Bota

Korrupsion, konflikt interesash, armiqësi personale. Qeveria para shpërbërjes?

Kroacia gjendet në krizën më të thellë qeveritare, që prej pavarësisë së saj. Bëhet fjalë për korrupsion, konflikti interesash, armiqësi personale…

Screen Shot 2016-06-08 at 18.47.57

Kroatët do të kenë së shpejti dy shkaqe për festime: Më 25 qershor shënohet 25 vjetori i pavarësisë së Kroacisë. Ndërsa më 1 korrik shënohet 3-vjetori i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por aktualisht askush nuk është i predispozuar për të festuar.

Vetëm pesë muaj pas marrjes së pushtetit, qeveria kroate ndodhet në prag të shpërbërjes. Qeveria e qendrës së djathtë e udhëhequr nga kryeministri jopartiak Tihomir Oreshkoviq konsiderohet si e dështuar. Shkaku kryesor i krizës së rëndë janë akuzat për korrupsion ndaj Tomislav Karamarkos, zëvendëskryeministër dhe shef i partisë nacional-konservatore HDZ. Ai ndodhet nën presion për shkak të një honorari prej 60.000 Eurosh, që ka marrë bashkëshortja e tij nga përfaqësuesit e lobiistëve të koncernit hungarez MOL. Mes këtij koncerni hungarez dhe qeverisë kroate ekziston një grindje e kahershme, lidhur me aksionet në koncernin kroat INA. Mediat kroate pohojnë se koncerni MOL ka siguruar influencën tek INA përmes konrrupsionit. Për shkak të këtyre kritikave, partneri në koalicion Most (Ura) ka kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Karamarko.

Ndërsa HDZ e ka akuzuar partnerin e deritanishëm në koalicion qeveritar Most për paaftësi dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të kësaj partie, Bozho Petrov. Kulmi i grindjeve u arrit të premten e kaluar ((03.06), kur kryeministri Oreshkoviq kërkoi dorëheqjen e të dy zëvendësve të tij – Karamarko dhe Petrov. Ndërsa të martën (07.06) Karamarko ka paralajmëruar mundësinë e mocionit të mosbesimit dhe shkarkimit të kryeministrit Oreshkoviq. Kërkesa për shkarkimin e qeverisë pritet sot, ndërsa votimi në parlament të enjten.

Zgjedhjet e reja?

Në vend që të merret me reforma, elita politike në Kroaci po merret me krizën politike. Josip Juratoviq thotë se kjo nuk është e papritur. Strukturat politike janë të interesuara në radhë të parë për pushtet dhe shpërndarjen e pushtetit dhe më pak merren me të ardhmen e vendit, thotë deputeti socialdemokrat në Bundestagun gjerman. Vetëm ndryshimet në qeveri nuk sjellin asgjë të re. Ndaj duhet të mbahen zgjedhje të reja.

Ndryshimet në qeveri megjithatë mbeten mundësi reale. Disa nga krerët e HDZ janë distancuar nga Karamarko. Ata thonë se Karamarko duhet të tërhiqet, për shkak të interesave nacionale. Ekziston edhe mundësia e shkarkimit të Karamarkos, në mënyrë që të vazhdojë qeverisja e tanishme dhe që HDZ të fitojë kohë. Juratoviq thotë se sërish po bëhet fjalë vetëm për pushtet dhe jo për interesat e vendit. “Demokracia brendapartiake nuk funksionon fare në Kroaci dhe në këtë rajon. Ndaj mbeten të njëjtit aktorë në politikë. Ata duket se nuk kanë ide të reja.”

Reformat e domosdoshme

Kroacia ka nevojë për reforma të shpejta, të cilat po shtyhen me vite. Borxhet e vendit kapin shumën prej gati 90 % të prodhimit vjetor bruto. Papunësia është rreth 16%. Së fundi është përkeqësuar edhe aftësia kredituese e Kroacisë, siç thuhet për shkak të krizës politike. Në dy vitet e fundit, rreth 100.000 punëtorë kroatë kanë ardhur në Gjermani. Juratoviq thotë se Kroacia e ka humbur orientimin. “Ne në Gjermani nuk e dimë fare se në ç’drejtim po shkon Kroacia? Cili është qëllimi i këtij vendi?”

Turbulencat politike në Kroaci janë një sinjal i keq edhe për aspiratat e vendeve të Ballkanit për anëtarësim në BE. “Evropianët kanë pritur që Kroacia të jetë një shembull i mirë për vendet e rajonit. Por kjo nuk po ndodh.” Si pasojë, Zagrebi ka përjetuar javën e shkuar protestat më të mëdha – prej rreth 40.000 demonstruesve.

Burimi: Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button