Mansa Musa, personi më i pasur në histori, i cili udhëhoqi mbretërinë e Malit në shekullin e 14-të. Yaa Asantewaa, mbretëresha Asante që sfidoi fuqinë britanike dhe shpëtoi stolin e artë. Kashta mbreti i devotshëm i Kushitëve, qytetërimi i njëmijë piramidave. Kur i kërkon të përmendë tre emra, nga kapela magjike e librit të saj, Zeinab Badawi nxjerr personazhet që ajo i donte (dhe ne duhet t’i njohim) më shumë.
“Historia Afrikane e Afrikës” është rrëfimi i një udhëtimi të bërë në mbi dhjetë vjet dhe 34 vende. E lindur në Sudan dhe e rritur në Britaninë e Madhe, që nga viti 2021 presidente e Shkollës së Studimeve Orientale dhe Afrikane në Universitetin e Londrës, Badawi është një nga fytyrat e njohura të BBC-së. Dhe ky është libri i saj i parë, fryt dhe zgjatim i një dokumentari televiziv të krijuar në bashkëpunim me UNESCO-n: «Takova kaq shumë studiues – thotë ajo – dhe mblodha aq shumë materiale për të cilat mendova të shkruaja.”.
Kë takuat?
“Dhjetëra historianë, studiues, arkeologë të shkëlqyer. Gra dhe burra. Aq të etur për të treguar historitë e tyre sa nuk mund t’i injoroja. Më dhanë energji: ndjeva se po u jepja një zë atyre që nuk kishin shumë. U përpoqa të shkruaj atë që kam kërkuar shpesh më kot: një rrëfim më gjithëpërfshirës dhe më të vërtetë të Afrikës.” Zërat afrikanë…
“Po, doja që afrikanët të flisnin për Afrikën këtë herë. Humbet diçka nëse janë gjithmonë të tjerët ata që e bëjnë. Por le të jemi të qartë: nuk ka zëvendësime. Shumë historianë në Perëndim, madje edhe miqtë e mi, kanë bërë punë të shkëlqyera. Çështja nuk është zëvendësimi, por integrimi”.
A ekzistojnë ende paragjykimet e vjetra?
“Gjërat janë përmirësuar në krahasim me të kaluarën, por vizioni i një Afrike primitive, të prapambetur, me shumë natyrë dhe pak histori, mbetet. Njerëzit tani janë më të kujdesshëm për atë që thonë, por nën sipërfaqe mbetet ideja e një kontinenti që është i pazhvilluar në krahasim me Perëndimin. Unë konstatoj se historia shumë e pasur e Afrikës nuk njihet sa duhet. Ashtu sikurse dhe ideja që mund të ketë një mënyrë afrikane për të përparuar dhe bërë gjërat. Duke i kushtuar më shumë vëmendje kujdesit për komunitetin, ubuntu-së së Nelson Mandelës dhe jo vetëm të drejtave individuale. Pastaj ka ndarje që janë shfaqur kohët e fundit”.
Për shembull?
“Nuk më pëlqen ndarja konceptuale e krijuar midis një Afrike Veriore Islamike dhe një Afrike Sub-Sahariane. Pas pushtimit arab që filloi në vitin 711, rajoni u konsiderua diçka e ndarë nga pjesa tjetër e kontinentit dhe 11 shtatori e përforcoi këtë perceptim. Por natyra afrikane e këtyre vendeve është e qartë”.
Ne dimë pak për të. Por çfarë dinë afrikanët për historinë e tyre?
“Kur udhëtoni nëpër vende të ndryshme, është befasuese të vëreni se sa pak dihet për to. Më vijnë në mendje tudentët e shkëlqyer në Universitetin e Lagosit në Nigeri: ata e njohin tregtinë e skllevërve përtej Atlantikut, historinë e shekullit të njëzetë. Por ata dinë pak për Afrikën parakoloniale. Kur fillova të bëja kërkime, u përpoqa të gjeja vepra shteruese. Historia e Përgjithshme e Afrikës më shpëtoi, e cila është një nga sekretet më të ruajtura të asaj Toke. Një projekt i nisur në fillim të viteve gjashtëdhjetë, nën kujdesin e UNESCO-s, mbi të cilin punuan 350 studiues, kryesisht afrikanë. Njëmbëdhjetë vëllime, të cilave do t’u shtohen të tjerë, nga origjina e racës njerëzore deri në epokën bashkëkohore. Tregojnë se si Afrika para evropianëve ishte përfshirë në historinë globale, jo si një botë e ndarë”.
Në moshën dy vjeçare ju u larguat nga Sudani me familjen për në Angli. Në fillim, çfarë ishte Afrika për vajzën e vogël Zejneb?
