Ajo video 26 sekondëshe është ende mbresëlënëse, gjashtëdhjetë vjet më vonë. Ndoshta arsyeja është kontrasti i ekzagjeruar mes gjelbërimit të ndezur të lëndinës, fustanit rozë të Jackie-t dhe habisë së saj, e cila shndërrohet në tmerr, teksa i shoqi goditet nga plumbat. Videoja është xhiruar me të njëjtën kamerë 8 mm-ëshe me të cilën Abraham Zapruder, një rrobaqepës nga Dallasi, xhironte fëmijët e tij.
“Ai u bë kujtimi kolektiv i një momenti traumatik në historinë amerikane, aspak ndryshe nga shembja e Kullave Binjake: diçka që shkatërroi jetën siç ne e njihnim”, thotë Alexandra Zapruder, mbesa e Abrahamit dhe autore e librit “Njëzet e gjashtë sekonda”. Ato 26 sekonda që ndryshuan familjen e saj dhe Shtetet e Bashkuara më 22 nëntor 1963.
Gjyshi i saj e adhuronte Kenedin. Ai ishte një emigrant që u rrit në Rusinë perandorake, në Ukrainën e sotme: “Jashtëzakonisht i varfër dhe i shtypur si hebre, ai e shihte Amerikën si një tokë të mundësive, ku demokracia dhe e mira publike janë themelore”. Vrasja e Presidentit është diçka që Abraham Zapruder do ta kishte imagjinuar lehtësisht në vendin që kishte lënë pas, por jo në Amerikë: për të ishte destabilizuese dhe tronditëse. Ai filmim iu shit revistës Life, e cila vendosi t’i publikonte fotot, pa e qarkulluar videon për 12 vjet – e paimagjinueshme sot – por disa kopje të paautorizuara u shpërndanë dhe u prezantuan si dëshmi e një komploti për të fshehur atë që ndodhi.
Kennedy ishte President për vetëm një mijë ditë, por ai konsiderohet si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të Amerikës. Ardhja e televizionit ishte vendimtare: ekrani i vogël kapteerininë e tij, sharmin (dhe padyshim të shoqen, Jackie), qetësinë e tij përballë pyetjeve armiqësore. Debati i parë elektoral i transmetuar në TV më 26 shtator 1960 ishte i paharrueshëm, i ndjekur nga 70 milionë njerëz, pothuajse dy të tretat e popullsisë së rritur të vendit: ata që e panë ishin të sigurt se Kennedy kishte fituar tashmë, ata që e dëgjuan në radio ishin të bindur, se fituesi ishte Richard Nixon.
Një nga arsyet e lidhjes së jashtëzakonshme me kujtesën e Kenedit, sipas një prej biografëve të tij më të rëndësishëm, Robert Dallek, është pikërisht “martirizimi” i tij. Fakti që një “askush” si Lee Harvey Oswald mund të qëllonte Presidentin e Shteteve të Bashkuara “si një qen në rrugë” dhe të ndryshonte historinë e kombit dhe të botës tronditi jo vetëm Zapruderin, por gjithë Amerikën. Ishte një humbje kolektive e pafajësisë.
Me kalimin e kohës, zbulimet e ndryshme kanë prishur legjendën e Camelotit: problemet e tij shëndetësore, të mbajtura të fshehura edhe nga vëllai i tij Tedi (një kolit i mundshëm spastik, i trajtuar me steroide dhe i degjeneruar në sëmundjen e Addison-it) dhe tradhtitë e vazhdueshme ndaj gruas. Është informacion i dhimbshëm për një brez të tërë. Kennedy përfaqësonte “një lloj optimizmi amerikan”, shpjegon Alexandra Zapruder. Dhe fakti që ai u vra aq i ri, që nuk mundi të përfundonte presidencën e tij, e shndërroi në një figurë heroike. E vërteta është se trashëgimia e tij është e ndërlikuar. Ai iu përkushtua mbi të gjitha politikës së jashtme. Ai ishte i shqetësuar për furnizimin sovjetik me bomba atomike, garën në Hënë, luftën me Moskën dhe Pekinin, për zemrat dhe mendjet e Botës së Tretë.
