Stalini ishte ndoshta më i përgatituri nga tre udhëheqësit në Jaltë. Sigurisht, ai ishte më i qartë në lidhje me qëllimet e tij: donte të mposhtte dhe pushtonte Gjermaninë sa më shpejt që të ishte e mundur. Frika që e mundonte, dhe që asnjëherë nuk u kuptua nga Roosevelt dhe Churchill, ishte se aleatët e tij mund të përpiqeshin të arrinin një marrëveshje të veçantë paqeje me Gjermaninë – dhe ndoshta edhe të kthenin ushtritë e tyre të bashkuara kundër tij. Ai urdhëroi policinë e tij që të vendoste përgjues në dy pallatet ku qëndruan Roosevelti dhe Churchilli, në mënyrë që çdo natë agjentët të mund t’i raportonin direkt atij, nëse do të flitej për qëllime të tilla.
Gjatë gjithë konferencës, Stalini theksoi vazhdimisht afërsinë e aleancës midis tre fuqive. Ai theksoi borxhin e gjakut që i detyroheshin dy të tjerat, për shkak të humbjes masive të jetëve që pësuan forcat sovjetike – shumë herë më të mëdha se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA. Diskutimet në lidhje me strategjinë për përfundimin e luftës i dhanë siguri Stalinit, veçanërisht angazhimet britanike dhe amerikane për të ndërmarrë sulme të fuqishime ajrore mbi Berlin, Dresden, Leipzig dhe Chemnitz me qëllim që të pengonin përpjekjet e nazistëve, për transferimin e trupave në frontin lindor, dhe gjithashtu të kalonin lumin Rhine në Gjermani, sapo ta lejonte moti.
Prioriteti tjetër i Stalinit ishte të siguronte dominimin sovjetik mbi Evropën Lindore pas luftës. Ai donte një kordon sanitar shtetesh vartëse në kufi me Bashkimin Sovjetik – një ambicie që pak ndryshonte nga ajo e paraardhësve të tij caristë. Sekretari i jashtëm i Britanisë, Anthony Eden, i cili kaloi shumë orë zhgënjyese në Jaltë duke diskutuar me homologun e tij sovjetik Vyacheslav Molotov – me nofkën Bythë Guri’ për aftësinë e tij për t’u ulur me orë të tëra duke refuzuar të gjitha kompromiset – mendoi se Stalini ishte “shumë më tepër trashëgimtari i Pjetrit të Madh, sesa i Leninit”.
Stalini e dinte që pozicioni në terren ishte në favor të tij. Roosevelt e kishte shtyrë dy herë konferencën, fillimisht e propozuar për verën e vitit 1944, së pari për të bërë fushatë për një mandat të katërt presidencial të paprecedentë, dhe më pas përsëri, deri pas inagurimit të tij në janar 1945. Gjatë asaj periudhe, forcat e Stalinit kishin pushtuar pjesën më të madhe të Evropës Lindore, dhe deri në fund të janarit trupat sovjetike kishin kapërcyer lumin Oder (atëherë në territorin gjerman) dhe ishin shumë pranë. Si një udhëheqës që besonte se “kushdo që pushton një territor gjithashtu imponon sistemin e tij shoqëror”, Stalini synonte të përdorte tërësisht pushtimet e ushtrive të tij.
Ai gjithashtu kishte në plan të vendoste një çmim të lartë, për t’u bashkuar në luftën kundër Japonisë. Kjo përfshinte rikthimin e territoreve lindore dhe atyre të dorëzuara nga Rusia pas humbjes së saj poshtëruese në luftën e 1904–05 me Japoninë. Disa lëshime do të ishin në kurriz të Kinës Nacionaliste, udhëheqësi i së cilës, Chiang Kai-shek, një aleat i madh amerikan, nuk ishte ftuar në Jaltë, ashtu si edhe udhëheqësi francez, Charles de Gaulle. Prioritetet e tjera të Stalinit përfshinin marrjen e dëmshpërblimeve masive nga Gjermania për dëmet e shkaktuara ndaj Bashkimit Sovjetik dhe kthimin e shpejtë të robërve sovjetikë të luftës.
Përfitimet e sovjetikëve
Nga këndvështrimi i Stalinit, konferenca shkoi mirë. Nga fundi i saj, ai i tha i ngazëllyer shefit të tij të sigurisë, Lavrentiy Beria, se kishte arritur qëllimet e tij dhe kishte lëshuar shumë pak. Në Evropën Lindore, me ndihmën besnike të Molotovit, ai zhgënjeu përpjekjet e Roosevelt dhe Churchill për të siguruar marrëveshje për një qeveri të re polake të zgjedhur demokratikisht. Për luftën e Paqësorit, protokolli i fshehtë që ai u dakordësua me Rooseveltin, dhe të cilin më pas Churchilli e pranoi, i dha lëshimet territoriale që dëshironte.
Për të burgosurit e luftës, ai mori dakordësinë e Rooseveltit dhe Churchillit – të shqetësuar për trajtimin e robërve të tyre të luftës që ishin në duart e sovjetikëve – që të burgosurit sovjetikë do të ktheheshin me shpejtësi në atdheun e tyre. Siç pretendonte Stalini, këta përfshinin Kozakët dhe të tjerët që kishin luftuar me nazistët, e të cilët u dorëzuan jo pa hezitim nga trupat britanike, bashkë me familjet e tyre, duke shkuar drejt vdekjes.
Në lidhje me OKB, Stalin ishte i kënaqur për marrëveshjen që do i lejonte Bashkimit Sovjetik, si një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, që të mbronte interesa e veta duke ushtruar të drejtën e vetos. Ai gjithashtu fitoi miratimin e SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar për pranimin në Ansamblenë e Përgjithshme të dy republikave sovjetike, Bjellorusisë dhe Ukrainës.
Teksa treni i blinduar e rikthente Stalinin mespërmes panoramës së mbuluar nga dëbora për në Moskë, çështja për të cilën ndoshta ishte më pak i kënaqur, ishin dëmshpërblimet që duhej të paguante Gjermania. Kur Roosevelti dhe sidomos Churchilli i kujtuan pasojat e lënies së Gjermanisë në varfëri pas Luftës së Parë, ai u nevrikos – një gjë e rrallë gjatë konferencës – duke pyetur nëse aleatët kishin për qëllim që të mos e ndëshkonin Gjermaninë. Ndonëse Stalini fitoi dakordësinë që BS do të merrte pjesën e luanit nga dëmshpërblimet, atij iu desh të pranojë se niveli dhe natyra e tyre do të zgjidheshin nga një komision i Aleatëve që do të mblidhej më vonë në Moskë. / bota.al