“Afrika ime e parë ishin tregimet në krahët e prindërve të mi, Mohammed-Khair dhe Asia Malik. Babai im ishte shumë i përfshirë në politikën sudaneze para pavarësisë nga Britania e Madhe, ai u burgos gjatë epokës britanike. Jam rritur duke ndjerë krenari të pamasë për atdheun tim dhe të gjithë Afrikën. Me prindërit e mi ktheheshim shpesh në Sudan për të vizituar të afërmit. Kjo ndjenjë dinjiteti dhe pasurie nuk përputhej me perceptimin që ndjeja në shoqërinë që më rrethonte. Unë jam rritur me këtë dikotomi. Dhe përpjekja për të pajtuar vizionet është ajo që kam vendosur të bëj. Si fëmijë, kur prindërit e mi më çuan në kinema për të parë Khartoum, një film i vitit 1966 për pavarësinë sudaneze, u largova e hutuar, nuk kuptova se cilët ishin të mirët dhe cilët ishin të këqinjtë. E njëjta gjë kur e pamë me fëmijët tanë. Unë sudaneze, burri im britanik i bardhë. Dhe ata, duke na parë thanë: “Mami, me kë duhet të jemi: me Mehdiun (Laurence Olivier) apo me kundërshtarin e tij, gjeneralin britanik (Charlton Heston)”? Për fat të mirë ka pasur disa ndryshime në kulturën pop sot. Jada Pinkett Smith, gruaja e Will-it, sapo ka prodhuar dy dokumentarë mbi Kleopatrën, parë nga këndvështrimi afrikan dhe për Nzinga-n e madhe, mbretëreshën e shekullit të shtatëmbëdhjetë të Ndongo dhe Matambas.
Në Afrikë mosha mesatare nuk i kalon njëzet vitet. Disa i shohin të rinjtë afrikanë vetëm si migrantë të mundshëm…
“Shumica dërrmuese duan të jetojnë dhe të përparojnë në Afrikë. Kam besim të madh. Ata janë gjithnjë e më të arsimuar, njohin teknologji të reja. Historia na tregon se duhet të kemi një këndvështrim afatgjatë. Nëse e imagjinojmë Afrikën pas 25 vjetësh, mund të jemi optimistë”.
Me një vështrim afatshkurtër, megjithatë, ne shohim Sudanin tuaj të shkatërruar nga lufta.
“Babai im, i cili ndërroi jetë tetë vjet më parë, do të ndjente trishtimin tim. Një luftë e pakuptimtë midis grupeve ushtarake: ushtria nga njëra anë dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë nga ana tjetër, duke shkatërruar vendin për pushtet dhe burime. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë gjithçka për t’i ulur ata në negociata dhe për të siguruar korridoret humanitare.”
Pse të kujtohet Mansa Musa, “njeriu më i pasur në histori”?
“Sepse hedh poshtë mitin e një Afrike të shkëputur nga bota. Në shekullin e 14-të, ndërsa Evropa po tërhiqej nga Vdekja e Zezë, mbretëria e Malit kishte 400 qytete dhe bibliotekën e Timbuktus. Kur shkoi në pelegrinazh në vitin 1324-25, Mansa Musa solli me vete 12 mijë personalitete, 600 shërbëtorë, njëqind deve me 20 tonë ar. Vlerësohet se pasuria e tij arrinte në 400 miliardë dollarë në monedhën e sotme. Gjatë kthimit nga Meka, Mansa ndaloi në Kajro dhe shpenzoi dhe dhuroi aq shumë ar, sa çmimi i metalit në mbarë botën ra me 25% dhe iu desh më shumë se një dekadë për t’u rikthyer në nivelet e mëparshme”.
Dhe mbretëresha Yaa Asantwaa?
“Një simbol i rezistencës së grave në Afrikën Perëndimore. Ajo nuk donte të dorëzohej, u tall me burrat duke i pyetur nëse donin t’i ndërronin të brendshmet me të sajat. U vendos në krye të një ushtrie prej 20,000 burrash të armatosur që qëndruan kundër britanikëve për shtatë muaj. Dhe edhe kur iu desh të dorëzohej, ajo arriti të ruante stolin e artë, emblemën e sovranitetit të popullit Asante, duke e fshehur në pyll. Presidenti i parë i Ganës së pavarur e bëri një simbol jo aq të një grupi etnik, që nuk ishte i tij, por të të gjithë kombit. Afrika parakoloniale kishte më pak konflikte sesa Evropa. Nuk kishte luftëra fetare. Edhe kjo nuk është theksuar sa duhet në librat e historisë”.
Kashta, mbreti i Kushitëve…
“Këtu e pranoj, edhe rrënjët e mia kanë të bëjnë me të, në veri të Sudanit të sotëm. Por qytetërimi Kushit ishte një superfuqi e madhe, tashmë e harruar. Kashta ishte aq i tronditur nga dekadenca e Egjiptit, sa besoi se ishte detyra e tij ta shpëtonte atë nga rrënimi. Kushitët ndërtuan një mijë piramida dhe prodhuan qeramikë të hollë 3 mijë vjet përpara atyre të gjetura në Egjiptin e Lashtë. Por njerëzit dinë gjithçka për faraonët dhe asgjë për mbretërit Kushite dhe nënat mbretëresha. Edhe nëna ime, një grua e shkolluar, përveç piramidave, nuk dinte shumë për historinë e tyre. Qytetërimi Kushit është simboli i Afrikës madhështore për të cilën flitet pak. Dhe shkon dorë për dore me filizat e shpresës që gjejmë sot në Afrikë”. / history – bota.al