Bota

Jubile në kohë krize

Një ditëlindje jubilare, e pa kurfarrë shkasi për festime të mëdha. Kjo në një kohë kur BE mund të konsiderohet si një histori suksesi. Kriza e tanishme është një shans, mendon Alexander Kudascheff

Bashkimi Evropian është në krizë. Por a është kjo kriza më e thellë që nga themelimi para 60 vitesh? Kështu duket – ndonëse në vitet 1980-të është folur për një dekadë krize. Asokohe flitej për sklerozën e tejkaluar nga Presidenti i atëhershëm i Komisionit Jaques Delor. Ai kishte nisur të krijojë tregun e brendshëm. Dhe ai nuk fliste për ndonjë “hap historik”, por për një projekt prej 300 hapash, që në fund duhet të rezultojë me një treg të brendshëm. Por Bashkësia Ekonomike e atëhershme paraqiste vetëm një mundësi politike, e cila mund të realizohej nga Brukseli. Diçka e tillë sot është e papërfytyrueshme.

Një ndryshim i madh pas luftës

Zhvillimet që kanë çuar deri tek krijimi i Bashkimit Evropian konsiderohen si shumë të rëndësishme pas Luftës së Dytë Botërore. Në fillim ishin vetëm gjashtë anëtare e më vonë u pranuan edhe Britania e Madhe, Spanja, Portugalia dhe Greqia. Ndërsa sot BE numëron 28 anëtarë, por Britania e Madhe ka vendosur vitin e kaluar me referendum të dalë nga BE.

“Brexit-i” nuk simbolizon vetëm krizën e tanishme. Fjala është për vendimin e një populli në referendum, që askush nuk ka mundur ta përfytyrojë më parë. Prej atëherë, kriza e BE është thelluar edhe më shumë, sepse evropianët kanë nisur të dyshojnë në vetvete.

Forcat populiste kanë marrë hov. Franca, Holanda, Italia dhe Gjermania po përballen me forca ultra të djathta, të cilat kërkojnë heqjen e BE dhe të Euros. Shyqyr Zotit, kjo nuk është shumica. Por kemi të bëjmë me ithtarë të kthimit tek pseudo-ideali i shteteve nacionale. Megjithë madhësinë e tij, BE mund të konsiderohet si një histori e madhe suksesi. Ai garanton paqen në Evropë, dhe çfarë rëndësie ka kjo, po shihet më së miri në Ukrainë. Tregu i brendshëm dhe tregtia e lirë kanë mundësuar një mirëqenie të jashtëzakonshme. Solidariteti i vendeve të pasura me ato në zhvilim e ka zvogëluar dukshëm nivelin e dallimeve. Shumica e njerëzve mund të udhëtojnë pa probleme në vendet e tjera, të studiojnë dhe jetojnë ku të duan. Ajo që para 60 vitesh dukej si utopi, pas shkatërrimeve të tmerrshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Asokohe askush nuk do ta besonte një gjendje si sot.

Nevoja e të menduarit për të ardhmen

Është e saktë: BE sot rregullon më tepër se duhet gjëra dhe nuk është i afërt me qytetarët sa duhet. BE nuk është në gjendje që t’i qartësojë qëllimet e veta. Brukseli konsiderohet si një anije kozmike. Euro nuk po funksionon ashtu siç do të duhej dhe siç kanë shpresuar baballarët e tij. Ka probleme edhe me kufirin e jashtëm. Ka dhe probleme të brendshme, sepse disa vende janë pranuar tepër herët në BE. Ndërsa qeveritë nacionale janë të mbingarkuara me zhvillimet e domosdoshme të institucioneve të BE, që shpesh ka shkaktuar edhe bllokada.

Evropianët duhet të mendohen për këto gjëra. Por edhe duhet të konstatojnë se sa mirë i ka punët kontinenti i vjetër. Sa për ilustrim, mijëra të rinj nga shumë vende të Evropës janë ndërlidhur për të “matur pulsin e Evropës” si kundërpeshë e kundërshtarëve të BE. Në Francë ka shanse të fitojë Emmanuel Macron, një evropian i përbetuar. Në Gjermani Angela Merkel dhe Martin Schulz kandidojnë për postin e kancelarit, por të dy janë evropianë të papërmirësueshëm. Ndaj ekziston shpresa reale se boshti gjermano-francez do të shndërrohet sërish në një motor të Evropës. Kriza paraqet një shans. / Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button