Së pari, duhet të pushojmë së kundërvëni Rusisë, Iranit e madje edhe Sirisë, edhe pse nuk e miratojmë sjelljen e tyre, sepse ne jemi aleatë objektivë në këtë konflikt. Pastaj duhet të bashkojmë forcat e të gjithë këtyre vendeve, në betejën e përbashkët, pikërisht ashtu sikurse forcat e qytetërimit u bënë bashkë në Luftën e Dytë Botërore. Pa Stalinin, Rooseveltin dhe Churchillin, nuk do ta kishim fituar kurrë luftën kundër Hitlerit
Nga Jacques Attali
Pyes veten përse Francës i është dashur kaq shumë kohë, për të kuptuar se bashkimi i një bote pa sundimin e ligjit, mund të çojë vetëm drejt përhapjes së kaosit. Megjithatë, çdo vit kaosi bëhet gjithmonë e më i dukshëm. Ai është ulur gradualisht, pashmangshmërisht, globalisht dhe tani në mënyrë spektakolare, në shumë fronte – ekonomik, social, ekologjik, politik, ushtarak, ideologjik.
Në një botë të tillë, zgjidhjet autarkike, kombëtare kanë gjithmonë e më pak kuptim. A mund të imagjinojmë ne, që Franca e vetme mund të angazhohet tani në këtë betejë, e cila shpërtheu në rrugët e saj në 13 nëntor, dhe më pak se një vit më parë, në redaksinë e Charlie Hebdo?
Sa kohë që ne nuk krijojmë kushtet për një aleancë të të gjithë forcave të të mirës, në të gjithë planetin, kundër forcave të të keqes, atëherë kaosi vetëm do të rritet dhe dhuna do të shtohet në rrugët tona, e prodhuar prej viktimave të kaosit që krijohet gjetkë.
Ka me mijëra definicione në histori, për të mirën dhe të keqen. Sot e keqja është terrorizmi, ngado që të vijë ai. Përballë të keqes, “e mira” duhet të përcaktohet në një mënyrë modeste: bashkimi i të gjithë atyre që i kundërvihen të keqes, edhe pse kemi shumë për të kritikuar, edhe tek aleatët tanë të zgjedhur.
Për të arritur këtë, ne kemi nevojë urgjente për të vënë në zbatim një numër parimesh të thjeshtë, gjë që duhej të ndodhte prej kohësh, por që nuk janë praktikuar prej dobësisë, naivitetit, injorancës, burracakërisë dhe zvarritjes përballë fakteve që sa vinte e shtoheshin.
Së pari, duhet të pushojmë së kundërvëni Rusisë, Iranit e madje edhe Sirisë, edhe pse nuk e miratojmë sjelljen e tyre, sepse ne jemi aleatë objektivë në këtë konflikt. Pastaj duhet të bashkojmë forcat e të gjithë këtyre vendeve, në betejën e përbashkët, pikërisht ashtu sikurse forcat e qytetërimit u bënë bashkë në Luftën e Dytë Botërore. Pa Stalinin, Rooseveltin dhe Churchillin, nuk do ta kishim fituar kurrë luftën kundër Hitlerit.
Më tej, NATO sot duhet të transformohet për të luftuar natyrën e përhapur të terrorizmit të sotëm, dhe jo një tjetër Luftë të Ftohtë. Duhet që të bashkojë të gjithë armiqtë e armiqve tanë, për të përballlur rreziqet e reja. Dhe Europa, më shumë se kurrë, duhet të zhvillojë një krah të fortë në kapacitetin e saj mbrojtës.
Në fund, dhe më e rëndësishmja, ne duhet të kuptojmë se kjo betejë nuk do të fitohet prej profesionistëve, sado të domosdoshëm që të jenë, por prej mobilizimit të të gjithë popullit, në mbrojtje të vlerave tona. Dhe për këtë, është ende e nevojshme që këto vlera të mësohen në shkolla, me qëllim që qytetarët tanë të duan të luftojnë për to. Në këtë betejë të re, ne duhet që të rikthejmë shërbimin ushtarak si një mobilizim të përhershëm qytetar, me qëllim që të ketë një kapacitet për përhapur të mbrojtjes civile.
Mbi të gjitha, kemi nevojë për praktimin në Francë të një diskursi të qartë, koherent, që të shpjegojë se çfarë të besojë, dhe përse. Nuk duhet që të jetë gjithmonë presidenti i SHBA, që ofron disa fjalë frymëzuese pas një fatkeqësie.
Duke filluar nga sot, ndoshta më në fund, do të fillojmë të rishikojmë gjithçka në dritën e kësaj beteje, e cila do të përcaktojë çdo gjë tjetër, teksa ecim përpara.
SIç duhej të kishim bërë shumë kohë më parë, ne duhet të rishikojmë buxhetin tonë të mbrojtjes, policisë dhe arsimit. Ky “rishikim” duhet të kushtëzojë zgjedhjet e ardhshme rajonale, si dhe formën e politikave dhe kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Në mënyrë të veçantë, ai duhet të përcaktojë politikën tonë të jashtme dhe politikën tonë europiane.
Por duhet të nxitojmë. Makthi i 13 nëntorit na ka treguar tashmë koston e kohës që tashmë kemi humbur. /HuffPost
Bota.al