Nga Kheder Khaddour
Trupa kryesore e ushtrisë siriane, ka mbetur e paprekur, pavarësisht presionit të madh pas më shumë se 4 vitesh konflikti civil dhe ushtarak, një fakt që e ka penguar rënien e regjimit të presidentit sirian Bashar Al-Asad. Ndërsa ka patur dezertime në rradhët e këmbësorisë, nuk ka njësi të mëdha luftarake që të largohen në masë, apo tradhti të asaj shkalle, do të kërkonte pjesëmarrjen e oficerëve të rangut të mesëm dhe të lartë.
Sistemi i akomodimit ushtarak, është një aspekt i rëndësishëm i këtij kohezioni. Oficerët e ushtrisë, kanë qasje në një sistem përfitimesh, që lidhet thuajse me çdo aspekt të jetës së tyre profesionale dhe personale për regjimin, dhe kjo i vendos ata në një marrëdhënie antagoniste me pjesën tjetër të shoqërisë.
Dahiet Al-Asad, ose “periferia e Asadit” në verilindje të Damaskut dhe vendndodhja e kompleksit më të madh ushtarak në Siri, tregon se si funksionon ky sistem. Kompleksi u siguron oficerëve mundësinë për të patur shtëpi në Damask. Ndërsa shumë oficerë të ushtrisë kanë një prejardhje
të varfër rurale, pasja e një banese në kryeqytet do të ishte përtej mundësive të tyre financiare. Kompleksi ushtarak u ka ofruar atyre një mundësi të artë për përparim shoqëror, në një kohë që komuniteti në Dahia, me oficerët dhe familjet e tyre krijon një identitet të veçantë, që i izolon ata
nga pjesa tjetër e shoqërisë siriane dhe i lënë të ndërvarur nga regjimi.
Programet e strehimit të ushtarakëve në Siri, u zgjeruan në masë gjatë viteve ‘80, por në dekadat që pasuan, ato nuk nxitën ndonjë ndjenjë të madhe solidariteti në mesin e oficerëve nga sekteve të ndryshme, sidomos mes alevitëve dhe sunitëve. Megjithatë, përfitimet e përbashkëta i bënë ata së bashku në mbrojtjen e interesave të tyre, pas fillimit të kryengritjes së vitit 2011.
Zhvillim kaotik i Dahias, sugjeron se roli i saj në çimentimin e besnikërinë ndaj regjimit nuk ishte një zgjedhje e qëllimshme, por më tepër një rezultat spontan i viteve të gjata të keqmenaxhimit dhe nepotizmit. Regjimi qe kësisoj në gjendje të përfitonte nga korrupsioni i brendshëm në periferi dhe izolimin nga shoqëria e gjerë siriane, për të forcuar lidhjet e saj me zyrtarët që jetojnë atje, si dhe për të siguruar besnikërinë e tyre të paepur.
Teksa kryengritja u transformua në një luftë civile në shkallë të plotë, getoizimi i oficerëve ka luajtur në favor të regjimit dhe bërë që shumë oficerë të konsiderojnë revolucionin, si një kërcënim personal ndaj aseteve dhe jetesën e tyre.
Dahiet Al-Assad: Dhurata e presidentit
Në Siri ekzistojnë dy lloj sistemesh për strehimin e ushtarakëve. I pari u ofron oficerëve dhe familjet e tyre strehim në përbërje të ushtrisë, sikurse janë komplekset Katana në Damask, Rajan në Homs, dhe Saida në Dara, por pa i dhënë pronësinë mbi banesat. Sistemi i dytë, është një program që u mundëson oficerëve të blejnë shtëpi me ulje çmimi, në zona të caktuara të banimit për ushtrinë siriane.
Në teori, çdo oficer mund të aplikojë për strehim ushtarak, por suksesi i aplikimit varet kryesisht në sigurimi i favoreve. Dahiet al-Asad u krijua për herë të parë në vitin 1982, pas Hafez Al-Asad lëshoi një urdhër ekzekutiv, për të krijuar strehim për oficerët dhe familjet e tyre. Ndërkohë kompleksi i madh filloi të ndërtohej në vitin 1985, dhe oficerët filluan të vendosen aty në fillim të viteve ‘90. Deri në mars të vitit 2011, ai kishte një sipërfaqe 250 hektarë, dhe strehonte më shumë se 100 mijë banorë.
Në kundërshtim me besimin popullor, Dahia nuk është një zonë luksoze banimi, dhe as shtëpia e oficerëve të lartë. Pavarësisht popullsisë së saj në rritje, shumë zonave në këtë distrikt u mungojnë shërbime themelore bazë. Rrugët kanë nevojë për riparim, ndërsa uji dhe energjia ndërpriten shpesh. Reformat ekonomike gjatë viteve 2000, nxitën rritjen e shpejtë të çmimeve të pasurive të patundshme dhe disa investime të shpejta në Dahia.
