Nga Nikolay Kozhanov
Gjatë tre muajve të fundit, si shtypi perëndimor ashtu edhe ai arab, kanë shpresuar për shenja të ndryshimit në qëndrimin rus në Siri, dhe ndoshta edhe tërheqjen e mbështetjes ndaj regjimit të Bashar Al-Asadit. Disa madje shkuan aq larg, sa të pretendojnë se Rusia më në fund e kishte kuptuar, se fundi i qeverisë siriane ishte i afërt, dhe se për këtë arsye kishte vendosur të braktiste presidentin sirian, dukeintensifikuar dialogun me mbështetësit e opozitës.
Trafiku diplomatik, ndërmjet zyrtarëve të lartë rusë dhe kolegëve të tyre nga SHBA, Arabia Saudite, Jordania, Egjipti dhe Katari, si dhe takimet gjysmë-zyrtare me opozitën siriane, u panë si dëshmi e politikës së ndryshuar të Rusisë. Në fund të korrikut, “Wall Street Journal” aludonte se vizita e zëvendës Princit të kurorës të Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, në Shën Petersburg, ishte një tjetër përpjekje e Riadit për të marrë bindur rusët, të heqin dorë nga mbësshtetja për Asadin.
Duke pasur parasysh volumin e tregtisë, marrëveshjet ekonomike dhe investimeve e nënshkruara gjatë kësaj vizite, edhe ekspertët rusë parashikuan një ndryshim të mundshëm në politikën e Moskës. Deklaratat entuziaste të presidentit amerikan Barak Obama (në 6 dhe 14 korrik), në lidhje me rolin pozitiv që Rusia mund të luajë në zgjidhjen e konfliktit sirian, u morën si një tjetër tregues.
Armë për Asadin
Megjithatë, ngjarjet e fundit kanë dëshmuar, se sërish Perëndimi i ka keqkuptuar qëllimet e Rusisë. Ndërkohë Moska ka vendosur të shtojë aksionet në Siri, duke përshpejtuar ndihmën ushtarake ndaj presidentit sirian. Raportohet se ngarkesat e fundit, përfshinin dronë për mbikqyrje ajrore, BTR-80A (ose, sipas disa burimeve, më të sofistikuarat BTR-82) transportuesit më të avancuar amfibë dhe të blinduar, kamionët ushtarakë Ural dhe Gaz Tigr, automjetet për lëvizjen e këmbësorisë (në përdorim të gjerë kohët e fundit edhe nga vetë ushtria ruse).
Ka pasur edhe thashetheme, se Moska po planifikon të furnizojë Asadin me disa avionë ushtarakë MiG-31,së bashku me pilotët përkatës. Kjo i ka çuar disa media perëndimore të aludojnë, se Rusia është gati të vendoset për një kohë të gjatë në Siri. Ka pasur edhe spekulime, se autoritetet siriane kanë filluar ndërtimin e bazave për strehimin e mijëra ushtarë rusë. Ndërsa deklaratat e mësipërme janë të çuditshme, fakti që Kremlini ka rritur ndihmën e tij ushtarake në Siri, tregon se Moska nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mbështetjen e saj ndaj Asadit. Dhe ekzistojnë të paktën dy arsye për këtë.
Rroftë mbreti
Së pari, autoritetet ruse nuk besojnë se Asadi i ka ditët e numëruara. Në një konferencë shtypi në Doha në 3 gusht, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, madje bëri shaka duke u shprehur se “fundi i Assadit ishte parashikuar që 4 vjet më parë, dhe ende nuk ka ndodhur”. Autoritetet në Damask, janë të lodhura nga konflikti i zgjatur, por vendimi i tyre i fundit për t’u përqëndruar në mbrojtjen e fortesave të tyre kryesore (në zonën e bregdetit, në Homs, Hama dhe Damask), mund të forcojë pozitat e Asadit. Kombinimi i përbërjes etnike dhe fetare të disa prej këtyre zonave, aksesi i regjimit ndaj furnizimeve ruse me armë, si dhe “vullnetarët” shiitë nga Libani, Iraku dhe Irani, nënkuptojnë se forcat opozitare tanimë do ta ketë edhe më të vështirë se më pare, për të arritur suksese të reja në fushën e betejës. Askush nuk po parashikon një humbje të shpejtë të Asadit. Përkundrazi, një numër në rritje i liderëve evropianë e shohin Shtetin Islamik të Irakut dhe Sirisë, si kërcënimin kryesor. Disa prej tyre kanë sugjeruar, se është e nevojshme që të merren vesh me Asadin për të mposhtur ISIS- in. Në këto rrethana, Moska nuk është më nën presion për të tërhequr mbështetjen e saj ndaj presidentit sirian.
Xhihadizmi si një sfidë kyçe në vend
Autoritetet në Moskë, duket se besojnë se duke ndihmuar Asadin, ato po mbrojnë interesat kombëtare të vendit, veçanërisht në luftën kundër luftëtarëve xhihadistë. Në gusht të vitit 2014, Lavrov e quajti ISIS-in “kërcënimin kryesor” të Rusisë në rajon. Kremlini pohon se rënia e Asadit, do ta kthente Sirinë në një tjetër Libi, që do të thotë radikalizim i mëtejshëm i Lindjes së Mesme dhe eksport i radikalizmit islamik në Rusi, në veri dhe jug të dhe Kaukazit, si dhe në Azinë Qëndrore.
Shërbimet ruse të sigurisë, po mbikëqyrin nga afër aktivitetet e rreth 2 mijë xhihadistëve rusisht-folës në Siri – shumica e tyre luftëtarë me një vullnet të sëmurë kundër qeverisë ruse. Nëse Asadi largohet nga pushteti, Moska nuk pak dyshime se këta luftëtarë do ta zhvendosin luftën e tyre për Kalifatin Islamik, në hapësirën ish-sovjetike. Prandaj Kremlini, do të preferonte t’i luftonte dhe mundte ata jashtë territorit rus. Frika nga reagimi i brendshëm
Së fundmi, heqja dorë nga mbështetja ndaj Asadit, do të shkaktonte një goditje të rëndë mbi imazhin e presidentit Putin në Rusi. Asadi është portretizuar në mënyrë rutinore në mediat ruse, si një aleat i Moskës në luftën kundër sfidës islamike, dhe besnikëria e Rusisë ndaj tij shihet si një cështje “parimore”. Për rrjedhojë, autoritetet ruse do ta kishin tejet të vështirë, t’i shpjegonin opinionit publik ndryshimet në marrëdhëniet e tyre me Damaskun.
Asgjë e re
Qëndrimi i Rusisë ndaj Sirisë, është i nxitur nga interesi vetjak dhe reflekton kushtet në terren: propaganda ruse, vazhdon të përsërisë idenë, se ndonëse forcat qeveritare kanë humbur një pjesë të madhe të territorit të vendit, ato kontrollojnë ende zonat më të populluara. Në sytë e Kremlinit, kjo e bën Asadin një person me të cilin mund të bisedohet. “Master plani” i Moskës, kërkon të sigurojë mbijetesën e regjimit sirian, dhe vendimi i saj i fundit për të rritur mbështetjen ushtarake ndaj Damaskut, nuk duhet të cilësohet si një surprizë. Në të ardhmen e parashikueshme, Rusia nuk ka gjasa të devijojë nga strategjia e saj për mbështetjen e Asadit. /“Chattam House” – Bota.al