Izraeli ka qenë i shqetësuar prej kohësh, se fuqitë botërore do të negocionin një marrëveshje të keqe me Iranin. Por marrëveshja e njoftuar të martën në Vjenë, është befasuese në lëshimet e saj ndaj një regjimi iranian, që është sponsori kryesor i terrorizmit në botë, gjendet në mesin e një marshimi për pushtimin e Lindjen e Mesme, është përgjegjës për vrasjen dhe plagosjen e mijëra ushtarëve amerikanë, dhe zotohet e punon për të asgjësuar shtetin hebre.
Ekzistojnë 4 probleme madhore me këtë marrëveshje. Së pari, ajo i lë Iranit një infrastrukturë të madhe bërthamore. Kjo nuk është marrëveshja e shpresuar, për “çmontim për shkatërrim”, pas të cilës regjimi i sanksioneve do të shpërbëhej, në këmbim të shkatërrimit të aftësive të Teheranit për të prodhuar armë bërthamore.
Përkundrazi, kjo marrëveshje i lë në thelb të paprekura, aftësitë bërthamore të Iranit (përveç përjashtimit të dukshëm të konvertimit të ujit të rëndë në centralin e Arakut). Në fakt, kjo marrëveshje i mundëson Iranit t’i përmirësojë aftësitë ekzistuese, me kryerjen e kërkimeve dhe zhvillimin e centrifuga të avancuara, si dhe ndërtimin e raketave balistike, qëllimi i vetëm i të cilave është transportimi i mbushjeve bërthamore.
Për të mbajtur nën kontroll, ambicjen e Iranit për armë bërthamore gjatë dekadës së ardhshme, vendet e P5 + 1 – 5 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB plus Gjermania – do të mbështeten tek shërbimet inteligjente dhe inspektorët ndërkombëtarë. Këtu, sfondi historik nuk të lë një shije të mirë.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, kanë 2 prej agjensive më të mira të inteligjencës në botë. E megjithatë, u desh të kalonin shumë vite, para se të kuptohej se Irani kishte baza të fshehta ushtarake në Natanz dhe Fordow. Sa për inspektimet, Irani mashtruar për vite me rradhë Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, dhe ka refuzuar vazhdimisht të bëjë transparencë mbi dimensionet e mundshme ushtarake të programit të tij bërthamor – një angazhim ky që Irani e shmangu sërish edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
Duke patur parasysh këtë histori mashtrimesh, është veçanërisht shqetësuese që rregjimi i premtuar i sanksioneve, sipas motos “në çdo kohë dhe kudo”, ka degjeneruar në atë që është përshkruar me vend si inspektime “ndonjëherë dhe diku”.
Problemi i dytë me këtë marrëveshje, është se kufizimet që i vendosen programin bërthamor të Iranit janë vetëm të përkohshme, me kufizimet më të rëndësishme që skadojnë pas 10 vjetësh. Nuk ka kurrëfarë lidhje, mes heqjes së këtyre kufizimeve dhe sjelljes së Iranit.
Brenda 10 vjetësh, Irani mund të bëhet edhe më agresiv në drejtim të fqinjëve të tij, duke sponsorizuar edhe më shumë terrorizmin në të gjithë botën, dhe punojë edhe më shumë për të shkatërruar Izraelin, dhe ndërkohë kufizimet mbi programin bërthamor të Iranit do të hiqen automatikisht.
Një Iran shumë më i rrezikshëm, do të lejohet atëherë ligjërisht të ndërtojë një program masiv për pasurimin e uraniumit, çka do ta vendoste atë vetëm disa javë larg nga të paturit e materialeve të zbërthyeshme për një arsenal të tërë bërthamor. Siç e ka pranuar vetë Presidenti Obama, atëherë koha e reagimit do të jetë “pothuajse afër zeros”.
Kjo është arsyeja, pse kjo marrëveshje nuk do të bllokojë rrugën e Iranit drejt një bombë bërthamore. Ajo ia shtron rrugën. Duke rënë dakord për kufizime të përkohshme ndaj programit të tij bërthamor sot, Irani ka spastruar rrugën për më shumë bomba bërthamore nesër. Për më tepër, nuk ka nëvojë të mashtrojë apo hyjë më forcë në klubin bërthamor. Sipas kësaj marrëveshje, ai thjesht mund të vendosë ose jo për të shkuar drejt saj.
Kjo çon drejt problemit të tretë që ka kjo marrëveshje. Për shkak se shtetet në të gjithë rajonin tonë e dinë, se marrëveshja i hap rrugën Iranit për bombën bërthamore, disa prej tyre do të garojnë për të patur edhe ata armë të tilla. Rajoni më i rrezikshëm në botë, do të bëhet pafundësisht më i rrezikshëm.
Terrorizmi bërthamor dhe lufta bërthamore, do të kenë shumë më tepër gjasa të ndodhin. Në fakt, në qoftë se dikush donte t’i heqte diçka thelbësore regjimit global të mospërhapjes bërthamore, kjo marrëveshje është padyshim një bazë e mirë për të filluar.
Së fundmi, marrëveshja transferon në arkën e regjimit iranian 150 milionë dollare, që aktualisht janë të ngrira në llogaritë e huaja bankare. Irani ka një ekonomi prej 300-400 miliardë dollarësh. Një burim fitimi prej150 miliardë dollarësh në para të thata për regjimin, është e barabartë me një derdhje prej 8 mijë miliardë dollarësh në thesarin amerikan.
Këto fonde, s’ka gjasa të shpenzohen në qendrat e reja kërkimore për luftën kundër kancerit në Teheran, apo në financimin e rikthimit të anëtarëve të Gardës Revolucionare iraniane. Në vend të kësaj, dhjetëra miliarda dollarë ka të ngjarë të shkojnë në drejtim të milicisë shiite në Irak, regjimit të Asadit në Siri, Huthive në Jemen, Hezbollahut në Liban, grupet terroriste palestineze në Gaza, si dhe grupe të tjera terroriste në rajon.
Më shumë miliarda, do të shkojnë për forcimin e rrjetit global terrorist të Iranit, të cilat ai i ka përdorur për të kryer sulme terroriste në të 5 kontinentet dhe në më shumë se 30 qytete, nga Buenos Aires në Argjentinë në Burgas të Bullgarisë dhe deri në Bangkok të Tajlandës.
Në vend se ta detyrojë Iranin të përballet, me zgjedhjen e vështirë mes armëve apo gjalpit, kjo marrëveshje do t’i mundësojë që të ketë armë më të rrezikshme, më shumë raketa vdekjeprurëse, dronë më të sofistikuar dhe kapacitet kibernetik më shkatërrimtar.
Heqja e embargos së armëve ndaj Iran zmadhon rreziqet.
Çdo njëri nga këto probleme, do të jetë i mjaftueshëm për ta bërë këtë një marrëveshje të keqe. Por të katërta këto arsye, e bëjnë këtë marrëveshje një katastrofë të përmasave historike. Izraeli do të fitonte më shumë, nëse çështja bërthamore iraniane do të zgjidhej në mënyrë paqësore. Por ky nuk është rasti.
Përkundrazi, kjo marrëveshje i përkeqëson më tej gjerat, duke rritur shanset e luftës konvencionale me Iranin dhe grupet terroriste të ndihmuara prej saj, dhe në mënyrë dramatike rrit shanset e një Irani me armë bërthamore dhe një Lindje të Mesme të bërthamorizuar nesër.
Shënim: Ron Dermer është ambasadori i Izraelit në Shtetet e Bashkuara.
The Washington Post – Bota.al