Bram Stoker zgjodhi në fakt emrin e tij, Drakula, për të pagëzuar vampirin protagonist të një romani të suksesshëm. Figura historike e Drakulës së vërtetë do të meritonte një rishikim të thellë. Një rilexim që nuk e degradon në gjakatarin e marrë, të përshkruar nga shumëkush, por as ta lartësojë si një princ të ndricuar të Rilindjes, sic u pëlqente profesorëve të historisë në Rumaninë e Causheskut
Doli nga historia në fundin e Katërqindës për të hyrë në legjendë në fundin e Tetëqindës, falë fantazisë së shfrenuar të një shkrimtari irlandez. Bram Stoker zgjodhi në fakt emrin e tij, Drakula, për të pagëzuar vampirin protagonist të një romani të suksesshëm. Figura historike e Drakulës së vërtetë do të meritonte një rishikim të thellë. Një rilexim që nuk e degradon në gjakatarin e marrë të përshkruar nga shumëkush, por as ta lartësojë si një princ të ndricuar të Rilindjes, sic u pëlqente profesorëve të historisë në Rumaninë e Causheskut. Vladi III, princi luftëtar që ka hyrë në histori me nofkën “Drakula”, i njohur edhe si ndëshkuesi, ka lindur me shumë gjasa në qytetin transilvan të Shigishoarës në vitin 1431. Babai i tij princi Vlad II i dinastisë Basarab, pretendent për fronin e Vllahisë dhe komandant i rojeve kufitarë në shërbim të Janush Huniadit. I mbiquajtur “Drakul”, që kur perandori Sigismondo I e dekoroi me Urdhërin e Dragoit, Vlad II gjeti momentin e favorshëm për të rifituar të drejtat dinastike dhe për të hipur sërish në fronin që kish qenë i babait. Rasti iu paraqit në vitin 1436, kur në krye të një grupi ushtarësh hungarezë ai arriti të vendosë oborrin e tij në pallatin princnor të Targoviste. Për herë të parë kronikat rregjistrojnë praninë e një djali të dytë të princit, i vogli Vlad. Por jeta e oborrit nuk është e destinuar as për përtaci dhe as për paqe: Vllahia ishte një feud kufitar dhe prania me perandorinë otomane detyron për një vigjilencë të palodhur ushtarake. Vladi, nga ana e tij përpiqet që të mos shkaktojë pakënaqësi as mbretin e Hungarisë dhe as sulltanin. Larja e hesapeve do të vinte në 1442, kur princi u gjet mes përparimit të pandalshëm të otomanëve dhe betimit për të ruajtur kufijtë e perandorisë, kjo për shkak të cilësisë si anëtar i Urdhërit të Dragoit. Edhe një herë, sic kish ndodhur në të kaluarën, princi vendosi që të kish një sjellje të paqartë, duke lejuar të kalojë ushtrinë turke pa ndërhyrë. Një lojë që e paguan shtrenjtë: turqit do të mposhteshin dhe Janush Huniadi e dëboi, duke e zëvendësuar me Basarab II. Vladi dhe familja e tij u vendosën në Galipoli, pranë oborrit të Sulltanit Murati II që, në vend t’i priste si miq, i burgosi. Por, në vitin 1443 Murati vendosi që të emëronte Vladin princ të Vllahisë, me qëllimin që të vendoste në fronin e atij feudi aq të vështirë një njeri që kish njohje të thellë mbi armikun hungarez. Si garanci për besnikërinë e tij i kërkoi që vllahu t’i linte peng dy fëmijët e tij, Vlad dhe Radu. Pikërisht këtu, Vladi i vogël hyn në histori: gjatë qëndrimit në kështjellën e Egrigoz, në Anadoll, u edukua me mënyrat otomane, ku fitoi edhe kënaqësinë sadiste për torturat, mbi të gjitha nguljen e njerëzve në hell, si ndëshkim.
