“The Economist”
Aleksandr Otdelnov zotëron një atraksion të pazakontë turistik: një muze kontrabandë. Kontrabanda ka vazhduar rregullisht në vendlindjen e tij Odessa që nga shekulli XVIII. Derisa gjithçka u mbyll për shkak të Covid-19, muzeu shfaqi gjithçka, nga perlat dhe pistoletat e kohës së Rusisë perandorake deri tek objekte më bashkëkohore.
Pastaj në shkurt 2022 erdhi lufta. “Porti pushoi së punuari dhe gjithçka ndaloi”- thotë Otdelnov. Por sulmi rus nuk solli vetëm ndërprerjen e flukseve turistike. Odessa kishte qenë një nyjë kyçe në një rrjet të gjerë kriminal të përqendruar në Ukrainë dhe Rusi, që shtrihej nga Afganistani në Andet e Amerikës së Jugut.
Ajo ishte pjesë e “ekosistemeve më të forta kriminale në Evropë”, thekson Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GITOC), një institut kërkimor. Pushtimi i Rusisë e ka goditur shumë fort këtë degë të krimit të organizuar.
Shumica e mafiozëve të njohur ukrainas, e kanë ndërprerë bashkëpunimin me kolegët e tyre rusë: “Ne jemi hajdutë, jemi kundër çdo shteti, por në këtë rast vendosëm të jemi në krah të Ukrainës”- thotë njëri prej tyre. Lufta ka detyruar rishikimin e rrugëve fitimprurëse të trafikut të heroinës, gjë që po ndikon tek çmimet dhe fitimet për organizata kriminale që ndodhen mijëra km larg Ukrainës.
Nëse ky ndryshim do të rezultojë i qëndrueshëm, ai mund ta ndryshojë “fytyrën” e krimit global. Po ashtu do të ndryshojë edhe Ukrainën. Ky vend është përballur me një korrupsion të shfrenuar që kur u largua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Revolucioni i Maidanit i viteve 2013-2014, rrëzoi nga pushteti një president të korruptuar dhe disa nga oligarkitë që qëndronin pas tij.
Në vitin 2019, Volodymyr Zelensky u zgjodh president në një platformë kundër korrupsionit. Ai firmosi masat e para madhore kundër mafias. Por në rastin më të mirë, ishte një pastrim gjysmak. Para pushtimit, GITOC e renditi Ukrainën në vendin e 34-të nga 193 vende të botës për nga indeksi i kriminalitetit, dhe të tretën në Evropë.
Po ashtu Ukraina renditej shumë keq edhe në lidhje me perceptimet mbi korrupsionin. Bota e krimit në pjesët e kontrolluara nga qeveria të Ukrainës para vitit 2022, po haste shumë probleme në aktivitetin e saj dhe kishte jo pak përplasje midis grupeve të ndryshme. Megjithatë, ekzistonin 3 aspekte që e lidhnin Ukrainën me tregjet globale kriminale. Së pari, një “super autostradë” kontrabande që lidh Rusinë dhe Ukrainën, duke kaluar nëpër pjesët e Ukrainës Lindore që u pushtuan nga Rusia në 2014. Së dyti, qendrat globale të kontrabandës në Odessa dhe portet e tjera të Detit të Zi. Dhe së fundi fabrikat në Ukrainë për prodhimin e mallrave të paligjshme për eksport.
Kjo infrastrukturë mbështeti modele të ndryshme biznesi për produkte të ndryshme. Ukraina ishte gjithnjë e më shumë një rrugë tranziti për heroinën që vinte nga Afganistani, prej nga ku zhvendosej në Ballkan dhe Kaukaz për të shkuar në Perëndim.
Para luftës, Ukraina renditej e katërta në Evropë për sasinë e kokainës së sekuestruar. Kokaina nga Amerika Latine kalonte përmes Detit të Zi. Në drejtimin tjetër, mafiozët eksportonin armë në Azi dhe Afrikë, veçanërisht nga porti i Mykolaiv.
Në vitin 2020, Ukraina ia kaloi Kinës duke u bërë burimi më i madh në Evropë i duhanit kontrabandë. Prodhimi lokal i amfetaminave po rritej: 67 laboratorë të paligjshëm u çmontuan në vitin 2020, shifra më e lartë e raportuar nga çdo vend.
Tani lufta ka ndryshuar gjithçka duke krijuar “një mjedis me një rrezik të papranueshëm për trafikimin e paligjshëm ndërkombëtar”, thotë një raport i ri nga qeveria amerikane. Portet e Detit të Zi janë mbyllur për transportin ose e kanë kufizuar atë.
Kufiri midis Ukrainës së drejtuar nga qeveria dhe territoreve të pushtuara nga Rusia, është tani një seri e fortifikuar fushash vrastare. Mobilizimi ushtarak në Ukrainë e ka privuar botën e krimit nga fuqia punëtore, ndërsa ligji ushtarak ka ndaluar një gamë të gjerë aktivitetesh kriminale.
Oraret e gjendjes së shtet-rrethimit e bëjnë më të vështirë lëvizjen gjatë natës. Gangsterët ukrainas po i shmangen edhe homologëve të tyre rusë. “Është një gjë të quhesh kriminel; dhe diçka krejtësisht tjetër të cilësohesh tradhëtar”- thotë Mark Galeotti, autor i librit “Vory:Supermafia e Rusisë”.
