Nga Minxin Pei
Epidemia e një koronavirusi të ri, që u shfaq në qytetin kinez të Vuhani, ka infektuar tashmë mbi 4.000 njerëz – kryesisht në Kinë, por edhe në disa vende të tjera, nga Tajlanda në Francë, dhe Shtetet e Bashkuara – duke vrarë deri tani më shumë se 100 persona.
Si është e mundur kjo gjë, duke pasur parasysh historinë e Kinës me epidemi të ngjashme – përfshirë këtu Sindromën e Rëndë të Frymëmarrjes Akute (SARS) dhe ethet afrikane të derrit – si dhe ndërgjegjësimin e dukshëm të zyrtarëve për nevojën e forcimit të aftësisë së tyre për të adresuar “rreziqet kryesore”? Nuk është ndonjë habi pse historia në Kinë po përsëritet. Për të ruajtur autoritetin e saj, Partia Komuniste e Kinës, është e detyruar ta mbajë publikun të bindur se gjithçka po shkon sipas planit. Kjo nënkupton mbulim sistematik të skandaleve dhe mangësive që mund të reflektojnë udhëheqjen e dobët të PKK-së, në vend se të bëjnë atë që është e nevojshme për të reaguar ndaj kësaj situate. Kjo mani patologjike për të ruajtur sekretin, e pengon aftësinë e autoriteteve për të kundërvepruar shpejt ndaj epidemive. Epidemia e SARS-it në vitet 2002-2003, do të vihej më shpejt nën kontroll në rast se zyrtarët kinezë, përfshirë Ministrin e Shëndetësisë, nuk do t’i fshihnin qëllimisht informacione publikut. Kur u zbatuan masat e duhura të kontrollit dhe parandalimit të sëmundjes, SARS u izolua brenda pak muajsh. Por duket se Kina nuk i ka nxënë leksionet e saj. Megjithëse ekzistojnë dallime të rëndësishme midis epidemisë së sotme të koronavirusit, dhe epidemisë së SARS – përfshirë aftësinë shumë më të madhe teknologjike për të monitoruar sëmundjet – ato i nënshtrohen zakonit të PKK për të fshehur të vërtetën. Sigurisht në pamje të parë, qeveria kineze duket se është më e përgatirur mbi epideminë e fundit. Por, ndonëse rasti i parë u raportua më 8 dhjetor 2019, komisioni shëndetësor komunal në Vuhan, e bëri publik këtë vetëm disa javë më vonë. Dhe deri atëherë, zyrtarët lokalë në Vuhan, e kanë minimizuar seriozitetin e sëmundjes, dhe kanë synuar të çensurojnë lajmet mbi të. Njoftimi në fillim ishte se s’kishte asnjë provë që sëmundja e re, mund të transmetohej midis njerëzve, dhe pretendoi se nuk ishte infektuar asnjë punonjës i kujdesit shëndetësor. Komisioni i përsëriti këto pretendime edhe në 5 janar të këtij viti, megjithë 59 rastet e konfirmuara. Edhe kur u raportua viktima e parë më 11 janar, komisioni vazhdoi të këmbëngulë se nuk kishte prova se koronavirusi mund të transmetohej midis njerëzve, apo që ishin prekur mjekët dhe infermierët.
Gjatë gjithë kësaj periudhe kritike, pati pak lajme mbi epideminë. Censorët kinezë punuan me zell për të hequr referencat mbi sëmundjen nga diskursi publik, diçka që është shumë më e lehtë sot sesa gjatë epidemisë së SARS, falë kontrollit më të ashpër të qeverisë mbi internetin, median dhe shoqërinë civile. Policia ka kërcënuar njerëzit mbi “përhapjen e thashethemeve” mbi sëmundjen. Megjithatë, përpjekjet e qeverisë kineze për të ruajtur imazhin e saj patën një kosto të madhe, pasi ato minuan përpjekjet fillestare për kontrollin e epidemisë. Autoritetet kanë ndërruar tashmë kurs, dhe strategjia e tyre tani duket se është të tregojë se sa seriozisht po e merr qeveria epideminë, duke marrë masa drastike: ndalimin e udhëtimit për në Vuhan dhe qytetet fqinje në provincën e Hubeit, që së bashku kanë një popullsi prej 35 milionë banorësh. Në këtë kuadër, është e paqartë nëse këto këto hapa janë të domosdoshme apo efektive. Ajo çfarë është e qartë, është se censura fillestare e Kinës mbi epideminë e koronavirusit, do të thotë se mijëra njerëz do të infektohen, qindra mund të vdesin, dhe ekonomia, tashmë e dobësuar nga borxhet dhe lufta tregtare, do të pësojë një tjetër goditje. Por pjesa ndoshta më tragjike e kësaj historie, është se ka shumë pak arsye të shpresohet që herën tjetër do të jetë ndryshe. Mbijetesa e shtetit mono-partiak varet nga fshehtësia, shtypja e mediave dhe kufizimet e lirive civile. Pra, edhe kur presidenti Kinez Xi Jinping kërkon që qeveria të rrisë aftësinë e saj për të trajtuar “rreziqe të mëdha”, Kina do të vazhdojë të minojë sigurinë e vet – edhe të botës në fakt, vetëm e vetëm që të forcojë autoritetin e PKK. Kur udhëheqësit e Kinës, të shpallin përfundimisht fitoren kundër epidemisë aktuale, ata padyshim që do t’i njohin meritat lidershipit të Partisë Komuniste Kinze. Por e vërteta është krejt e kundërta: PKK është sërish përgjegjëse për këtë fatkeqësi.
“Project Syndicate” – Bota.al