Thonë se frika është “provë e rreme, e cila duket e vërtetë”, dhe nuk është çudi që njerëzve në përgjithësi nuk u pëlqen ta ndiejnë atë. Sigurisht, disa thonë se frika ua rrit adrenalinën dhe i lejon të performojnë në kulmin e tyre, duke qenë nën presion. Por për shumë njerëz të tjerë, frika është një element paralizues. Ata nuk dinë ta trajtojnë dhe ta shmangin atë. Marrin vendime jo optimale, vetëm për të mos e ndjerë. Problemi është se shpërblimet në përgjithësi nuk vijnë pa të paktën njëfarë rreziku.
Për më tepër, frika mund të jetë e mirë për ju – shumë e mirë! Të ndjerit e atij stresi është një mundësi për të identifikuar saktësisht se çfarë ju shqetëson, dhe pse. A është vendimi i biznesit që po përpiqeni të merrni me të vërtetë ai që ju shkakton frikë, apo është diçka e lidhur me të, që ju mban larg nga marrja e vendimit të duhur? Përballja me frikën tuaj është një shans për rritje personale dhe profesionale. Zhdukja e dyshimeve tuaja mund t’ju japë gjithashtu qartësi se çfarë duhet të bëni për të hedhur hapin tjetër.
Ja disa thënie që eksplorojnë dobitë e shumta të frikës:
“Halloween e mbështjell frikën me pafajësi, sikur të ishte një gjë e hidhur dhe e ëmbël njëkohësisht. Lëreni, terrorin, pra, të shndërrohet në një karamele …” – Nicholas Gordon
“Unë u çlirova sepse frika ime më e madhe ishte realizuar. Unë ende kisha bijën time që e adhuroja. Unë kisha një makinë shkrimi të vjetër dhe një ide të madhe. Dhe kështu, fundi u shndërrua në një themel të fortë mbi të cilin rindërtova jetën time”. – J.K. Rowling
“Mësova se guximi nuk ishte mungesa e frikës, por triumfi mbi të. Njeriu trim nuk është ai që nuk frikësohet, por ai që e pushton frikën.” – Nelson Mandela
“Vetëm se nuk mund ta shoh, nuk do të thotë që nuk mund ta besoj!” – Jack Skellington
“Kujtimi që do të vdes së shpejti është mjeti më i rëndësishëm që kam hasur ndonjëherë, për të më ndihmuar të bëj zgjedhjet e mëdha në jetë. Sepse pothuajse gjithçka – të gjitha pritshmëritë, të gjitha krenaritë, e gjitha frika nga turpërimi ose dështimi – këto gjëra thjesht shemben, përballë vdekjes, duke lënë pas vetëm atë që është me të vërtetë e rëndësishme”. – Steve Jobs
“Frika është burimi kryesor i besëtytnisë dhe një nga burimet kryesore të mizorisë. Të pushtosh frikën është fillimi i mençurisë” – Bertrand Russell
“Asgjë në jetë nuk duhet të kihet frikë. Vetëm të kuptohet. Tani është koha për të kuptuar më shumë, në mënyrë që të kemi frikë më pak” – Marie Curie
“Shumë njerëz mendojnë për sigurinë në vend të mundësive. Ata duket se kanë më shumë frikë nga jeta sesa vdekja” – James F. Byrnes
“Nga të gjithë gënjeshtarët e botës, ndonjëherë më të këqiat janë frikërat tona” – Rudyard Kipling
“Ne jemi më shpesh të frikësuar se sa të lënduar; dhe vuajmë më shumë nga imagjinata sesa nga realiteti” – Seneca
“Frika mposht më shumë njerëz se çdo gjë tjetër në botë” – Ralph Waldo Emerson
“Nëse jeni të shqetësuar nga ndonjë gjë e jashtme, dhimbja nuk vjen për shkak të sendit në vetvete, por për vlerësimin tuaj për të; dhe ju keni fuqinë të tërhiqeni në çdo moment” – Marcus Aurelius
“Bëni atë që keni frikë të bëni dhe vazhdoni ta bëni… kjo është mënyra më e shpejtë dhe e sigurt që është zbuluar ndonjëherë për të mposhtur frikën” – Dale Carnegie
“Ju fitoni forcë, guxim dhe besim nga çdo përvojë në të cilën vërtet ndaloni ta shikoni frikën në fytyrë. Ju jeni në gjendje t’i thoni vetes: “Kam jetuar përmes këtij tmerri. Mund të përballoj çdo gjë tjetër që më del përballë” – Eleanor Roosevelt
“Ka një kohë për t’u konsultuar me frikën tuaj, dhe ka një kohë që të mos e dëgjoni fare atë” – George S. Patton
“Një nga zbulimet më të mëdha që bën njeriu, një nga surprizat e tij të mëdha, është të zbulojë se mund të bëjë atë që kishte frikë se nuk mund ta bënte” – Henry Ford
“Ka vetëm një gjë që e bën të pamundur të arrihet një ëndërr: frika nga dështimi” – Paulo Coelho / bota.al