Ai shmangu luftën me BRSS gjatë krizës së raketave Kubane, por bëri gabime të tilla si katastrofa në Gjirin e Derrave dhe përshkallëzimi i luftës në Vietnam.
Është një trashëgimi e bërë nga momente të përjetshme, si fjalimi i tij “Ich Bin Ein Berliner” i mbajtur në Berlinin Perëndimor më 26 qershor 1963 dhe paqartësi, si marrëdhënia e tij me grushtin e shtetit të organizuar nga CIA kundër presidentit të Vietnamit të Jugut Ngo Dinh Diem, i cili u vra.
Presidenti i parë katolik, JFK, i bindi amerikanët që të mos i frikësoheshin ndërhyrjes nga Vatikani, por ndërhyrja e familjes u përkufizua si “e papërgjegjshme” nga gazetat, kur ai emëroi vëllanë e tij Bobby, si ministër të Drejtësisë. Mbi të drejtat civile, tema e madhe e viteve gjashtëdhjetë, sipas Dallekut ai ishte i ngadaltë në njohjen e shtrirjes së revolucionit social të Martin Luther King-ut dhe afrikano-amerikanëve.
U deshën krizat në Mississippi dhe Alabama për ta bindur të paraqiste në Kongres projektligjin historik të vitit 1963, të cilin nuk do ta shihte kurrë të përfunduar (ai u miratua kur president ishte Lyndon Johnson). “Ajo që Kennedy bëri apo nuk bëri është një pjesë e rëndësishme e historisë, por gjithashtu është fakti që ai mbështeti një sërë vlerash – përparimin, drejtësinë, rolin e Amerikës në botë – që i çuan njerëzit drejt shpresës”, shpjegon Zapruder. “Ishte vizioni idealist se çfarë mund të ishte Amerika. Dhe vrasja e tij shkaktoi, në një çast, shkatërrimin e këtij potenciali”. Shumë kanë vazhduar të teorizojnë se nëse Kennedy nuk do të kishte vdekur, Amerika do të kishte trajtuar ndryshe problemet që hasi nën Johnsonin dhe Niksonin, nga të drejtat civile, deri tek lufta në Vietnam.
“Sot, për mendimin tim, ne po jetojmë në një epokë zhgënjimi në disa aspekte të ngjashme me atë që prindërit e mi përjetuan me vrasjen e Kenedit dhe në vitet e Johnsonit”, përfundon Zapruder. “Brezi im besonte tek Obama dhe se Amerika ishte e destinuar për një të ardhme më të mirë, por më pas ndodhi më e keqja me zgjedhjen e Trumpit, dhe reagimin e së djathtës reaksionare: sulmi ndaj së vërtetës, pandemia, epidemia e dhunës me armë, problemet mendore tek të rinjtë, kriza klimatike. Një Amerikë shumë e ndryshme nga viti 1963. Sot jetojmë në një Amerikë ku zgjohesh disa herë në vit me lajmet e vrasjeve që ndodhin pa arsye. Gjithçka duket e pamotivuar, ne nuk e dimë pse ndodhin gjërat dhe, kur përpiqemi të zgjidhim kaosin, e gjejmë veten me pyetje të tjera”.
Të tjerë besojnë se trashëgimia e Kenedit, presidenti më i ri i zgjedhur, u mor nga Joe Biden, më i moshuari. Nancy Pelosi, një kongresmene 83-vjeçare dhe ish-kryetare e Dhomës, kujtoi në një intervistë të fundit me Corriere della Sera se në fjalimin inaugurues, të cilin e pa live, JFK tha: “Qytetarë të botës: Mos pyesni se çfarë mund të bëjë Amerika për ju, por çfarë mund të bëjmë ne së bashku për lirinë e njerëzimit.” / “Oggi” – Bota.al