BotaMAIN

Jacques Attali: Pa koalicion, Olimpiada do jetë si Berlini 1936

La cohabitation, c’est moi. Jacques Attali ishte në Elysee nën hijen e François Mitterrand kur presidenti socialist e gjeti veten përballë Jacques Chirac, i cili ishte bërë kryeministër me një shumicë të krahut të djathtë. Kështu lindi bashkëjetesa. “Kjo nuk kishte ndodhur kurrë në Republikën e Pestë, e gjetëm veten duke shpikur një praktikë republikane”, kujton Attali, këshilltari i Mitterrand për dhjetë vjet dhe më pas mentori i Emmanuel Macron.

Ekonomist, intelektual, drejtues orkestre, eseist popullor, Attali tani po i drejton një apel Presidentit për të bërë pakt me të majtën në funksion të raundit të dytë. “Unë votova për Frontin e Ri Popullor, pa hezitim. Për mua prioritet është të parandaloj të djathtën ekstreme që të vijë në qeveri në Francë”, tregon Attali, 80-vjeçar, i cili nuk e fsheh pesimizmin e tij nga një duel hipotetik në krye të shtetit, mes Macron dhe Jordan Bardella.

Çfarë këshille do t’i jepnit Macron-it për t’u marrë me krizën e afërt?

Nuk jam i sigurt se i dëgjon këshillat e mia. Unë isha kundër idesë së shpërbërjes së Assemblée Nationale, veçanërisht vetëm disa javë para Lojërave Olimpike, në të cilat e gjithë bota do t’i ketë sytë nga Franca. Ne synonim një festë si Lojërat e Parisit të vitit 1924, tani rrezikojmë të kemi Lojërat e Berlinit të vitit 1936. Dëmi tashmë është bërë, le të shpresojmë që të mos jetë i pariparueshëm. Thënë kjo, do të shohim nëse Macron ka mjaftueshëm gjakftohtësi për t’u imponuar si Mitterrand. Por në rastin e tij tashmë ka një ndryshim.

Cili është?

Të gjithë e dinë se ai nuk do të mund të kandidojë sërish për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, për shkak të kufizimeve kushtetuese. Pesha politike e Macron në Elysee është natyrshëm më e vogël. Mitterrand kishte kandiduar sërish pas bashkëjetesës së parë dhe gjatë bashkëjetesës së dytë (me Edouard Balladur). Ai tashmë ishte shumë i sëmurë dhe në qeveri ishte krijuar një formë respekti. Sot ka një dobësi objektive të Macron që kundërshtarët e tij do ta theksojnë fort. Si Marine Le Pen ashtu edhe Jean-Luc Mélenchon kanë interes për zgjedhjet presidenciale para vitit 2027. E njëjta gjë ndodhi në fillimet e bashkëjetesës së parë mes Mitterrand dhe Chirac. Kryeministri ishte i bindur se do të ishte në gjendje të detyronte presidentin të jepte dorëheqjen. Dhe në vend të kësaj presidenti bëri edhe një mandat të dytë. Tani gjithçka është ndryshe. Macron nuk do të jetë në gjendje të kandidojë për një mandat të tretë. Ai do të ketë humbur shumicën e deputetëve dhe në shtatë vjet nuk ka dashur kurrë të ndërtojë një parti të vërtetë. Kështu që presioni ndaj Macron për t’u larguar do të rritet. Natyrisht nuk e shpresoj. Në të vërtetë, mendoj se është shumë e rëndësishme që ai të mos largohet: duhet të mbrojë institucionet, të cilat janë thesari i vërtetë i Republikës sonë.

Si arriti të imponohej Mitterrand përballë një mazhorance armiqësore?