Kjo bëri që banesat në zonë të fillonin t’u shiteshin edhe qytetarëve të zakonshëm, ndërsa në zonat më të pasura çmimet e shtëpive arritën në 30 milionë funte siriane (afërsisht 600 mijë dollar, para se të fillonte kryengritja) ose më shumë, edhe pse shumica e oficerëve rrogëtarë nuk mund të përballojë një apartament me vlerë më shumë se 2 milion funte sirian (40.000 dollarë), edhe pas 30 vjetësh në shërbim.
Zhvendosja në Damask përmirësonte shumë aspektin social të gjithë familjes së një oficeri. Një gjeneral brigade në pension, i cili kishte jetuar në Dahia për 35 vjet, fillimisht në strehim të përkohshëm ushtarak, por më vonë në shtëpinë e tij, foli për të mirën që jetesa në periferi kishte për 4 fëmijët e tij. Oficeri përmendi përfitime të shumta, si shërbimi i lirë në spitalet e ushtrisë kudo në vend, për të gjithë familjen e tij.
Ushtria ndëkohë shpërndan detergjentë dhe batanije, bukë të prodhuar nga zyrat e veçanta ushtarake, dhe kuponat e benzinës u jepen oficerëve me zbritje çmimi apo pa pagesë. Oficerët gjithashtu kanë falas abonimet në të treja gazetat qeveritare zyrtare (Thaura, Tishreen, dhe El-Bath).
Dhe çdo njëri prej tyre merr një çertifikatë të përfundimit të trajnimit ushtarak të nënshkruar personalisht nga presidenti sirian, së bashku me një fotografi të bërë me presidentin, e cila zakonisht nderet në murin e dhomës së ndenjes së çdo familje ushtaraku. Këto mund të mos duken si lloji i luksit, që do të lakmonte banori i një lagjeje të pasur të Damaskut qëndror, por oficerët i vlerësojnë këto favore, pasi ata vijnë kryesisht nga klasa e mesme dhe prejardhja rurale.
Solidaritet i sforcuar me njeri-tjetrit, distancim nga populli
Përveç përfitimeve materiale, sistemi i strehimit ushtarak është e rëndësishëm, për kultivimin e një identiteti të përbashkët ndërmjet zyrtarëve të rangut të mesëm. Por në Dahia, oficerët dhe familjet e tyre janë të zëna mes dy botëve:mes qytetit ku jetojnë dhe fshatrave prej nga ata vijnë. Në kryeqytet, ata konsiderohen se janë nga fshati, ndërsa në qytezat dhe fshatrat e origjinës, ato etiketohen si urbanë. Ky lloj identiteti, përforcon përkushtimin e tyre ndaj Dahias dhe gjithçkaje që ajo përfaqëson.
Ndërkohë pjesa tjetër e qytetit përdor termin përçmues “ushtria e njerëzve me sandale” për banorët e Dahias, që cilësohen me prejardhje sociale të ulët, ruralë dhe të paarsimuar. Ndarja midis banorëve të Dahias dhe pjesës tjetër, vetëm sa është rritur që prej kryengritjes së vitit 2011. Për shoqërinë e gjerë siriane, një person i cili jeton në Dahia është i lidhur pashmangshmërisht me regjimin.
Kjo përforcon një qëndrim mbrojtës në mesin e ushtarakëve në Dahia në raport me pjesën tjetër të shoqërisë. Sektet fetare nuk luajnë asnjë rol formal në ushtrinë siriane në Dahia, pasi kjo do të binte në kundërshtim me pretendimet laike të regjimit.
Megjithatë, fakt është se jetesa e përbashkët nuk ka mundur të zbehë hendekun, mes komuniteteve të ndryshme fetare. Ndarja dhe mosbesimi është rritur më shumë mes alevitëve dhe jo-alevitëve që kur filloi kryengritja. Edhe në çdo sekt, ka ndarje përgjatë linjave rajonale dhe familjare. Megjithatë, sistemi i strehimit ushtarake bën që de fakto të gjithë ushtarakët, të jenë në të njëjtën linjë në mbrojtjen e përfitimeve dhe statusin që gëzojnë në Dahia.
Që në fillim të protestave kundër Asad në vitin 2011 në Dahia pati një përforcim të menjëhershëm të masave të sigurisë. Oficerët ndanë të njëjtin besim, se pavarësisht nga sektet apo ideologjitë politike, mbrojtja e vetes dhe interesave të tyre nga shoqëria e gjerë. ishte një prioritet.
Shënim: Khaddour është një bashkëpunëtor në Qendrën Carnegie për Lindjen e Mesme në Bejrut. Studimet e tij fokusohet në çështjet e identitetit dhe shoqërisë në Siri.
Marrë me shkurtime nga “Carnegie Middle East Center” – Bota.al