Deborah Orr
Kjo ka qenë një tjetër ditë e tmerrshme, me terror, ashtu si janë shumica e ditëve, diku në planet. Sa më pranë shtëpisë tonë që ndodh, kudo ku ne jemi, aq më shumë na frikëson dhe na tmerron, dhe aq më shumë domethënie shohim ne tek këto ngjarje. Kjo është e natyrshme. Por është gjithashtu një arsye madhore përse funksionon terrorizmi. Dhe prandaj vazhdon të ndodhë. Diku. Përditë.
Mesazhi i xhihadistëve për njerëzit që dëgjojnë më shumë për viktimat e një sulmi në Belgjikën e largët, se sa dëgjojnë për një sulm në tregun më të afërt është ky: “E shihni? Atyre u bëhet vonë për veten e tyre. Por atyre nuk u bëhet vonë për ju”.
Njerëzit shohin kryesisht përmes kësaj retorike. Ata e dinë se, njerëzit që thonë këto gjëra, janë ata që gëzohen prej vuajtjeve, kaosit dhe urrejtjes. Por ata që janë aq të dobët sa të shohin një farë kuraje tek terrorizmi, sado të vogël, janë shënjestrat e vërteta të këtyre mesazheve.
Vrasja dhe sakatimi i njerëzve rastësorë, dëshpërimisht të pafatë që bëjnë jetën e tyre të përditshme? Nuk është ky qëllimi. Eshtë vetëm mjeti për të arritur qëllimin. Terrorizmi funksionon, sepse ai i përcan të gjithë ata që i mbijetojnë, duke na polarizuar, duke na kërkuar që të marrim njërën anë. Terrorizmi na radikalizon.
Ne dëgjojmë pafundësisht se si i radikalizon myslimanët. Por ai radikalizon gjithë llojet e njerëzve, në gjithë llojet e mënyrave. Europa është në luftë kundër terrorizmit? Europa është në luftë me një bandë shumë të shpërndarë kriminelësh të dhunshëm, që nuk duan asgjë më shumë se sa të shihen si sovranë dhe legjitimë? Europa është në luftë me popuj që, mbi cdo gjë tjetër, duan të provokojnë luftë?
Si mund të zgjedhin rrugën tonë përmes rrënojave që sulmet terroriste lënë pas, ashtu sikurse lënë pas trupa njerëzorë të copëtuar, pa tingëlluar si apologjet, apo si një imperialist luftëdashës? Të dy qasjet ndezin më shumë një krizë edhe kështu të frikshme të njerëzimit, një krizë që po dëmton politikat tona, duke nxitur racizmin, urrejtjen dhe izolacionizmin, duke ushqyer demagogë dhe luftëdashës, si dhe duke shkatërruar cdo vlerë njerëzore, liberale, të hapur, që mund të na ndihmojë t’i rezistojmë asaj të cilës i frikësohemi më shumë.
Sigurisht, është brenda urtësisë së botës që të gjejmë terrenin e përbashkët, me qëllim që të jemi të bashkuar kundër prodhuesve dhe shitësve të urrejtjes, vdekjes dhe tragjedisë.
Një proces i të vërtetës dhe pajtimit do të jetë i gjatë, i vështirë, kompleks dhe i kushtueshëm. Por po kështu është edhe lufta e pafund, pakënaqësia dhe urrejtja. Dhe nëse vazhdojmë në rrugën e dytë, atëherë terroristët do të fitojnë, cdo herë.
Për të nderuar të gjithë viktimat e terrorizmit, kudo, përditë, është koha të fillojmë të përpiqemi.
The Guardian – Në shqip nga bota.al