë se ai ka lindur atje, dhe jo në Xhenova. Disa historianë kanë argumentuar, se martesa e tij në një familje fisnike portugeze do të kishte qenë e pamundur, nëse ai do të ishte një i huaj i panjohur.

Në vitin 2012, Fernando Branko, një profesor i inxhinierisë në Universitetin e Lisbonës, botoi një libër që argumentonte se Kolombi ishte në të vërtetë një portugez, dhe se emri i tij i vërtetë ishte Pedro Ataide. Ataide, fëmija i paligjshëm i një feudali portugez, u supozua se kishte vdekur në një betejë detare më 1476.

Por një numër historianësh portugezë besojnë se ai mbijetoi, dhe se për të shmangur persekutimin për shkak të kundërshtimit të mundshëm të familjes së tij ndaj kurorës portugeze, ndryshoi emrin e tij në Kulon, sipas një marinari francez me të cilin shërbeu, duke nisur një jetë të re me një identitet të ri.

Në fillim të vitit 2018, studiuesit filluan të vënë në provë këtë teori. Duke përdorur ADN-në më parë të autentifikuar dhe të sekuencuar të djalit të Kolombit, Fernando, ata shpresojnë të gjejnë një përputhje gjenetike me ADN-në e nxjerrë nga mbetjet e kushëririt të Ataides, Antonios, një kont dhe diplomat portugez.

 

Njerëzit supozojnë se Kolombi ishte spanjoll

 

Mbështetësit e idesë se Kolombi ishte nga Spanja, kanë fituar më tepër vëmendje vitet e fundit. Në vitin 2009, profesorja e linguistikës në Universitetin Xhorxhtaun, Estel Irizari botoi librin e saj, “Kristofor Kolombi:ADN-ja e shkrimeve të tij”, bazuar në shqyrtimin e imtësishëm të qindra dokumenteve të shkruara nga Kolombi.

Sipas hulumtimit të saj, ai lindi në mbretërinë e Aragonës, në Spanjën Veriore dhe gjuha e tij kryesore ishte kastiliane (nuk ka dokumente ekzistuese në të cilat Kolombi të ketë përdorur gjuhën liguriane, gjuhën e zakonshme të gjenovezëve).

Por nëse ai ishte realisht spanjoll, pse u përpoq të të maskonte identitetin e tij? Sepse, sipas Irizari dhe një numër historianësh të tjerë, Kolombi ishte në fakt hebre. Tiparet gjuhësore në shkrimet e tij, i nxitën ata të besonin se Kolombi u rrit duke mësuar Ladino, një formë hibride e spanjishtes kastiliane, e krahasueshme me Jidish, që flitej nga bashkësia hebraike sefardike spanjolle.

Ata besojnë se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur përfundimet e tyre, duke përfshirë edhe ekzistencën e një bekimi hebre, “me ndihmën e Perëndisë”, në një nga letrat e Kolombit drejtuar djalit tjetër, Diego (por që nuk shfaqen në gërma për askënd jashtë tij familjes).

Ato gjithashtu flasin për lidhjet e Kolombit me biznesmenët e pasur sefardikë, të cilët ndihmuan në financimin e ekspeditave, lëvdatat që u bënte hebrenjve të tjerë, dhe madje edhe simbolit trekëndor që Kolombi e përdori si një vulë familjare, e cila është e ngjashme me mbishkrimet në varret sefardikë.

Dhe ata besojnë se vonesa njëditore e Kolombit në largimin nga Spanja në gushtin e vitit 1492, ishte për të siguruar që të mos nisej në ditën e pushimit hebre, Tisha B’Av, që përkujton shkatërrimin e Tempullit të Shenjtë në Jeruzalem. Nëse Kolombi ishte në fakt hebre, ai do të kishte të gjitha arsyet për të fshehur origjinën e tij të vërtetë.

Për dekada me radhë, Ferdinandi dhe Izabela kishin ndjekur “Reconquista”-s Spanjolle, e cila pa kthimin e detyruar dhe përndjekjen e ashpër të dhjetëra mijëra hebrenjve dhe myslimanëve spanjollë. Ata sefardikë që u konvertuan dhe mbetën në Spanjë, u bënë të njohur si Marranos. Ata që nuk pranuan të konvertonin, u detyruan të shisnin pasurinë e tyre dhe të largoheshin tërësisht nga vendi – po atë vit që Kolombi u nis për herë të parë për në Botën e Re.

Ekziston një teori e sforcuar, që pretendon se ai ishte skocez

Ndërsa dëshmitë që e lidhin Kolombin me Xhenovën, Spanjën dhe Portugalinë, duken si të besueshme, teoritë e tjera duken më të sforcuara, duke përfshirë ato që pretendojnë se ai ishte djali i një mbreti polak, që i mbijetoi vdekjes, përpara se të ikte në ishullin portugez të Madeiras. Kolombi lindi në fshehtësi. Ose se ai ka lindur në Xhenova si biri i një familje skoceze që jetonte në qytet, dhe emri i tij i vërtetë ishte Pedro Skoto, të cilin ai e ndryshoi në Kolombi sipas piratit për të cilin kishte punuar në rininë e tij.

Burimi: Biography

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button