Gjithcka ndryshoi në vitin 1444, kur Drakul, i rikthyer në fron falë ndihmës turke, tradhëtoi besimin e sulltanit dhe bëri aleancë me hungarezët, të cilët megjithatë u mposhtën në Varna. Vlad dhe Radu rrezikuan jetën, por Murati vendosi që t’i falë duke mbyllur Radu në haremin e tij ndërkohë që për Vladin kishte rezervuar një karrierë ushtarake. Në ndërkohë, në vitin 1447, Vladi II u vra brutalisht bashkë me të birin Mircea nga hungarezët për shkak të tradhëtisë së radhës, dhe u varros i cnderuar, me kokën poshtë, jashtë dyerve të pallatit të tij.
Në fronin e gjakut
Për të riun Vlad kish ardhur momenti të kërkonte fronin atëror. Në vitin 1448, në krye të një kontigjenti të vogël jenicerësh, princi 17-vjecar hyri fitimtar në atdheun e tij. Ambasadorët e huaj, të impresionuar nga vendosmëria e të riut, e quajtën “Draculea”, apo biri i Dracul, biri i Dragoit. Do të zgjaste shumë pak. I dëbuar prej ushtrisë hungareze pak muaj më vonë, Vladi vendosi që të mos kthehej në Turqi, por të shkonte në Moldavi, për t’u vendosur më pas në Transilvani, pranë oborrit të të urryerit Janush Huniadi, vrasësi i babait të tij, që e priti si një bir, duke e prezantuar me të këqiat e diplomacisë hungareze.
Në verën e vitit 1456, në krye të një grupi ushtarësh hungarezë, Drakula u kthye në Vllahi. Si masë e parë urdhëron shfarosjen e të gjithë bojarëve që ishin përfshirë në komplotin që disa vite më herët e kish dëbuar në favor të Vladislav II. Në vitin 1459 i ftoi bojarët e rangjeve të mësipërm në një banket, i cili përfundoi me shfarosjen e përgjakshme të të gjithë të ftuarve. Ata që nuk vdiqën të ngulur në hunj në oborrin e pallatit, u dëbuan dhe u dënuan me punë të detyruar në kantierin për ndërtimin e kështjellës mbi lumin Arges. Gjatë këtij mbretërimi të dytë, më jetëgjati (1456-1462), lindi miti i përgjakshëm i Drakulës dhe filloi të përhapet dhe nofka e tij “ekzekutuesi”. Ambasadorët e të gjithë Europës dërgonin informacione për bëmat e frikshme të këtij princi të përgjakshëm, i cili shfaroste fshatra të tërë duke masakruar pa dallim grua dhe fëmijë, duke ngulur në hunj me qindra vetë dhe duke vendosur autoritetin e tij falë përdorimit të pakushtëzuar të dhunës.
Tradhëti!
Në të vërtetë Drakula kuptoi se e vetmja mënyrë për të patur besnikërinë e bojarëve dhe tregtarëve të pasur saksonë, që i garantonin principatës prosperitet ekonomik, ishte ajo e rinovimit tërësor të klasës së korruptuar drejtuese. Hajdutët u nënshtroheshin torturave të patregueshme dhe tradhëtarët nguleshin në hunj. Vladi përqëndroi tek vetja pushtetin absolut, duke mishëruar figurën e gjykatësit dhe zotit të njerëzve të tij: priste ambasadorët si detyrë diplomatike, por nuk bënte ansjë lloj lëshimi dhe negociata. Indinjohej përballë emisarëve turq, duke u kërkuar atyre përse nuk e hiqnin callmën në shenjë respekti; kur këta i përgjigjeshin se ligji i tyre e ndalonte që të shfaqeshin me fytyrën zbuluar, ua ngulte në kafkë për t’u siguruar që të mos binin më kurrë në joshjen e mosbindjes. Nëse një cigane i shkonte në pallat dhe i thoshte se mbante në bark fëmijën e tij, ai ia hapte barkun me shpatë për t’u siguruar që ajo nuk gënjente. Përshkon gjerë e gjatë të gjithë Vllahinë në krye të trupave të tij për të kontrolluar vetë gjithcka, duke gjetur madje kohë edhe të urdhërojë ndëshkimin e rëndë të një gruaje të shkretë, fajtore se kish lejuar të shoqin të dilte me tunikë të lagur. Negocionte me turqit dhe me hungarezët, pa i premtuar besnikëri askujt, edhe pse respektonte betimin që babai i kish bërë perandorit. U lëshua furishëm në qytetin e pasur Brasov, duke urdhëruar që tregtarët saksonë, fajtorë se kishin mikpritur një kundërshtar politik, të nguleshin në hunj në kodër, aty ku ai vetë kërkoi të vendosej një tavolinë për të drekuar mes kufomave që po dekompozoheshin.
