Bota

Jetojmë në botën e përtej-faktit. Reflektimi i Frensis Fukujamës

Nga Frensis Fukujama

Një prej zhvillimeve më mbresëlënës të 2016-ës, dhe politikës së tij të pazakontë, ishte shfaqja e botës së “post-faktit”, në të cilën të gjithë burimet me autoritet të informacionit u vunë në dyshim dhe u sfiduan prej fakteve kundërthënës, me cilësi dhe prejardhje të dyshimtë.

Ardhja e Internetit në vitet 1990 u përshëndet si një moment çlirimi dhe lehtësimi për demokracinë në mbarë botën. Informacioni përbën një formë pushteti, dhe për aq sa ai informacion po bëhej më i lirë dhe më i rrokshëm, publiku demokratik do të ishte në gjendje që të merrte pjesë në sfera, nga të cilat deri atë kohë ishte përjashtuar.

Zhvillimi i mediave sociale në fillimin e viteve 2000 u duk se e përshpejtoi këtë tendencë, duke lejuar kështu mobilizimin masiv, i cili nxiti revolucionet “me ngjyra” përreth botës, nga Ukraina në Birmani e Egjipt. Në një botë komunikimi mes të barabartësh, rojtarët e dikurshëm të informacionit, që shiheshin kryesisht si shtete autoritarë shtypës, tashmë mund të anashkaloheshin.

Ndërkohë që kishte një farë të vërtete në këtë narrativë pozitive, një tjetër, më e errët po merrte formë. Ato forca të vjetra autoritare po reagonin në mënyrë dialektike, duke mësuar të kontrollonin Internetin, si për shembull Kina, me dhjetëra-mijëra censorët e saj, apo Rusia, duke rekrutuar legjione informaticienësh për të përmbytur mediat sociale me informacione të këqia. Këto tendenca erdhën e u bënë bashkë në një mënyrë shumë të dukshme në vitin 2016, në mënyra të tilla, që ndërtuan ura bashkimi mes politikës së jashtme dhe asaj të brendshme.

Manipulatori kryesor i mediave sociale rezultoi të ishte Rusia. Qeveria e saj ka hedhur në qarkullim lajme të rreme zhurmëmëdha, si “fakti” që nacionalistët ukrainas po kryqëzonin fëmijë të vegjël, apo që forcat qeveritare ukrainase goditën dhe rrëzuan avionin e Malaysia Airlines në vitin 2014. Po këto burime kontribuan për debatet mbi pavarësinë e Skocisë, Brexitin dhe referendumin holandez mbi Marëveshjen e Asociimit të BE me Ukrainën, duke amplifikuar kështu çdo lloj fakti të dyshimtë, që do të shërbente për të dobësuar forcat pro BE-së.

Sikur të mos mjaftonte përdorimi i informacionit të keq si një armë nga fuqi autoritare, kjo praktikë hodhi rrënjë të forta edhe gjatë fushatës elektorale në SHBA. Të gjithë politikanët gënjejnë, apo e thënë me pak më shumë tolerancë, e vërtisin të vërtetën në favorin e tyre; por Donald Trumpi e ngriti këtë praktikë në një nivel të ri e të paprecedentë. Kjo gjë nisi disa vite më parë me akuzat e tij se Presidenti Barack Obama nuk kishte lindur në SHBA; Trumpi vazhdoi ta shprehë këtë gjë, edhe pasi Obama paraqiti një çertifikatë lindjeje, që vërtetonte se kishte lindur në SHBA.

Në debatet e fundit presidenciale në SHBA, Trumpi këmbënguli se nuk e kishte mbështetur asnjëherë luftën në Irak dhe nuk e kishte quajtur kurrë mashtrim, ndryshimin e klimës. Pas zgjedhjeve, ai deklaroi se kishte fituar edhe votën popullore (të cilën e humbi me më shumë se 2 milionë vota). Këto nuk ishin thjeshtë errësime të fakteve, por gënjeshtra, pavërtetësia e të cilave mund të demonstrohej lehtësisht. Sigurisht që ishte gjë e keqe, që Trumpi i nxirrte nga goja; por ishte edhe më keq, që dukej se nuk kishte aspak ndëshkim për të nga ana e votuesve republikanë, për gënjeshtrat e tij të përsëritura.

