Nga Abdullah Iqbal
Berri Smith u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit kur ishte në të 50-at. Por 18 vjet para se t’i komunikohej diagnoza nga mjekët, ai zhvilloi një simptomë shumë të çuditshme dhe të përhershme.
Një ditë nuhati një “aromë të fortë tymi, si ajo e telave që digjen”, thotë ai. Që nga ai moment ai nuk ka nuhatur kurrë më asgjë. Në atë kohë, mjeku i Smith ia atribuoi humbjen e nuhatjes zhytjeve të tij, pasi dihet që zhytja në thellësi shkakton ndonjëherë dëmtime të nuhatjes. U duk sikur mjeku kishte të drejtë.
Por humbja e nuhatjes mund të ketë një shkak akoma më të keq, dhe në rastin e Smith, kjo u provua të ishte e vërtetë. Në botën e sotme, shumica do ta shpjegonin automatikisht humbjen e nuhatjes me prekjen nga Covid-19, por ajo është gjithashtu një simptomë e zakonshme e sëmundjeve neurodegjenerative, përfshirë Sklerozën e Shumëfishtë, Parkinsonit dhe Alzheimerin.
Studimet kanë zbuluar se deri në 38 për qind e atyre që vuajnë nga Skleroza e Shumëfishtë, dhe gati gjysma e të rriturve të moshuar të diagnostikuar me Demencë shfaqën shenja të humbjes së nuhatjes 5 vjet më parë. Në rastin e sëmundjes së Parkinsonit 45-96 për qind e pacientëve shfaqin dëmtim të nuhatjes.
Për vite me radhë, humbja e nuhatjes – ose anosmia siç njihet në gjuhën shkencore -ka qenë injoruar si një tregues për sëmundje si Parkinsoni. Por tani disa shkencëtarë besojnë se përdorimi i saj si një mjet i diagnozës mund të ketë përparësi të mëdha.
Patologjia e sëmundjeve të tilla si Parkinson, është e pranishme në zonën e trurit që është përgjegjëse për nuhatjen shumë kohë para zonave të tjera, dhe kjo mendohet se është arsyeja pse Smith e humbi nuhatjen e tij 18 vjet para se të përjetonte dridhjen e tij të parë.
Një test i saktë i nuhatjes mund të ketë identifikojë sëmundjen gati 2 dekada para diagnozës zyrtare, dhe kjo mund t’i japë të sëmurit më shumë kohë për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes. Tani nisma po zhvillojnë teste, të cilat mund të përdorin nuhatjen për të ndihmuar në diagnostikimin e sëmundjeve neurodegjenerative.
Një prej tyre është Predict-PD në Britani. Alisteir Nojs, pedagog i vjetër klinik në Universitetin Mbretëresha Meri në Londër, që e drejton këtë projekt, ka zhvilluar një test të nuhatjes të quajtur “Scratch and Sniff”. Ky është një test i shpejtë që i prezanton pacientit6 aroma që zakonisht i hasim gjatë gjithë ditës, bazuar në një listë më të madhe prej 40 aromash.
Ekspertët shpresojnë që të dhënat që ata mbledhin, të mund të përdoren për të parashikuar se kush do të preket më vonë nga Parkinsoni, gjë që mund të çojë në trajtime të reja të hershme, të cilat mund të parandalojnë përparimin e sëmundjes apo në ngadalësimin e saj.
Dhe me deri në 0.45-3.4 për qind të individëve (në varësi të testit), që duket se nuk janë në dijeni për humbjen e nuhatjes së tyre, teste të tilla si Predict-PD mund t’i ndihmojnë njerëzit që ta identifikojnë atë. Problemi është se teste të tilla janë aktualisht të shtrenjta.
“Testi standard i aromës kushton mesatarisht 25 paund, por vetëm disa pens për t’u prodhuar”- thotë Nojs. Ndërsa kostoja mund të mos jetë pengesë për shumë klinika private që mund ta përdorin një test të tillë, do të ishte një problem më i madh për spitalet publike që kanë burime më të kufizuara.
Sigurisht, dëmtimi i nuhatjes nuk ndodh vetëm si rezultat i sëmundjeve neurodegjenerative. Rreth 19 për qind e popullsisë, ka mesatarisht një lloj mosfunksionimi të nuhatjes, me 0.3 për qind që e humbin tërësisht nuhatjen earomave (anosmi), ndërsa 19.1 për qind të tjerë që vuajnë nga aftësia e zvogëluar për të zbuluar aromat (hiposomia).
Studimet e fundit, kanë zbuluar se humbja e nuhatjes mund të lidhet edhe me gjendje të shëndetit mendor të tilla si depresioni, skizofrenia dhe distonia, kjo e fundit një çrregullim i lëvizjes në të cilin muskujt e një personi kontraktohen në mënyrë të pakontrollueshme.
Një studim i vitit 2016, zbuloi se burrat (por jo gratë) me simptoma të depresionit, kishin gjithashtu tendencën të kishin një nuhatje të dobët, ndërsa ata që ndiheshin të vetmuar, ishin përgjithësisht më pak të aftë në identifikimin e aromave të ndryshme.
Studime të tjera,e kanë lidhur një nuhatje të dëmtuar me rritjen e vdekshmërisë, duke sugjeruar se ajo mund të jetë një “kambanë alarmi” për plakjen ose një sëmundje të caktuar. Një studim që përfshiu më shumë se 2.200 njerëz të moshës 71-82 vjeç, zbuloi se ata që kishin një nuhatje të dobët, ishin 46 për qind më të rrezikuar të vdisnin brenda një periudhe dhjetë vjeçare, sesa ata me një nuhatje të zakonshme.
Por si mundet nuhatja të ketë një lidhje kaq të fuqishme me shëndetin tonë? Karl Filpot, profesor i rinologjisë dhe olfaktologjisë në Universitetin e Anglisë Lindore, beson se kjo mund të ketë një lidhje me atë që hamë.
Sipas studimit të tij, “një e treta e pacientëve me humbje të nuhatjes konsumojnë shumë ushqime, dhe një e treta e pacientëve të tjerë konsumojnë më pak sesa duhet”, thotë ai. Meqë një dietë e shëndetshme është një nga shtyllat e shëndetit të mirë, është e lehtë të kuptohet se pse kjo do të çonte në rritjen e vdekshmërisë. / “BBC” – Bota.al