Ndërkohë ushtria otomane, e udhëhequr nga otomani i rij Muhamedi II, sulmon Vllahinë duke kaluar Danubin: Vladi, forcat e të cilit ishin më të vogla në numër por më këmbëngulëse, i kërkoi ndihmë Mattia Corvinos, mbret i Hungarisë. Por ky, i joshur nga paraja, e la pa ndihma, duke e tradhëtuar. Vladi nuk u tërhoq dhe luftoi si një luan në Danub: në komandë të një grushti njerëzish organizoi një sulm të dhunshëm gjatë natës në kampin e turqve, duke masakruar gjeneralë dhe ushtarë. I ndjekur dhe i izoluar në kështjellën e tij në Arges, vazhdoi rezistencën heroike deri në nëntor të vitit 1462, kur u detyrua të largohet për në Transilvani. Nuk i shërbeu shumë hileja e vendosjes mbrapsht të patkonjve të kalit për të gënjyer ndjekësit. Armiku i vërtetë ishte ai që e priste me krahët hapur përtej kufirit. Me mbërritjen në Brashovë, Drakula u arrestua nga ushtarët e Mattias nën akuzën për tradhëti të lartë e ndërtuar me prova të krijuara me mjeshtëri: Vladi duhej të hiqej qafe sepse ishte dëshmitari i vetëm i përvetësimit të fondeve në mënyrë të paligjshme nga ana e mbretit. I shoqëruar deri në kështjellën e Vishegradit, në veri të Budapestit, Vladi mbetet “mysafir” i mbretit Mattia për dymbëdhjetë vjet. Fama e Drakulës do të përhapej falë një serie raportesh të shkruar prej ambasadorëve: Mattia e mbante në kafaz dragoin, ata që kronikat preferojnë ta quajnë “Vlad Djalli” (por që kish fituar admirimin e Papës Piu II) duke rrëfyer bëmat më të këqia për të justifikuar mbajtjen peng të tij.
Një fund misterioz
Do të vijonte një periudhë e gjatë inaktiviteti, gjatë të cilës do të martohej me një kushërirë të mbretit Mattia duke u konvertuar në fenë katolike, me shpresën që të ndryshonte gjendjen e tij. Më pas, në 1473, Vlad do të dërgohej në Transilvani për të ndalur një pushtim të ri otoman dhe për të rimarrë zotërimin e fronit të Vllahië. Në vitin 1476 bojarët mundën ta përshëndesnin sërish si mbret, por situata nuk ishte aspak e qetë. Gjatë një përplasjeje, ndoshta i ngatërruar me një armik apo i tradhëtuar nga komandantët e tij, Vladi ra në betejë. Ka nga ata që thonë se koka e tij u dërgua në Kostandinopojë në një urnë të mbushur me mjaltë, si një dhuratë për Sulltanin; të tjerë thanë se trupi i tij u dërgua në manastirin e Snagovit. Në vitin 1931 u kryen gërmime në vendin ku mendohej se ndodhej varri i tij, por atje u gjetën vetëm eshtra kafshësh. Në po të njëjtin vit, në Amerikë, hungarezi Bela Lugosi do të luante për herë të parë rolin e Drakulës, Vampirit në realizimin zyrtar kinematografik të romanit. / Përgatiti: www.bota.al