Rusia ka hyrë në vitin 2016 me një listë të re prioritetesh strategjike, kërcënimesh dhe armiqsh, që bëjnë të parashikohet një tjetër vit plot ngjarje. Në 31 dhjetor, Vladimir Putini firmosi “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare”. Një doktrinë e cila përditësohet çdo gjashtë vjet. Paraardhësja e saj ishte firmosur në vitin 2009, kur në Kremlin “banonte” Dmitry Medvedevi, i cili bashkë me të sapozgjedhurin Obama ishte përpjekur për një “restart” të marrëdhënieve. Tashmë, Obama po hyn në vitin e tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë, dhe Rusia, siç thuhet në dokument, “ka rritur rolin e saj në zgjidhjen e problemeve kryesore ndërkombëtare dhe konflikteve ushtarake”. Dhe pikërisht “Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre” shpallen si kundërshtarët kryetorë, që synojnë “të ruajnë rolin e tyre dominues në çështjet ndërkombëtare, si dhe t’i kundërvihen politikës autonome të Rusisë”.
Akuza për SHBA dhe BE
Rreziqet kryesore, sipas “Strategjisë” vijnë nga Uashingtoni, dhe konsistojnë kryesisht në zgjerimin e NATO-s (që në vitin 2015 i ka hapur dyert Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Gjeorgjisë) dhe në nxitjen e “revolucioneve me ngjyra”, sipas modelit të revolucionit “portokalli” në Kiev. SHBA dhe Europa akuzohen se kanë mbështetur “grushtin e shtetit antikushtetues” në Ukrainë. Pikërisht dje ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Asociim Stabilizimit mes Kievit dhe BE-së, objekt i revoltës në Sheshin Meidan dy vjet më parë: Kremlini ka shtrirë menjëherë edhe ndaj Ukrainës, embargon mbi mallrat ushqimore që ishte zbatuar tashmë ndaj europianëve, duke urdhëruar vendosjen e vulave satelitore për kamionët ukrainas që kalojnë tranzit. Dje kanë nisur edhe sanksionet kundër Turqisë, e mbërritura më e fundit në listën e armiqve, pas rrëzimit të avionit bombardues rus, nga ana e gjuajtësve turq.
Dokumenti i ‘Strategjisë” ndjek gradualizimin e kërcënimeve të doktrinës ushtarake ruse, të një viti më parë, dhe ripërmbledh një 2015 me diplomaci dhe deklarata të bëra nga vetë presidentin Putin, në një vizion strategjik të botës, si një teatër përplasjesh mes fuqive, që duhet të menaxhohet edhe përmes instrumentave si “pengimi bërthamor”. Gjithçka tjetër buron prej këtij supozimi, duke përfshirë edhe ISIS.
Presidenti ka uruar në mesazhin e tij të fundvitit “ushtarakët që luftojnë terrorizmin ndërkombëtar” në Siri, por vademecum-i i tij strategjik pohon që “rritja dhe konsolidimi i ISIS-it janë pasojë e standarteve të dyfishtë që praktikojnë disa vende”. Në konferencën e fundvitit, Putini e kishte quajtur ISIS-in një “fenomen dytësor”, duke i quajtur ushtarët e tij si “mish për top”, të manipuluar për qëllime shumë më tokësore, si trafiku i naftës.
Fushata siriane
Në fushatën e saj ushtarake në Siri, Moska është përqëndruar pikërisht në konsolidimin e Assadit, që SHBA do të donin ta shihnin të rrëzohej, më shumë se sa në sulmet kundër ISIS. Vizita në Moskë e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, në prag të Krishtlindjeve, për të negociuar rolin e Assadit në tranzicionin sirian, është vlerësuar shumë. Më shumë se për përmbajtjen, për tonet: shumë vëzhgues vërejnë se Rusia po trajtohet si partner i barabartë, në një “stabilizim të përplasjes”, siç e quan drejtori i Qendrës Carnegie të Moskës, Dmitry Trenin. Me fjalë të tjera, nuk kërkohen më afërsi por aleanca, problemet menaxhohen duke u nisur nga divergjencat strategjike dhe duke gjetur zgjidhje taktike, siç ndodhi tashmë me marrëveshjen bërthamore me Iranin. Një barazi që Rusia e kërkon prej vitesh.
Pra, armiq si më parë, dhe “Strategjia” përmend kërcënimin amerikan në shumë kontekste, që nga lufta biologjike me “laboratorët ushtarakë të SHBA në vendet fqinje”, deri tek OJF-të armike të vlerave tradicionale ruse. Një vizion që e ndan shumica e rusëve, të cilët ndihen krenarë tani që janë problemi parësor i Uashingtonit. Në vitin “e zi” (përcaktim i vetë Putinit) të ekonomisë, shfaqjet televizive i kanë kushtuar shumë më tepër hapësirë eksodit të imigrantëve në Europë, se sa protestës së kamionistëve dhe shkurtimit të buxhetit, dhe debati i brendshëm u zëvendësua në sondazhe dhe televiziona nga agjenda ndërkombëtare. /La Stampa – Bota.al