Ishte një betejë e vazhdueshme. Mbaj mend një mbledhje të parë ku arrita të sigurohesha që të mos kishte asnjë goditje diplomatike nga kryeministri, për të afirmuar epërsinë e Presidentit ndaj politikës së jashtme. Një herë tjetër Mitterrand refuzoi të firmoste një dekret. Chirac ishte aq i zemëruar sa e kërcënoi se do ta dëbonte fizikisht nga Elysee. Presidenti nuk e besoi, por dyshonte dhe më kërkoi të qëndroja me të në pallatin presidencial. Mitterrand kundërshtoi edhe mbledhjen e një Këshilli të Mbrojtjes, në të cilin kryeministri donte t’i jepte ushtrisë, armë bërthamore taktike. Bashkëjetesa është një ekuilibër i paqëndrueshëm, ku strategjia, temperamenti dhe karizma kanë rëndësi.

Marine Le Pen tashmë ka filluar të vërë në dyshim prerogativat e presidentit për mbrojtjen dhe BE-në.

“Me Mitterrand-in, në dy bashkëjetesat e para, krijuam një lloj jurisprudence mbi të ashtuquajturën “domaine reservé”, një kompetencë ekskluzive e Elysee. Edhe në bashkëjetesën e tretë (mes Chirac-ut në Elysee dhe Lionel Jospin si kryeministër) politika e jashtme dhe mbrojtja mbetën prerogativa e kreut të shtetit. Por kjo “domaine reservé” nuk është e detajuar në Kushtetutë. Dhe është qeveria ajo që ka levat e buxhetit të shtetit. Nëse e djathta ekstreme vjen në qeveri dhe vendos të shkurtojë fondet e Francës për BE-në, duke krijuar një casus belli me Brukselin, Macron do të ketë pak ndikim. Po kështu nëse kryeministri i ri dëshiron të reduktojë ndihmën ushtarake për Ukrainën. E kam fjalën për formën. Në praktikë, do të bëhet fjalë për njerëzit dhe marrëdhëniet e pushtetit.

Çfarë ndodh nëse asnjë parti nuk merr shumicën absolute të dielën e ardhshme?

Unë mirëpres vendimin e bllokut qendror dhe të majtë për paktin e rezistencës, ose për tërheqjen e kandidatëve për të penguar fitoren e së djathtës ekstreme. Këto marrëveshje mund të jenë bazë për marrëveshje të gjera pas votimit, në mungesë të shumicës absolute. Në këtë skenar, presidenti do të emëronte një kryeministër si Monti apo Draghi. Fatkeqësisht, nuk do të jetë e lehtë të gjesh figura të ngjashme në establishmentin francez, sepse nuk jemi mësuar me drejtues teknikë.

Në romanin e tij të fundit, ju imagjinoni ardhjen e Le Pen në Elysée.

Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë rrezikun e një qeverie të ekstremit të djathtë në 2024, me zgjedhjet e afruara në këtë mënyrë nga Macron. Edhe sot nuk dorëzohem: do të ishte një tronditje për Evropën. Dhe qeveria Bardella nuk do të ishte një qeveri Meloni. Rassemblement National më shumë do ta shtynte Francën drejt Hungarisë së Orbanit.

A nuk ju pengoi aleanca e Partisë Socialiste me France Insoumise të Jean-Luc Mélenchon-it, të votoni majtas?

Unë kurrë nuk do të votoj për RN-në, absolutisht kurrë, dhe do të votoj gjithmonë për kandidatin e së majtës, madje edhe për një kandidat të France Insoumise, me përjashtim të disa emrave antisemitë. Është thellësisht e padrejtë të barazohet e djathta ekstreme me shumicën e demokracisë sociale. Dhe mendoj se e majta reformiste do të mund të rifitojë hapësirën e saj në të ardhmen e afërt. Në vitin 1974, isha tridhjetë vjeç, drejtova fushatën e parë presidenciale të Mitterrand. Socialistët kishin 12-13% të votave dhe komunistët 85%. Partia Komuniste ishte një parti e Moskës, shumë larg nesh. Megjithatë, ne ishim të bindur se aleanca ishte e nevojshme dhe ne do të ishim në gjendje të ndryshonim ekuilibrin e pushtetit. Kjo është ajo që ndodhi më pas. Tani mund të ndodhë përsëri. / La Repubblica – Bota.al

Back to top button