Nga Ryan Cooper
Teksa po afrohej Lufta së Dytë Botërore, ekspertët e ekonomisë të vendeve aleate u takuan në një resort në Nje Hempshajër të SHBA-së në përpjekje për të ndërtuar një sistem monetar ndërkombëtar, që do të parandalonte përsëritjen e Depresionit të Madh. Debati u përqëndrua rreth dy propozimeve kryesore, një nga delegacioni britanik dhe tjetri nga ai amerikan. Xhon Mejnard Kejnes, ekonomisti më i madh i shekullit XX-të, paraqiti planin britanik, ndërsa Herri Dekster Uajt, një nga këshilltarët kryesorë ekonomikë të presidentit Ruzvelt atë amerikan. Kejnesi humbi në shumë pika kyçe. Rezultati ishte sistemi Breton Uds, i quajtur sipas qytetit të vogël, në të cilën u mbajt konferenca. Si pjesë e marrëveshjes, ai krijoi gjithashtu ato që më vonë do të bëhen Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Ajo marrëveshje shërbeu si sistemi i menaxhimit të tregtisë ndërkombëtare dhe kursit të këmbimit për gati 3 dekada. FMN dhe Banka Botërore kanë mbijetuar deri në ditët tona, por Breton Uds mori fund në vitin 1971, kur Nikson pezulloi këmbyeshmërinë e dollarit në ar. Megjithatë, shumica e problemeve që nxitën krijimin e Breton Udsit, janë rrikthyer në një formë disi më pak emergjente.
Ia vlen të kthehemi tek idetë origjinale të Kejnesit, ide shumë më ambicioze për një institucion ndërkombëtar për të menaxhuar rrjedhën e mallrave dhe parave anekënd globit. Problemi themelor me tregtinë ndërkombëtare, është se pabarazitë mund të zhvillohen:Disa vende kanë sufiçite të mëdha të eksportit, ndërsa të tjerët detyrimisht zhvillojnë defiçite të mëdha tregtare (përderisa bota nuk mund të jetë në sufiçit apo defiçit me vetveten).
Dhe për shkak se vendet zakonisht duhet të marrin hua për të financuar defiçitet tregtare, është një recetë e shpejtë dhe e lehtë drejt një tronditje financiare në ato vende, kur aftësia e tyre për të marrë më shumë borxhe mbërrin kufirin maksimal. Kjo nuk është aq e keqe për vendet me teprica, pasi ato s’do të pësojnë një krizë të borxhit apo një kolaps në vlerën e monedhës së tyre, por ndërkaq do të dëmtohen nga humbja e tregjeve të eksportit. Ky problem ka shqetësuar kombet që para Revolucionit Industrial.
Kombe si Gjermania me një tepricë të madhe të eksporteve, shpesh e paraqesin atë si rezultat të virtytit të tyre të lartë dhe aftësive teknike. Por realiteti themelor i një tepricë të tillë është se ajo kërkon dikë për të blerë eksportet. Sikurse e thekson Janis Varufakis në librin e tij të ri, pa një lloj mekanizmi të përhershëm për të ricikluar sërish atë tepricë tek vendet në defiçit, pasoja do të jetë një katastrofë e mundshme.
Kjo është pikërisht ajo që shkaktoi krizën fillestare ekonomike në Greqi, dhe që është ende në vazhdim. Breton Uds e adresoi këtë problem përmes një sërë masash të plota dhe jo masave të përkohshme. Vlera e dollarit do të jetë lidhej me një sasi të caktuar ari, dhe normat gjysmë-fikse të këmbimit për monedhat e tjera do të silleshin rreth të parës.
Në përputhje me pikëpamjet më ortodokse ekonomike, të gjitha pabarazitë tregtare duhet të zgjidheshin përmes një ndërhyrje në kahun e defiçitit. Nuk kishte asnjë kufizim për kombet me sufiçite për t’u rritur (e rëndësishme është të theksohet se asokohe SHBA-ja ka qenë një eksportuese e madhe), dhe FMN-ja kishte për detyrë për të trajtuar shtetet që kanë probleme serioze me defiçitet tregtare, përmes zbatimit të masave të kursimit dhe shtërngimit të politikave monetare (Kjo do të çonte në katastrofa të përsëritura për vendet në zhvillim.)
