Valbona Zeneli
Profesore e studimeve mbi sigurinë kombëtare në Qendrën Europiane për Studime mbi Sigurinë “George C. Marshall”
Kina është një magnet për kompanitë europiane. Me një vëllim tregtar prej pothuajse 600 miliardë dollarësh, dhe një defiçit tregtar ndaj Kinës prej afro 150 miliardë dollarësh, Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar i Kinës.
Sipas Axhendës Strategjike për Bashkëpënum BE-Kinë, Bashkimi Europian dhe Kina po përpiqen që ta çojnë tregtinë në nivelin 1 trilion dollarë deri në fund të kësaj dekade. Megjithatë, përfitimet e kësaj marrëdhënieje tregtare janë të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë nëpër Europë, me më shumë avantazhe për shtetet në veri të kontinentit.
Kina shihet sikur po e përdor Europën si një gardh mbrojtës ndaj SHBA. Kjo është një arsye përse Kina ka shtuar tashmë blerjen e bonove sovrane në eurozonë. Kina ka investuar gjithashtu në industri strategjike në Europë, si dhe ka futur shumë kapital në tregjet e pasurive të paluajtshme.
Po çfarë mund të thuhet për Kinën dhe vendet e tjerë të Europës Qendrore dhe Lindore? Ndërkohë që interesat e Kinës në rajon janë të shumëfishtë, kompanitë kineze deri më tani kanë investuar vetëm pak miliarda dollarë atje.
Për të rritur bashkëpunimin financiar, gjatë një samiti mes udhëheqësve të Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore u propozua një linjë kredie prej 10 miliardë dollarësh. Po kështu, u fol për krijimin e degëve të institucioneve financiarë kinezë në Europën Lindore.
Kina kërkon tregje të rinj
Kina i sheh vendet e Europës Qendrore dhe Lindore pikësëpari si një treg për industritë e veta strategjike, eksportet, por edhe si një dritare e madhe drejt tregjeve të Europës Perëndimore. Teksa Pekini vazhdoi të kërkojë tregje të rinj, ai bëri një premtim për të dyfishuar tregtinë, ndonëse rritja e importeve të produkteve Europiano qendrorë dhe lindorë në Kinë duket si diçka veçanërisht sfiduese.
Produktet e prodhuar në Europën Qendrore dhe Lindore nuk mund të konkurojnë në çmim me produktet me kosto të ulët që prodhohen në Kinë. Po kështu, kompanitë e rajonit nuk sjellin aq shumë risi sa për të konkuruar në cilësi në tregun kinez.
Kina ofroi gjithashtu të kënaqë nevojat urgjente për infrastrukturë në Europën Qendrore dhe Lindore (si për shembull në hekurudhat e shpejtësisë së lartë, energjinë bërthamore dhe forma të tjera të energjisë, rrugë, porte, telekomunikacion). Përmes investimeve në infrastrukturën e Europës qendrore, Pekini kërkon të përshpejtojë krijimin e një rrjeti portesh, qendrash logjistike dhe hekurudhash për të shpërndarë produktet kinezë dhe forcuar tregtinë Lindje-Perëndim.
Në kërkim të energjisë
Një tjetër kolonë e rëndësishme e politikës kineze të ekspansionit lidhet me plotësimin e kërkesës së sotme dhe të ardhme për mallra, kryesisht duke investuar në vende me burime natyrorë të pasur. Veçanërisht tërheqës është sektori i energjisë në Ballkan. Kompani të mëdha shërbimesh nuk janë të gatshme të bëjnë investime me risk, gjë që i jep disa opsione Kinës. Vende si Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina janë tërheqës për kapacitetet e tyre hidroenergjetikë. Maqedonia, Serbia dhe Kroacia tërheqin investime për shkak të potencialeve të tyre në energjinë e erës.
Në përgjithësi, Kina është e gatshme që të vazhdojë me projekte në sektorët e energjisë bërthamore dhe të erës, telekomunikacionit dhe hekurudhave të shpejtësisë së lartë. Ajo ka rënë dakord tashmë për ndërtimin e një linje hekurudhore të shpejtësisë së lartë që do të lidhë Hungarinë me Serbinë, si dhe ka premtuar të lidhë Rumaninë me Hungarinë.
Po më tej?
Për Pekinin, marrëdhëniet tregtare me Europën Juglindore fokusohen kryesisht në shkëmbimet me vendet më të mëdhenj dhe më të rinj të BE-së. Ekonomitë ende në tranzicion të Europës Juglindore lejojnë Kinën të anashkalojë disa prej rregullave anti-dumping të BE-së, si dhe të eksportojë direkt produktet tek një treg prej 800 milionë banorësh, falë Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë me BE-në.
Në nëntor të vitit 2013, gjatë takimeve të tij në Bukuresht me 16 kryeministra nga vende të Europës Qendrore dhe Lindore, Kryeministri kinez Li Keqiang bëri thirrje për një bashkëpunim të gjerë dhe shumëplanësh, me objektiv dyfishimin e tregtisë dhe investimeve në pesë vite.
Megjithatë, Kina nuk është tamam një partner i lehtë për BE-në. Cështjet më të diskutueshme përfshijnë të drejtat e pronësisë intelektuale, shtrembërimet e çmimeve për shkak të dumpingut, kushtet e pabarabarta për aksesin në tregje, si dhe diskriminimin e kompanive të BE në tenderat qeveritarë kinezë. Dhe brenda Europës, ndonëse Kina dhe BE firmosën një partneritet strategjik në vitin 2004, ka një mungesë mirëkuptimi në Europë në lidhje me politikat strategjike kundrejt Kinës.
Bashkimi i industrisë kineze dhe teknologjisë europiane
Një prej objektivave strategjikë më të rëndësishëm të investimeve të Kinës në Europë është që të angazhohet më shumë me rrjetet e kërkim-zhvillimit në kontinent. Deri në një farë mase, Kina vazhdon të varet prej teknologjisë së Europës dhe SHBA. Kina nuk është ende një central inovacioni, ndonëse shpenzimet e saj për kërkim-zhvillimin po rriten me shpejtësi.
Kina ende shpenzon më pak se gjysma e BE në tërësi dhe vetëm sa një e treta e SHBA për kërkim-zhvillimin. Kompanitë kineze janë shumë të mira në inovacionin gradual, por ata janë prapa shteteve të përparuar sa i përket inovacionit shkëputës.
Më pak se 6% e patentave kineze janë të mbrojtura prej patentave globale, krahasuar me 495 të patentave amerikane. Pesëdhjetë përqind e eksporteve totalë dhe më shumë se 90 përqind e eksporteve të teknologjisë së lartë të Kinës prodhohen prej kompanive të huaja që operojnë aty.
Për Europën, Kina përfaqëson një shans të madh ekonomik. Puna dhe kapitali kinez që funksionojnë në bazë të rregullave dhe teknologjisë europiane – të menaxhuar me kujdes – mund të krijojnë shanse të rëndësishëm për të dy ekonomitë për të ecur përpara. /the globalist/