Personazhe

Joe Bonanno: Kush ishte mafiozi që frymëzoi filmin “Kumbari”

Screen Shot 2015-12-25 at 10.10.21 PM

20 vite më parë, ai i kënaqur ritregoi jetën e tij: “Të tjerët nuk janë më kështu që unë mund të tregoj jetën time dhe të tyren”. Të tjerët qoftë miqtë, qoftë armiqtë e bënë Nju Jorkun dhe Amerikën të dridhej. Frank Costello, Vito Genovese, Albert Anastasia, John Gambino, Joe Gallo, Lucky Luciano ishin në luftë të përjetshme për fronin e “Kumbarit të kumbarëve”.

Bonanno (i njohur nga të gjithë si Joe Bananas), vdiq në moshën 97-vjeçare. Ai gati sa nuk qeverisi Cosa Nostra-n, por kur paqja mafioze u copëtua ai vendosi të largohej nga Nju Jorku duke emigruar në Arizona. Që nga 1981 jetonte i vetëm në një shtëpi të madhe. Kukulla dhe kujtime në çdo cep të saj. Gruaja kishte pak kohë që e kishte lënë.

Si një arkivues që ishte, ruante dokumentat e jetës: “Nuk është jeta që tregojnë gazetat, apo libri i Gay Taleses ‘Nderoni Atin’. As nuk i ngjan teatrit të shpikur nga Mario Puzo. Edhe filmin me Marlon Brando-n nuk kam dashur ta shoh kurrë. Jetën e kam përballuar me respektin që emri im ka, dhe krenarinë e të bërit pjesë te miqtë më të besueshëm”.

Prapa dritares, ndodhet shkretëtira e nxehtë. Të fshehur nën pluhur, rojat e policisë nuk kanë rreshtur kurrë së spiunuari. Bonanno thoshte duke qeshur: “Shkatërroj edhe urimet e nipit tim Joseph. Për t’i zemëruar. Ata përpiqen të kuptojnë se ndoshta nën një përqafim të pafajshëm fshihen mesazhe të koduara”. Giuseppe Bonanno u largua për në Bruklin në vitin 1922, në kohën kur prefekti Mori po përgatiste fundin e ‘shoqërisë së nderuar’. Giuseppe nuk ishte i pari mafioz në familjen e tij. Babi, gjyshi dhe stërgjyshi i tij ishin burra të nderit dhe të jashtëligjshëm.

Joseph Bonanno ishte i bukur, elegant, e fliste pak. Studoi në Castellammare. Ai citonte shpesh Makiavelin. “Nju Jorku i viteve 50’ më dukej sikur isha ulur në një vullkan”. 5 familje italo-amerikane kishin kontroll mbi çdo gjë. Këtu filloi lufta. 10 vite të përgjakshme. Në tetor të vitit 64’ atij iu organizua një kurth. Ai zbriti nga një taksi në Park Avenue. Binte shi, dhe dy persona e qëllojnë pas krahëve. Bonano kupton, nuk proteston.

Për 19 muaj FBI-ja, Interpoli, CIA dhe shërbimet sekrete italiane e franceze përpiqen të kuptojnë nëse është gjallë a ka vdekur. Vetëm Billi, djali i tij, merr vesh që është mirë. Mes tyre ekziston një marrëveshje. Duhet të takoheshin çdo tre të marta, në 8 të darkës, në një kabinë telefoni në Long Island. Pas një viti telefoni bie dhe një zë që Billi nuk e njeh thotë: “Do të kthehet”. Kthehet më 17 maj të 1966-s në një kohë kur lufta mes klaneve kishte shkatërruar perandorinë Bonanno.

Një zotëri me kapele dhe rroba të gjera të zeza, hyn në sallën 318 të Gjykatës Shtetërore të Foley Square dhe tha: “Quhem Joseph Bonanno. Mora vesh se donit të më merrnit në pyetje”. E bëjnë këtë gjë për javë me rradhë. Joe-ja nuk i përgjigjet Amendamentit të Pestë. Mban të veshur të njëjtën xhaketë, të njëjtën këmishë dhe çdo gjë tjetër që mbante kur e larguan. Ku? Kur i bënë këtë pyetje, ai qeshi duke thënë: “E kujt i duhet tani?”. Në moshën 97 vjeçare u largua me shumë mistere. Asnjë kapobandë nuk i ngjan deri më sot. E gjithë bota e krimit, në një farë mënyre pak romantike, vdiq bashkë me të.

 Jeta

Joseph Bonanno, i lindur si Giuseppe Bonanno, dhe i ashtuquajturi Joe Banananas (18 janar 1905 – 12 maj 2002), ishte një kriminel italo-amerikan, i lidhur me Cosa Nostra-n amerikane. Ai lindi në Castellammare, një provincë e Trapanit në Itali. Babai i Bonannos, Salvatore, bënte pjesën në organizatën mafioze lokale dhe në vitin 1908 u transferua së bashku me familjen e tij, për t’i shpëtuar një dënimi, për t’u rikthyer më pas në Siçili në vitin 1911 për shkak të shpërthimit të një grindjeje në Castellammare me bandën rivale të Buccellato-s, e cila përfundon në 1913 kur Salvatore Bonanno vret kapon Felice Buccellato. Në vitin 1915 Bonanno mbetet jetim pasi i babai i tij Salvatore vdes nga një atak kardiak, dhe pas 5 vitesh humbet edhe mamanë. Gjatë kësaj kohe ai ndiqte Institutin Detar të Palermos për disa muaj.

