Për shumicën prej nesh, kontrollimi i mendimeve të padëshiruara nuk është diçka e lehtë. Por një studim i ri përshkruan një qasje, të cilën mund ta përdorë secili nga ne për të kufizuar numrin e mendimeve që depërtojnë në mendjen tonë edhe “pa pasur ftesë”. Studimi shqyrtoi ndryshimet midis kontrollit reaktiv dhe atij pro–aktiv.
Kontrolli reaktiv është kur ne kemi një mendim të padëshiruar, dhe përpiqemi ta refuzojmë ose ta shtypim atë. Ndërkohë, kontrolli pro–aktiv quhet përpjekja për të ndaluar shfaqjen e mendimit tëpadëshiruar. Për këtë mjafton të bëni një paralelizëm me “problemin e ariut të bardhë”.
Nëse dikush ju thotë të mos mendoni për një ari polar, do të përfundoni duke menduar për të. Kontrolli reaktiv do të thotë që ju do të përpiqeni ta shpërqendroni veten nga të menduarit për ariun polar sa herë ai që ju vjen në mendje. Gjithsesi, pretendohet se truri ynë mund të ndalojë potencialisht një mendim që të arrijë në mendjen tonë të ndërgjegjshme, përpara se të na duhet ta shpërqendrojmë veten prej tij, pra të përdorim kontrollin pro–aktiv.
Se si angazhohet truri në kontrollin pro–aktiv, kjo mbetet e paqartë dhe e vështirë për t’u investiguar. Studiuesit e studimit të ri, vendosën ta thjeshtojnë procesin duke u fokusuar tek lidhjet midis fjalëve. Përmes detyrës së lidhjes së fjalëve midis tyre, studiuesit zbuluan se shumica e njerëzve mbështeten tek kontrolli reaktiv.
Megjithatë të dhënat zbuluan se është e mundur të dobësohen lidhjet me mendime të caktuara, nëse angazhohemi në mënyrë të vetëdijshme për këtë gjë. “Ky lloj kontrolli reaktiv mund të jetë veçanërisht problematik. Siç sugjerojnë gjetjet tona, mendimet janë vetë-përforcuese:të menduarit e një mendimi, e rrit fuqinë e kujtesës dhe probabilitetin që ai të përsëritet”.
“Pra sa herë që duhet të refuzojmë në mënyrë reaktive një mendim të padëshiruar, ai ka potencialin të bëhet edhe më i fortë. Por ne zbuluam se njerëzit mund ta parandalojnë pjesërisht këtë proces”- theksuan ata. Studiuesit iu kërkuan 80 vullnetarëve të gjenin lidhje të reja për 60 fjalë të zakonshme, pasi ato shfaqeshin një e nga një në një ekran. (Vetëm 40 nga të dhënat e vullnetarëve u përdorën përfundimisht në studim).
Secila fjalë u prezantua rastësisht 5 herë. Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Në njërin, atyre iu tha se nuk do t’u paguhej një shpërblim monetar nëse do të përsërisnin ndonjë lidhje, ndërsa grupi tjetër nuk mori asnjë udhëzim të tillë.
Në rastin e grupit të parë, një lidhje fillestare – për shembull termi “tavolinë” i shoqëruar me termin “karrige” – përfundon duke u bërë një mendim i padëshiruar. Pjesëmarrësit duhej të përdornin një lidhje të re me termin “tavolinë” herën tjetër që do të shfaqej, edhe nëse termi “karrige” do të ishte mendimi i tyre i preferuar.
Duke përdorur një model llogaritës për të analizuar kohët e reagimit dhe përgjigjet, studiuesit arritën në përfundimin se vullnetarët që po përpiqeshin të shmangnin përsëritjen, mendonin fjalë të përdorura më parë dhe që më pas i refuzonin ato, pra një kontroll reaktiv.
Por duke analizuar më thellë, dallimet midis dy grupeve treguan se njerëzit në grup që përpiqeshin të mos përsërisnin të njëjtat fjalë, kishin njëfarë suksesi për ta bërë këtë, pra një lloj kontrolli pro–aktiv. Këta pjesëmarrës nuk u bllokuan duke përsëritur të njëjtat fjalë vazhdimisht.
“Edhe pse njerëzit nuk mund të shmangnin dot mendimet e padëshiruara, ata mund të siguroheshin që të menduarit e një mendimi të padëshiruar, të mos rriste gjasat që ai të shfaqejsërish në mendje”- thotë psikologu Isak Fredkin nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit në Izrael.
Fjalët e përsëritura në këtë eksperiment, mund të interpretohen si mendime të përsëritura në përgjithësi. Për shembull merrni kujtimet e dhimbshme të një ndarje. Është e mundur që ne të jemi në gjendje të stërvitemi në mënyrë pro–aktive, që të paktën t’i ndalojmë këto mendime të bëhen më të forta dhe më të vështira, sa herë që rikthehen në mendjen tonë.
Fatkeqësisht, studimi aktual nuk jep asnjë lloj sugjerimi se si ta stërvitim trurin tonë, për të kaluar nga kontrolli i mendimit reaktiv në atë pro–aktiv. Të dhënat sugjerojnë vetëm se kjo është e mundur, në një masë të kufizuar, dhe kur e bëjmë qëllimisht. / Science Alert – Bota.al