Besnikëria ndaj Ukrainës ka të bëjë me kontrollin e rrezikut por edhe me patriotizmin. “Nëse do të aneksoheshim si vend nga Rusia, shumë nga djemtë e burgut mund të transferoheshin shumë larg nga këtej. Rojet ruse janë të pamëshirshme. Asnjë nga ne nuk ka nevojë për këtë. Kështu që ne do të bëjmë punën e pistë për Ukrainën”- thotë një gangster në kushte anonimiteti.
Efektet goditëse të luftës po ndihen në nivel global, pasi rrjetet e kontrabandës janë rikonfiguruar për të anashkaluar Ukrainën. Zyrtarët turq të doganave thonë se më shumë heroinë dhe metamfetaminë po kalon tani përtej kufirit me Iranin.
Zyrtarët e kufirit lituanez regjistruan një rritje me 4 herë brenda 1 vitit të sasisë së duhanit kontrabandë në tremujorin e parë të vitit 2022. Zyrtarët estonezë që bashkëpunojnë me Europolin, agjencia e policisë e BE, kanë kapur vitin e kaluar 3.5 ton kokainë që vinte nga Amerika Latine në portin Muuga, me vlerë rreth gjysmë miliardë euro.
Bllokimi i porteve të Ukrainës në Detin e Zi dhe shtimi i kontrolleve në Evropën Perëndimore, mund të shpjegojnë gjithashtu edhe konfiskimet e mëdha të ndodhura së fundmi në Rusi. Më 10 prill autoritetet ruse kapën rreth 700 kilogramë kokainë në Moskë. Gangsterët rusë që ndodhen pranë kufirit me Bjellorusinë, po përfitojnë nga kontrabanda e mallrave luksoze në Rusi, veçanërisht e çantave firmato. Lufta ka nënkuptuar edhe mundësi të reja afatshkurtra për gangsterët në Ukrainë. Një ndër to është trafiku i njerëzve. OKB-ja vlerëson se rreth 5 milionë refugjatë ukrainas janë në “mbrojtje të përkohshme” në Evropë, dhe modelimi statistikor bazuar tek tendencat historike, sugjeron se ndoshta 100.000 prej tyre mund të bëhen viktima të trafikimit.
Ndërkohë ka edhe një treg ilegal të largimit fshehurazi të ushtarëve ukrainas që duan të braktisin luftën dhe ikin jashtë vendit. Të paktën 8.000 të tillë janë kapur në përpjekje për t’u larguar nga vendi, kryesisht për në Moldavi ose Poloni. Thuhet se ata u paguajnë trafikantëve nga 5.000-10.000 euro.
Ndikimi afatgjatë i luftës mbi kriminalitetin në Rusi ka të ngjarë të jetë edhe më negativ. Shteti i ka shtuar lidhjet me kriminelët. Mafiozëve rusë që operojnë jashtë vendit u është kërkuar të depozitojnë një pjesë të fitimeve të tyre në të ashtuquajturat “llogari të zeza”, ku mund të kenë qasje spiunët rusë për të mbuluar kostot e tyre operative.
Po ashtu kriminelët janë rekrutuar për të vepruar si agjentë të inteligjencës së Kremlinit, veçanërisht për të ndihmuar në blerjen sekrete të gjysmëpërçuesve shumë të nevojshëm
për luftën, të cilët Rusia nuk mund t’i blejë dot zyrtarisht për shkak të sanksioneve. Sekuestrimi i firmave në pronësi perëndimore në Rusi nga Kremlini ose përfaqësuesit e tij do të nxisë një epokë të re nepotizmi, ndërsa kërkesa për të maskuar transaksionet ndërkufitare ose për të anashkaluar sistemin financiar perëndimor do të reduktojë më tej transparencën dhe llogaridhënien.
Ndërkohë për Ukrainën, tabloja afatgjatë është më pak e qartë. Një konflikt i ngrirë mund të krijojë rreziqe të mëdha. Para pushtimit Ukraina kishte 7-9 milionë armë zjarri legale. Dhe ndoshta po aq të paligjshme. Tani vendi ka akoma më shumë armatime.
Historia sugjeron që luftërat nxisin tregtinë e armëve. Kështu armët e dala nga Jugosllavia pas luftës, po përdoren në krime të dhunshme në të gjithë Evropën. Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Jürgen Stock, ka paralajmëruar se mund të ketë një rritje të trafikut të armëve të vogla. Po ashtu mund të rritet sërish prodhimi i drogës në vend.
Por rreziku më i madh vjen nga procesi i rindërtimit. Muajin e kaluar Banka Botërore e përcaktoi në 411 miliardë dollarë koston e rindërtimit të Ukrainës, duke përfshirë 92 miliardë dollarë për transport dhe 69 miliardë dollarë për strehimin. Projekte të tilla në shkallë të gjerë mund të përvetësohen lehtësisht nga mafiozët, të cilët manipulojnë procedurat e tenderave për të pasur qasje tek pronat, subvencionet dhe licencat.