Në 1924-n Bonanno skedohet si një antifashist së bashku me kushëririn e tij Pietro Magaddino, dhe për të lënë prapa krahëve këtë proces, transferohet si klandestin së pari në Kubë e më pas në Florida, dhe në fund në Bruklin. Këtu (në Bruklin), ai arrestohet për armëmbajtje pa leje por lirohet sepse akuzat ndaj tij u tërhoqën. Ai bashkohet me disa bashkatdhetarë të udhëhequr nga mafiozi Salvatore Maranzano, i cili shkaktoi “Luftën Castellammarese” kundër Joe Masseria, kapo i Familjes Morello. Joe Bonanno bëhet zëvendës-kapo i Maranzano-ve.

I dalë fitimtar nga konflikti i vitit 1931, Maranzano nominohet “Capo dei Capi” (Kapo i kapove), por vritet me urdhër të Lucky Luciano-s. Atëherë Bonanno merr komandën dhe u bë koleg me Luciano-n duke u bërë pjesë e “Komisionit” (organizata që udhëhiqte Cosa Nostra-n). Pasi mori në dorë kontrollin e Familjes, Bonanno zgjedh si zëvendës të tij kushëririn Frank Garofalo, kurse mikun dhe kolegun e tij John Tartamella si këshillues.

Pas kontrollimit të fajdeve dhe lotarive klandestine në Bruklin, ai mori nën kontroll edhe restorantet dhe bizneset për pastrimin e parave të pista. Në 1931 u martua me Fay Labruzo, motrën e një tjetër kapoje të mafias, me të cilën pati dy djem dhe një vajzë. Atij iu dha nënshtetësia amerikane në vitin 1945. Në vitin 1952 Bonanno, zgjodhi këshilltarin e ri Carmine Galante, në Montreal të Kanadasë, për organizimin e trafikut të drogës, në bashkëpunim me kalabrezin Vic Cotroni. Në vitin 1956, fëmija i parë i Bonanno-s, Salvatore, martohet me Rosalie Profaci-n, mbesën e Joe Profaci-t, kapo i Familjes, gjë që çoi në përforcimin e aleancës midis dy Familjeve.

Në vitin 1957 Bonanno realizoi një udhëtim në Siçili, i shoqëruar nga Carmine Gelante, dhe nga data 12-16 tetor, mori pjesë në disa takime që u mbajtën në Grand Hotel des Palmes në Palermo, me John Bonventre-n dhe Frank Garofalo-n, eksponentë të Familjes së tij, dhe mafiozë të tjerë amerikanë (Lucky Luciano, Santo Sorge, Vito Vitale dhe John di Bella, eksponentë të Familjes Genovese në Nju Jork).

Në takim kishte dhe siçilianë të tjerë si Gaspare Magaddino, Cesare Manzella dhe Giuseppe Genco Russo. Hetuesit dyshonin se takimi i tyre kishte të bënte me trafikimin e drogës. Operacioni policor që u bë në Kubë në vitin 1956-1957 ndaloi mafiozët siçilianë dhe amerikanë në përpunimin e heroinës. Sipas bashkëpunuesit të drejtësisë Tomasso Buscetta, gjatë takimeve të Bonanno-s diskutohej për krijimin e “Komisionit” të mafiozëve siçilianë e amerikanë, ku dhe duhej të vihej rregull.

Pak kohë më pas, Bonanno mori pjesë në një mbledhje në Nju Jork, sëbashku me të gjithë Familjet mafioze të Amerikës, por takimi u zbulua nga policia lokale, që arrestoi shumë pjesëmarrës, përfshi dhe Bonannon, por që më pas u lirua për mungesë provash. Pas vdekjes së Joe Profaci-t në 1962-shin, zëvendës-kapo Joseph Magliocco merr komandën e Familjes së tij dhe u prezantua tek Bonanno si pasardhësi i tij. Bonanno dhe Magliocco, konsideronin të rrezikshëm për ta, Carlo Gambino-n dhe Gaetano “Tommy” Lucchese-n, pjesë të familjeve të tjera mafioze, sepse ata ishin bashkëpunëtorë më disa armiq të Magliocco-s.

Ata vunë mafiozin Joseph Colombo për t’i vrarë. Colombo preferoi t’i informonte Gambinon dhe Luchessen duke bërë që Bonanno dhe Magliocco të dilnin para “Komisionit”. Bonanno nuk u prezantua kurse Magliocco u detyrua t’ia linte të gjithë pushtetin e familjes së tij Joseph Colombo-s.

Bonanno pas kësaj, sajoi një ngjarje, duke i bërë të tjerët të besonin se e kishin vrarë. Kurse në realitet ishte larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe kishte shkuar refugjat në Tunizi. Në të njëjtën kohë Gaspar di Gregorio merr kontrollin e familjes së Bonannos, i mbështetur nga Gambino, Luchesse dhe të tjerë anëtarë të “Komisionit”. Por aty u përball me djalin e parë të Bonanno-s, Salvatore, i cili kërkonte rikthimin e kapos së vjetër. Në vitin 1966 Bonanno iu dorëzua autoriteteve, dhe pas një ataku në zemër në vitin 1968 preferoi të tërhiqej nga jeta e tij mafioze bashkë me djalin e tij, Salvatore, në shtëpinë e tij në Arizona. Në vitin 1980 Bonanno u arrestua për pengim të drejtësisë, dhe u dënua me 5 vjet burg, por bëri vetë 8 muaj për shkak të problemeve me shëndetin.

Në vitin 1983 ai u përpoq të rindërtonte imazhin e tij duke publikuar autobiografinë “Një burrë nderi”, e shkruar nga një bashkëpunëtor i tij. Kjo gjë shtyu gjykatën ta merrte në pyetje për disa fakte të shkruara në libër. Bonanno refuzoi të paraqitej, dhe u dënua me 14 muaj burg. Ai vdiq në shtëpinë e tij më 12 maj 2002, në moshën 97-vjeçare./Tirana Observer

Leave a Reply

Back to top button