Nga Didier Billion
Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë
Takimi midis parlamentarëve francezë dhe presidentit sirian Bachar al-Assad bëri një zhurmë të madhe. Kjo vizitë e bërë kundër mendimit të ministrisë së punëve të jashtme, a mund të lejojë që të hapet debati mbi politikën siriane të Francës, e cila ka vendosur qysh në vitin 2011 të ndjekë një vijë shumë të ashpër vis-à-vis Damaskut?
Nisma e katër parlamentarëve francezë, e dënuar si nga e djathta ashtu dhe e majta e skakierës politike, u zhvillua në një kontekst ku situata është bllokuar krejtësisht në Siri. Përtej vizitës të këtyre parlamentarëve, çështja e vërtetë është në fakt bilanci i politikës franceze mbi dosjen siriane. Qysh me fillimin e krizës në Siri, Franca ka zhvilluar një qëndrim jashtëzakonisht të ashpër kundrejt regjimit të Bashar al-Assadit. Mbyllja e Ambasadës franceze, në muajin mars të vitit 2012, për shembull ka qenë, nga pikëpamja ime, një gabim, pasi kjo preu kanalet e kontaktit me autoritetet siriane. Në këtë situatë krize, sado e pakëndshme qoftë ajo, diskutimi me autoritetet siriane është i nevojshëm. Le të kujtojmë gjithashtu episodin e fundit të muajit gusht 2013, në momentin e përdorimit të armëve kimike në periferinë e Damaskut. Asokohe Franca u gjend fare vetëm meqënëse aletatët e saj, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lanë atë në mes të vaut.
Presidenti François Hollande asokohe nuk kishte ngurruar të kërcënonte regjimin e Bashar al-Assadit me “dënim”, duke përdorur, me të drejtë, këtë term si një koncept diplomatik.
Bilanci i politikës franceze mbi dosjen siriane është shumë negativ.
Diplomacia franceze ka gabuar që nga fillimi i konfliktit, duke menduar dhe përsëritur që regjimi sirian kishte disa javë apo disa muaj jetë.
Megjithatë, katër vjet pas fillimit të krizës, regjimi është ende aty. Sigurisht ai është dobësuar, por në mënyrë paradoksale duket më i sigurt se para dy vjetësh; ka pra një një ndryshim të raporteve të forcës. Kjo nismë e parlamentarëve francezë, megjithëse e vogël dhe e dënueshme nga të gjitha anët, ka meritën se pohon sërish nevojën e dialogut politik me regjimin e Bashar al-Assadit. Ajo do të përbëjë shenjën lajmëruese të një riorientimi politik të Francës për këtë dosje dhe në një mënyrë më të përgjithshme, mbi politikën e saj në rajon.
A jeni i mendimit se me rritjen e forcës të Organizatës së Shtetit Islamik, është e detyrueshme të vendoset dialogu me Damaskun, për të ndaluar rrezikun xhihadist?
Sfida kryesore që shtrohet sot në këtë nën rajon të Lindjes së Mesme është çështja e Organizatës së Shtetit Islamik (Daech), jo vetëm në Siri, por gjithashtu në Irak. Bombardimet e rregullta qysh prej disa muajsh nga koalicioni nuk po arrijnë ta çrrënjosin dhe të rrëzojnë Shtetin islamik. Në Siri, si rezultat i izolimit sistematik të regjimit të Bashar al-Assadit, nuk ekziston me pushtetin, asnjë lidhje zyrtare direkte. Një nga pasojat është që operacionet ushtarake janë pak efikase, sepse ne jemi sot në pamundësinë për t’i artikuluar ato me nisma politike. Në Irak, situata është pak e ndryshme sepse dialogu është drejtpërdrejt me autoritetet politike të Bagdadit.
