Revolta kishte kohë që ziente. Shtimi i zërave të pakënaqësisë. Protestat kundër masave të kursimit. Rritja e qëndrueshme e partive euroskeptike. Por, edhe përse këto diheshin, tronditja nuk mund të fshihet kur një parti “e thekur” antieuropiane del në krye në Francë. Vetëm pak kohë më parë, “Fronti Nacional” i të djathtës ekstreme ndodhej në skajet e politikës franceze. Kryeministri i Francës, Manuel Valls, nuk u përpoq t’i bëjë bisht pyetjeve për rezultatin. “Eshtë më shumë se sa një lajm… është një tronditje, një tërmet”. Një lajm që bëhet edhe më tronditës nga fakti që Franca – bashkë me Gjermaninë – është një prej arkitekteve kryesore të projektit europian. Tani, Marine Le Pen e Frontit Nacional po e quan “një hap të parë në marshimin e gjatë drejt lirisë”, larg nga BE-ja.
Impakti i krizës së papunësisë
Atëherë çfarë ka ndodhur? Sigurisht, votimi ishte pjesërisht protestë. Partia Socialiste përbuzet gjerësisht dhe papunësia mbetet kokëfortësisht e lartë. Ekonomia e Francës është në stanjacion. Marine Le Pen ka ditur të shfrytëzojë më së miri irritimin prej globalizimit dhe pasigurisë së punësimit. Ajo e kupton frikën nga imigrimi, ndërkohë që në BE 26 milionë vetë janë të papunë. Por duhet thënë që edhe mospjesëmarrja ndihmoi në fryrjen e fitores së “Frontit Nacional”. Këto frikëra patën jehonë edhe në vende si Danimarka dhe Austria, ku e djathta ekstreme doli më e fortë nga zgjedhjet. Sigurisht, ishte kriza ekonomike e Europës që dominoi rezultatet në Greqi. Zgjedhjet u fituan nga partia e majtë radikale Syriza. Fushata e saj u ndërtua përreth kundërshtimit të masave të kursimit dhe paketave të shpëtimit, që sipas eksponentëve të kësaj partie kanë shkaktuar një katastrofë sociale. Udhëheqësi i saj, Alexis Tsipras tha se “udhëheqja europiane na shndërroi ne grekët, në kaviet e krizës”. Megjithatë, duke parë që ekonomia e Greqisë është tkurrur me 26% gjatë pesë viteve të fundit, Syriza duhej të kish marrë një rezultat më të mirë dhe fitorja e saj nuk ka gjasa të rrezikojë koalicionin qeverisës.
Italianët mbështesin reformën
Eshtë interesant fakti që në Itali, ku Matteo Renzi, kryeministri i ri i qendrës së majtë po premton reforma radikale, elektorati i dha atij 40 % të votave. Partia “Pesë Yjet”, e cila bën fushatë kundër establishmentit dhe që udhëhiqet nga komediani Beppe Grillo doli e dyta, me një distancë të madhe. Duket qartë që votuesit janë të etur për reforma. Përshtatur në shqip nga bota.al
Edhe në Gjermani, një vend që mbetet i përkushtuar ndaj BE-së, një parti euroskeptike relativisht e re, “Alternative fuer Deutschland” mori më shumë se 6% të votave – por kjo parti nuk është kundër Bashkimit Europian, por kundër Euros. Pjesëmarrja mbeti sërish në nivelin e 43%-shit. Pavarësisht shpenzimit të fondeve për t’i reklamuar sa më shumë zgjedhjet, pavarësisht nxitjes së idesë që votimi do të zgjidhte edhe presidentin e Komisionit Europian, votuesit europianë nuk u angazhuan gjatë fushatës. Cfarë do të ndodhë tani? Presidenti francez thotë se “duhen nxjerrë mësime”. Të tjerë thonë se 70% e ligjvënësve do të jenë proeuropianë dhe që ata mund të vazhdojnë të përcaktojnë axhendën. Në çdo rast, partitë kundër establishmentit nuk ka gjasa të punojnë së bashku. Tregjeve sigurisht u pëlqyen rezultatet në Itali dhe fakti që këto parti të reja kundër establishmentit nuk do të jenë në gjendje të kërcënojnë veprimtarinë e parlamentit. Europa është e shqetësuar, e paduruar në kërkim të rritjes ekonomike dhe vendeve të punës. Atmosfera është “e thartë”, por jo domosdoshmërisht kundër idesë së vetë Europës. Kështu që, tashmë janë hequr vijat e frontit dhe betejës. Janë ata që këmbëngulin se mësimi i nxjerrë nga zgjedhjet është se Europa duhet të reformohet – që mund të nënkuptojë të bëjë më pak dhe të rikthejë një pjesë të kompetencave tek shtetet anëtarë. Të tjerë e konsiderojnë “unionin edhe më të ngushtë” si fatin e Europës dhe mendojnë që përgjigja qëndron tek një integrim më i thellë. Por Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier tha sot se fitorja e Frontit Nacional ishte një sinjal “i fortë”. “Nuk ka asnjë dyshim”, shtoi ai, “se shumë parti populiste, euroskeptike dhe madje nacionaliste po hyjnë në Parlamentin Europian”. BBC News (http://www.bbc.com/news/correspondents/gavinhewitt/)
Përshtatur në shqip nga bota.al