Nga ana tjetër ideja e Kejnesit, qe në thelb më ambicioze. Ai propozoi një krijimin e një “International Clearing Union” gjithpërfshirës të cilit potencialisht mund t’i bashkohej çdo vend i botës. Kjo do të krijonte një monedhë të re rezervë, “bancor”, që mund të përdorej vetëm për zgjidhjen e llogarive ndërkombëtare, dhe vendet anëtare do të paguanin një kuotë anëtarësimi në raport me volumin e tyre tregtar.
Vendet në sufiçit do të marrin kredi bancor, ndërsa ata në defiçit do të kenë një llogari negative. Unioni gjithashtu synonte qartazi lehtësimin e rritjes së tregtisë në përgjithësi (ndryshe nga Breton Udsi). Dhe në mënyrë kritike, do të stimulonte kombet të mbanin tregtinë e tyre të balancuar në të dyja anët – tepricën dhe defiçitin. Kur zgjeronte defiçitin, një vend do ta kishte të nevojshme të zhvlerësonte monedhën për të reduktuar importet.
Por nëse zmadhonte tepricën, do të jetë e nevojshme që monedha e një vendi të rivlerësohet në mënyrë që të rriten importet. Ndërkohë një taksë bancor do të vendosej mbi cilindo me një çekuilibër të madh tregtar. Ka shumë më tepër tek kjo histori, por ideja themelore është mjaft e thjeshtë. Sikurse shkroi Kejnesi në propozimin e tij origjinal, “parimi bazë është barazia e kredive dhe debive, e aktiveve dhe detyrimeve. Nëse asnjë kredi nuk mund të zhvendoset jashtë sistemit të kleringut, por kalohet vetëm brenda saj, vetë Unioni nuk mund të gjendet asnjëherë në vështirësi”.
Për brezin e pasluftës, Breton Uds ka funksionuar në një nivel të pranueshëm – dhe qe sigurisht një përmirësim i madh në krahasim me standardin e arit të paraluftës. Por mekanizmat e saj ishin shumë më pak të lexueshme, dhe kërkonin përpjekje të vazhdueshme në mirë-besim nga vende të ndryshme, veçanërisht nga Gjermania dhe SHBA-ja për të punuar si duhet.
Më e rëndësishmja, ajo u mbështet në tepricat e mëdha amerikane për të thithur ndihmën e madhe që po dërgohej në Evropë sipas Planit Marshall, një pjesë e mirë e të cilës u përdor për të blerë eksportet amerikane. Kur SHBA-ja u zhvendos tek defiçiti, sistemi u prish brenda pak vjetësh. Përkundrazi plani i Kejnesit, do ta kishte pasur me gjasë fleksibilitetin e duhur për t’iu përshtatur një zhvendosje masive në 180 gradë në bilancin tregtar.
Ajo është gjithashtu shumë më transparente dhe e kuptueshme për njerëzit mesatarë, ndoshta duke i dhënë fund deri në një farë mase krenarisë së tepruar të vendeve me sufiçire. Dhe nëse do të krijohet në të ardhmen, kjo do të jetë nën mbikëqyrjen efektive nga shtetet anëtare. Batërdia e madhe financiare e shkaktuar nga e papërgjegjshmja dhe mbikombëtarja Banka Qëndrore Evropiane, është shumë e zymtë për ta injoruar këtë ide.
Padyshim do të duhen vite të tëra për të përditësuar dhe zbatuar propozimet e Kejnesit, aty ku është e mundur. Por problemet që ai plan është projektuar për të trajtuar, do të jenë gjithmonë shpërthyese. Ndoshta pasi eurozona të shpërbëhet, bota do të ketë një tjetër shans për të bërë atë që është e drejtë.
“The Week” – Në shqip nga bota.al
4 minutes read