Ilaçi tradicional për informacionin e keq, sipas avokatëve të lirisë së informimit, është thjeshtë nxjerrja e informacionit të mirë, i cili në një treg të ideve do të dalë në krye. Kjo zgjidhje, për fat të keq, funksionon shumë më pak në një botë të mediave sociale me “robotë”. Ka vlerësime se një e treta deri në një të katërtën e përdoruesve të Tuiterit bien në këtë kategori. Interneti supozohej të na mbronte nga rojtarët; dhe, në të vërtetë, informacioni tani na vjen nga të gjitha burimet e mundshme, të gjitha me kredibilitet të barabartë. Nuk ka asnjë arsye për të menduar se informacioni i mirë do të fitojë mbi informacionin e keq.

Kjo nxjerr në pah një problem më serioz sesa gënjeshtrat individuale dhe efektin e tyre në rezultatin e zgjedhjeve. Pse ndodh që ne besojmë në autoritetin e një fakti, po të kemi parasysh se shumë pak prej nesh jemi në një pozitë për të verifikuar shumicën e tyre? Arsyeja është se ka institucione të paanshme, të ngarkuara me prodhimin informacionin faktik, që ne besojmë. Amerikanët i marrin statistikat e krimeve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dhe të dhënat e papunësisë nga Byroja e Statistikave të Punës. Organet mediatike si Nju Jork Tajms janë me të vërtetë të njëanshme kundër Trumpit, por ato kanë të ngritur sisteme, për të parandaluar botimin e gabimeve skandaloze faktike. Unë dyshoj seriozisht se Matt Drudge apo Breitbart kanë legjione kontrolluesish të fakteve, që të vërtetojnë saktësinë e materialit të postuar në faqet e tyre.

Ndërkohë, në botën e Trumpit, gjithçka është e politizuar. Gjatë fushatës, ai tha se Federal Reserve e Janet Yellen po punonte me fushatën e Clintonit, se zgjedhjet do të manipuloheshin, se burimet zyrtare qëllimisht po fshihnin statistikat e krimeve, dhe se refuzimi i FBI për të paditur Clintonin pasqyronte korruptimin që ekipi i fushatës së saj i kishte bërë Drejtorit të FBI-së, James Comey. Ai gjithashtu refuzoi të pranojë autoritetin e shërbimeve të zbulimit, që fajësuan Rusinë për futje në sistemin e kompjuterave të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike. Dhe sigurisht, Trumpi dhe mbështetësit e tij kanë denigruar të gjithë mediat kryesore.

Paaftësia për të rënë dakord mbi faktet më themelore është produkt i drejtpërdrejtë i një sulmi ndaj institucioneve demokratike – në SHBA, në Britani dhe në mbarë botën. Dhe këtu demokracitë janë nisur drejt telasheve. Në SHBA, ka patur realisht një kalbje të vërtetë institucionale, ku grupe të fuqishme interesi, kanë qenë në gjendje që të mbrojnë veten e tyre, përmes një sistemi financimi të pakufizuar të fushatave. Qendra e kësaj kalbje është Kongresi. Pra, njerëzit e thjeshtë kanë të drejtë të jenë të irrituar.

E megjithatë, fushata elektorale në SHBA i ka bërë të gjithë të besojnë se gjithçka është manipuluar apo politizuar, dhe se rryshfeti është i kudondodhur. Nëse autoritetet elektorale çertifikojnë që kandidati jot nuk është fitues, apo nëse kandidati tjetër u duk se doli më mirë në një debat, atëherë ky me siguri duhet të jetë rezultat i një komploti nga pala tjetër, për të korruptuar rezultatin.

Besimi në korruptueshmërinë e të gjithë institucioneve shpie në një qorrsokak mosbesimi universal. Demokracia amerikane, e gjithë demokracia, nuk do t’i mbijetojë një mungese besimi në mundësinë e ekzistencës së institucioneve të paanshme; në vend të kësaj, lufta politike partiake do të depërtojë në çdo aspekt të jetës.

  • Frensis Fukujama është Drejtor i Qendrës për Demokraci, Zhvillim dhe Sundim të Ligjit.

Sjellë në shqip dhe botuar nga www.bota.al me miratimin e Project Syndicate. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me miratimin e Project Syndicate

Leave a Reply

Back to top button