Konsumi i bukës së zezë apo i ushqimeve të tjera që përmbajnë drithëra integrale, është shumë i mirë jo vetëm për ruajtjen e një niveli optimal të perimetrit të belit tuaj, por gjithashtu mund t’iu mbrojë kundër sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.
Studiuesit nga Universiteti Tafts në SHBA, vunë re gjatë një studimi të ri se të moshuarit që hanin të paktën 3 porcione drithërash në ditë, kishin tension më të ulët të gjakut, dhe nivele po të ulëta të sheqerit në gjak.
Drithërat integrale ose të plota, janë ato që nuk iu është hequr lëvozhga e jashtme. Së bashku me bukët dhe orizin, ato janë të zakonshme tek qulli i tërshërës dhe makarona ngjyrë kafe.“Ne arritëm në përfundimin se konsumimi i ushqimeve me drithëra të plota si pjesë e një diete të shëndetshme, sjell përfitime shëndetësore përtej ndihmës për të rënë në peshë kur plakemi.
Në fakt, të dhënat tona sugjerojnë se njerëzit që hanë më shumë drithëra integrale janë më të aftë që të mbajnë në nivele optimale sheqerin në gjak dhe tensionin me kalimin e kohës. Menaxhimi i këtyre faktorëve të rrezikut kur plakemi, mund të ndihmojë në mbrojtjen nga sëmundjet e zemrës”- thotë një nga autorët e studimit Nikola Mekeon në një botim të Universitetit Tafts.
Po pse drithërat integrale janë kaq të mira për njeriun?Ato janë një burim i pasur i ushqyesve të shëndetshëm duke përfshirë fibrat, kaliumin, magnezin, folatin, hekurin dhe selenin. Studiuesit vëzhguan 3.100 njerëz në mesin e të 50-ave për më shumë se dy dekada.
Ata panë se si konsumi i drithërave integrale ndikoi në perimetrin e belit, hipertensionin, sheqerin në gjak, nivelet e yndyrnave të dëmshme të quajtura trigliceride dhe kolesterolin “e mirë” (HDL). Gjatë 4 kontrolleve të ndryshme, madhësia e belit u rrit me rreth 1.2 cm tek pjesëmarrësit me një konsum të lartë të këtyre drithërave, dhe mbi 2.5 cm tek ata që konsumonin pak bukën integrale.
Rezultatet treguan një rritje mesatare të tensionit, teksa nivelet e sheqerit ishin më të ulëta në mesin e njerëzve që hanin sasi të mëdha drithërash integrale. Ndërkohë, u pa se konsumi më i ulët i drithërave integrale, i zakonshëm tek buka e bardhë dhe makaronat, ulte nivelet e shtimit të peshës dhe triglicerideve.
Po ashtu, ekipi krahasoi ndryshimet në 5 faktorët e rrezikut në 4 kategori të ndryshme, nga më pak se gjysmë deri tek 3 ose më shumë racione. Udhëzimet dietike për amerikanët 2020-2025, rekomandojnë të paktën 3 porcione drithërash të plota çdo ditë.
Një racion, konsiderohet një fetë bukë me grurë integral, 40 gramë tërshëre, dhe 150 gramë oriz kafe. “Ekzistojnë disa arsye se përse drithërat integrale mund t’i ndihmojnë njerëzit të ruajnë perimetrin e belit në nivele të pranueshme, dhe të zvogëlojnë rritjen e faktorëve të tjerë të rrezikut.
Prania e fibrave dietike tek këto drithëra, mund të ketë një efekt ngopës, ndërsa magnezi, kaliumi dhe anti-oksidantët mund të kontribuojnë në uljen e tensionit. Sidomos fibrat e tretshme mund të kenë një efekt të dobishëm në nivelet e sheqerit në gjak pas një vakti”- shpjegon autori kryesor i studimit Kaleig Savicki.
Po cili është dallimi midis drithërave integrale dhe miellit të bardhë? Shtresa e jashtme e drithrave është plot fibra, ndërsa pjesa e brendshme është e pasur me lëndë ushqyese të tilla si vitamina B, antioksidantët dhe yndyrna të shëndetshme.
Procesi i bluarjes, i largon këta përbërës nga produktet e përpunuara si makaronat. Edhe studimet e mëparshme nga shkencëtarët skocezë, kanë zbuluar se një dietë e pasur me drithëra integrale, është po aq efektive në uljen e tensionit të gjakut sa disa ilaçe./ StudyFinds – Bota.al