Dyndja e refugjatëve po kthehet në një krizë të vërtetë për Bashkimin Evropian. BE-ja kërcënohet nga kriza politike
Bernd Riegert
Është e frikshme të shohësh se sa shpejt dhe tërësisht hidhen poshtë vlerat evropiane nën presionin e krizës së refugjatëve në BE. Ballafaqimi me rritjen e fluksit të refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve nga vendet fqinjë të Evropës do të kthehet në një sprovë vendimtare për BE-në, nëse nuk ndodh diçka së shpejti.
Një qëedrim dinjitoz ndaj refugjatëve, qoftë në Greqi, Hungari apo Gjermani nuk është më i garantuar. Strehimoret e mbipopulluara, banda grabitëse trafikantësh, agjitacion ksenofobik, kampe të egra në stacionet e trenit, tek kanali i Kalesë apo në mes të Brukselit. E gjithë kjo është një realitet i hidhur dhe nuk ka të bëjë me Evropën e solidaritetit dhe të drejtësisë. Edhe kancelarja Angela Merkel nuk duket se ka ndonjë plan. Nga njëra anë, ajo thotë në intervista, “rregullat e Dublinit” nuk funksionojnë më, në anën tjetër ajo insiston që Hungaria, Greqia dhe Italia të respektojnë regullin jofunksional të Dublinit sipas së cilit për refugjatët duhet të kujdeset shteti ku ata hyjnë për hetë të parë në BE.
Dublini vdiq, rroftë kryeneçësia?
Kështu nuk mund të vazhdohet. Gjermania, Austria dhe vende të tjera që strehojnë shumicën e azilkërkuesve, po bëjnë thirrje për një zëvendësim të rregullave të Dublinit dhe një shpërndarje të “drejtë” e azilkërkuesve në të gjitha 28 shtetet anëtare të BE-së. Shumica e shteteve, megjithatë, nuk është prekur nga kriza aktuale dhe për këtë arsye nuk ka asnjë interes për ndryshimin e rregullave apo edhe një kuotë pranimi. Për sa kohë që të gjithë azilkërkuesit duan të shkojnë në Gjermani, Suedi ose në Austri, çdo gjë është në rregull, mendojnë polakët, spanjollët, irlandezët, finlandezët dhe shumë të tjerë. Solidaritet? Asnjë shenjë.
Kështu, sistemi ekzistues ligjor shpërbëhet nën presionin e rrethanave vetëvetiu dhe BE-ja duket e pafuqishme dhe pasive. Qeveria e djathtë hungareze përpiqet t’i përballojë kushtet kaotike me ndihmën e një gardhi ndaj Serbisë dhe lejimin në fakt të paligjshëm të azilkërkuesve për të shkuar në Austri apo Gjermani. Austria dhe Gjermania po mbrohen me protesta dhe duke përforcuar kontrollet. Kancelari austriak kërcënon hapur me pasoja financiare për shkak të mungesës së solidaritetit të anëtarëve të BE-së, që në fund të fundit, bashkëfinancohen nga paguesit nga Austria.
Më lër rehat mua, shko tek fqinjët
Mes shteteve anëtare të BE-së mund të lindin shumë shpejt konflikte dhe të çojnë në kufizimin e lirisë së udhëtimit në të ashtuquajturën “zonë Shengen” dhe rivendosjen e kontrolleve të rregullta kufitare. Në qoftë se nuk mund të mbështetesh tek besnikëria ndaj ligjit në vendet e tjera të BE-së, secili shtet duhet t’i mbrojë përsëri vetë kufijtë e tij. Kjo është logjika që kërcënon arritjet e Evropës. Në lidhje me refugjatët vlen prej kohësh parimi i Shën Florianit. Fale shtëpinë time, vëri zjarrin asaj të fqinjit.
Greqia e tronditur nga kriza e cila shpëtoi vetëm prej solidaritetit të madh evropian nuk ka bërë prej vitesh asgjë për politikën ndaj refugjatëve dhe aty nuk ka as qendra regjistrimi e strehimi dhe as procedura azili. Greqia i dërgon njerëzit për të cilët ajo duhet të jetë në fakt përgjegjëse, në veri dhe i lëshon në rrugën e Ballkanit. Nga Serbia njerëzit shkojnë drejt Hungarisë, edhe pse ata ishin tashmë në BE, pra në Greqi. Deri në një shkallë të caktuar mund ta kuptosh që vetë qeveria hungareze nuk është dakord me këtë. Italia vepron në mënyrë të ngjashme edhe pse në një formë më të zbehtë. Britania përpiqet të bunkerizohet dhe grindet me Francën për të siguruar terminalin e trageteve në tunelin në Kale (Calais). Një tjetër shenjë turpi në mes të Evropës.
Krizë me paralajmërim
Në Evropë nuk ishte askush i përgatitur me të vërtetë për rritjen e parashikuar të numrit të refugjatëve, as edhe Gjermania. Për vite të tëra kapacitetet e strehimeve për refugjatët në Gjermani janë reduktuar dhe qeveria federale dhe qeveritë e landeve po grinden në lidhje me kostot e akomodimit. Qeveria federale ka shumë pak staf në zyrat që vendosin për azil ose refuzim. Edhe në Bruksel pak dëgjon për këtë problem. Komisioni Evropian po zgjohet tani nga gjumi veror dhe thotë se kishte paraqitur një plan dhjetë-pikësh që në muajin maj. Por ky nuk është zbatuar nga shtetet anëtare të BE-së. Edhe pse që atëherë Komisioni tha se në Greqi dhe Spanjë kemi gjendje emergjente, zhvendosja e nevojshme e azilkërkuesve ose e refugjatëve të njohur të luftës nga këto vende për në vendet e tjera të BE nuk është bërë as deri më sot.
Nëse Ministrat e Brendshëm të BE-së, që takohen për 13 ditë, nuk bien shpejt dakord për një reformë të thellë të rregullave të Dublinit, për të ngritur qendra të përbashkëta për azil në shtetet kufitare Itali, Greqi, Hungari, Bullgari dhe një kuotë shpërndarjeje, atëherë BE-ja do të kthehet në statusin e sigurimit kombëtar të kufijve, në epokën e barrierave, gardheve dhe mureve. Kjo, pavarësisht fatit të tmerrshëm të refugjatëve, do të ishte gjendje e jashtëzakonshme për projektin evropian. /DW
Linku: http://www.dw.com/sq/koment-be-ja-para-gjendjes-s%C3%AB-jasht%C3%ABzakonshme/a-18688559