Ne e dimë se bombardimet në pozicionet e Shtetit Islamik në Siri janë në mënyrë ekskluzive fakti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që Franca bombardon vetëm pozicionet e tyre irakene.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara bëjnë kujdes të njoftojnë autoritetet siriane për vendet dhe momentet kur ato do të bombardojnë. Për rrjedhojë, dhe megjithë deklaratat zyrtare, konstatohet se ka një formë marrëdhënie dhe shkëmbimi politik. I duhet dhënë fund hipokrizisë dhe të lidhen kontakte në nivelin më të lartë me autoritetet e Damaskut, në mënyrë që të bëhet më efikase lufta e kundra organizatës xhihadiste, në një kohë që e konsiderojmë atë si një rrezik madhor. Fjalimet e prononcuara nga autoritetet franceze, shpjegojnë se Shteti islamik dhe regjimi i Damaskut janë dy anët e të njëjtës medalje, janë fjalime që ndofta kënaqin ato që i mbajnë, por që nuk lejojnë të jenë realisht efikase dhe operative. Ti ndërpresim fjalët e bukura dhe të jemi pragmatistë mbi këtë çështje: edhe nëse kjo mundet të trondisë disa, gjithmonë është me kundërshtarët që je i detyruar të negociosh, dhe jo me miqtë.
Një ndërhyrje ushtarake në Siri në kuadrin e Këshillit të sigurimit nuk është aktualisht e synueshme dhe marrëdhëniet diplomatike me Damaskun janë në pikën e vdekur. Në këto kushte, si të synohet një fund në konfliktin sirian?
Nuk do të ketë zgjidhje ushtarake për këtë konflikt dhe regjimi sirian nuk do të mundet ushtarakisht dhe do të jetë për një kohë të gjatë. Duke ditur dhe duke konsideruar që dialogu i drejtpërdrejtë është i vështirë, duhet pra mbështetur në inisiativat e dobëta që ekzistojnë.
E para është ajo që u zhvillua në Moskë para tre javësh, e cila nuk dha ndonjë zgjidhje – duke mos qenë një negociatë zyrtare – por kjo inisiativë pati të paktën meritën që mblodhi disa përfaqësues të opozitës siriane me përfaqësues të pushtetit. Gjatë muajit mars do të ketë një sesion të dytë të këtij takimi. Përparimet janë shumë të ngadalta, sepse mosmarrëveshjet janë të mëdha dhe ndjeshmëritë të përkeqësuara. Por edhe në se rezultatet nuk janë aktualisht të prekshëm, është e rëndësishme të mbështetet ky tip inisiative.
Për të njëjtat arsye, është e nevojshme për këtë dosje që të bëhen shkëmbime në nivelin më të lartë me autoritetet ruse, kur dihet që ato kanë në duart e tyre një pjesë të zgjidhjes së krizës siriane. Dialogu me palën ruse sigurisht është shumë i komplikuar, duke patur parasysh sidomos krizën ukrainase, por nuk ka zgjidhje tjetër.
Së fundmi, ka një aktor tjetër me rëndësi në rajonin e Lindjes së Mesme dhe ky është Irani. Qysh në fillimin e konfliktit ne e dimë se ky vend mbështet pa kushte regjimin e Bashar al-Assadit, duke e furnizuar atë sidomos me armë, apo duke dërguar oficerë të lartë për të ndihmuar trupat e pushtetit sirian. Megjithë këtë, Irani është gjithashtu palë në zgjidhjen e çështjes siriane. Ky vend qysh nga muaji shtator merr pjesë në luftën kundra Shtetit Islamik.
Iranianët duhet pra të ripërfshihen në debatin ndërkombëtar dhe në lojën rajonale. Sigurisht që dëshirojmë që dosja bërthamore të mund të zgjidhet në javët e ardhshme, pavarësisht kësaj Irani është pa asnjë dyshim një nga shanset që mund të marrë pjesë në zgjidhjen e situatës.
Kështu duke inkurajuar çdo inisiativë politike që lejon të lidhen fijet e dialogut dhe duke u mbështetur mbi ato që janë palët e zgjidhjes, domethënë Moska dhe Teherani, që do të arrijmë të përparohet në zgjdhjen e krizës. Në këtë kontekst nevojitet të kapërcehen ndjeshmëritë apo emocionet tona për të arsyetuar qartazi për të gjetur një zgjidhje për këtë konflikt dhe të luftojmë në mënyrë më efikase sfidën që përfaqëson sot Shteti Islamik.
s.m./www.bota.al