Unë kam zgjedhur të jem dhe jo të dukem. Arsyeja është e thjeshtë: Kam vendosur të jem gruaja që kam ëndërruar gjithmonë. Një grua e fortë, por që di të pranojë dobësitë e saj. Një grua unike, e cila ka parë brenda vetes, e cila ka identifikuar qoshet më të fshehta e të mprehta të personalitetit të saj dhe i ka zbutur ato.
Unë jam një grua që kam zgjedhur të mos jetë gjithmonë e patëmetë, e përsosur në çdo situatë, asnjëherë jashtë vendi, me fjalët e duhura, me veshjen perfekte për çdo rast, me taka në ahengje, me makiazhin e duhur – ajo që është por nuk duket – gjë që lartëson pamjen dhe e bën atë më të bukur.
Kam zgjedhur të mos ndjek modën, të mbaj atë që më pëlqen, të mos bëj grim nëse nuk dua, që lëkura ime me disa rrudha në sy të mos më shqetësojë, lëre më të tjerat. Kam vendosur të mos vesh më taka, të mbaj ato këpucë të rehatshme që më lejojnë të eci dhe të zbuloj qoshet e fshehura të qytetit tim, të humbas në rrugica dhe të dal më e pasur dhe plot hijeshi.
Unë jam një grua që preferoj një mbrëmje nën shoqërinë e miqve, atyre të vërtetë, në vend të një feste super joshëse, një grua që e ka kuptuar që duhet shumë pak për të qenë e lumtur.
Nuk dua të jem një grua që nuk di të kërkojë ndihmë, një grua e fortë me çdo kusht, gjithmonë e gatshme të shpëtojë të gjithë dhe të marrë përsipër problemet e të tjerëve. Kam zgjedhur të dëgjoj nevojat e mia, të ndjek ëndrrat dhe pasionet e mia. E kam kuptuar që mund të jem gruaja që dua, e vetmja të cilës duhet t’i përgjigjem: Unë nuk kam nevojë domosdoshmërisht për një burrë që të ndihem e plotësuar, unë mund të biem e të ngrihem, të bëj gabime dhe të korrigjoj shënjestrën, sepse edhe kjo është jeta.
Shumë herë kam ndjekur imazhin e një gruaje që nuk isha, e përkushtuar për t’i dhënë shumë peshë gjykimve të të tjerëve, për të dëgjuar njerëz që nuk më lejuan të isha vetja, duke hequr dorë nga liria ime. Zgjodha të jem ndryshe, e guximshme dhe rebele, të shpreh idetë e mia, edhe nëse nuk ndahen nga të tjerët, për të mos qenë më skllave e marrëdhënieve toksike dhe të rrethohem me miq të vërtetë: Vendosa të vendos lumturinë time në radhë të parë. / meb.al