Historia e gjatë e species sonë filloi rreth 300,000 vjet më parë dhe është E mbushur me inovacione të ngadaltaprogresive teknologjike. Deri kohët e fundit, megjithatë, pamjaftueshmëria relative e objekteve na bëri të mendojmë se risitë ndodhën në vende të veçanta dhe më pas u përhapën midis grupeve të vogla që populluan planetin. Sot panorama po bëhet më komplekse: krijimtaria duket të jetë një markë tregtare e Homo sapiens.
Për shembull, metodat e sofistikuara të prodhimit të veglave mendohej se ishin shfaqur rreth 70,000 vjet më parë në vendet bregdetare të pasura me burime në Afrikën jugore dhe më pas u përhapën në rajon. Një artikull i fundit i botuar në Nature Ecology & Evolution, në vend të kësaj, tregoi se veglat litike të 92 mijë vjet më parë, që janë gjetur në vendin e Lumin Varsche, në një zonë të thatë mbi 40 kilometra nga bregu i Afrikës së Jugut, kanë qenë fryt i zgjuarsisë së vendasve. Që rreth 100 mijë vjet më parë, në Afrikën jugore paraardhësit tanë krijonin mjete të ndryshme gjuetie të përshtatura sipas mjedisit, një provë kjo e aftësisë së tyre mendore për t’u përshtatur me rrethana të ndryshme.
Diçka e ngjashme ndodhte 40 mijë vjet më parë në Kinën e jugut, ku një grup vendas zhvilloi në mënyrë autonome teknika për të bluar pigmente që përdoreshin për qëllime dekorative, siç rrëfen Gang Wang dhe kolegët në Nature, duke demonstruar se ato risi kulturore, nuk u sollën nga njerëzit e parë që mbërritën në Azinë Lindore pasi u larguan nga Afrika.
Pamja që po merr formë në rajone të ndryshme të botës dhe që lidhet me momente të ndryshme të evolucionit tonë, duket se sugjeron se shpërthimi krijues i Homo sapiens ishte një karakteristikë e përhapur gjerësisht dhe jo një seri risish sporadike në komunitete të ndryshme njerëzore. / bota.al