Bota

Kriza e refugjatëve dhe një leksion nga Suedia e Olof Palmes. Analiza e George Papandreut

Screen Shot 2016-03-04 at 09.04.33

Nga George Papandreu

Disa dekada më parë, isha duke shëtitur nëpër rrugët e vjetra të Stokholmit, qyteti ku familja ime jetonte në mërgim. Ndala një kalimtar për t’i kërkuar udhëzime për një bar ku duhet të shkoja. Ai mu përgjigj me ton dashamirës dhe të gatshëm. Për habinë time, ishte Olof Palme, kryeministri suedez, i cili po kthehej nga supermarketi me gruan e tij Lisbet.

“Hej, Jorgo, ku po shkon?”- më pyeti. Pasi ndihmoi gruan e tij për të çuar çantat deri në shtëpi, ai më tregoi rrugën për tek bari, dhe u ulëm për të birrë nga një birrë me disa qytetarë grekë që jetonin në Suedi. Pastaj ai u kthye në shtëpi vetëm, pa truproje. Mënyra e tij e të qenit i thjeshtë dhe i dashur, mund të interpretohet në ditët e sotme si naive dhe e rrezikshme për një politikan të profilit të lartë.

Në fakt, ai u vra 30 vjet më parë, duke ecur me gruan e tij në rrugë pasi kishin parë një film në kinema. Mënyra e tij e të kuptuarit të jetës, ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme. Ai e përmblodhi vizionin e tij tek një shoqëri që duhej të karakterizohej nga barazia, demokracia dhe jo dhuna. Paqja ishte një nga kauzat e shumta, që ai promovoi gjatë gjithë karrierës së tij politike.

Ai më njohu si një nga shumë refugjatët që ndodheshin Suedi. Familja ime, duke ikur nga diktatura e kolonelëve, sistem i futur në Greqi në fundin e viteve ‘60, u përball me strehimin dhe mbështetjen e ngrohtë të popullit suedez dhe qeverinë e saj progresive.

Kur ne u etiketuam si terroristë nga diktatorët tanë, qeveria suedeze na mbrojti duke u përgjigjur se ne ishim duke luftuar për liritë tona të humbura. Për atë mikëpritje, unë do të jem përjetë mirënjohës. Për mua, ashtu si për shumë refugjatë që takova në atë periudhë nga Evropa Lindore, Amerika Latine dhe Afrika e Jugut, qëndrimi në një vend skandinav përfaqësonte një mundësi për të mësuar.

Idetë dhe lufta jonë për një shoqëri më të mirë, nuk ishin thjesht një iluzion dhe jeta tonë në Suedi, dëshmonte se kishte ende një alternativë. Ne kërkonim që vendet tona të mos vuanin më për shkak të autoritarizmit, padrejtësisë, korrupsionit dhe klientelizmit. Demokracia, drejtësia sociale, të drejtat e njeriut dhe transparenca, mund të bashkëjetojnë me prosperitetin, konkurrencën dhe krijimtarinë.

Olof Palme u kujtua për mua në vitin 1982, kur ai udhëhoqi fushatën e tij për presidencën. Asokohe unë ndodhesha në Greqi, ku një regjim i ri demokratik sapo ishte vendosur dhe isha zgjedhur anëtar i parlamentit grek. Palme më kërkoi ta shoqëroja në fushatën e tij. Kam qenë me të kur zhvillonte takime në lagjet e Stokholmit, mbi rëndësinë e politikës ndaj refugjatëve që po ndiqte Suedia.

“Mos harroni”, thoshte ai, “se kur ne hapim krahët tanë ndaj të persekutuarve të planetit, jo vetëm që krijojmë lidhjet e një miqësie të qëndrueshme, jo vetëm pasurojmë kulturën tonë, por ndihmojmë për të ndryshuar fatin e këtyre vendeve, të cilat jetojnë nën regjime autoritare”. Në fjalimet e tij, ai përmendte shpesh ish-kancelarim gjerman Vili Brand, Bruno Kreiskin, ish-kancelarin austriak Oliver Tambo, ish-presidentin e Kongresit Kombëtar Afrikan Nelson Mandela, të cilët në kohë të ndryshme kishin kërkuar strehim dhe gjetur mbështetje në vende të ndryshme të Evropës Veriore.

Pastaj më kërkonte mua të flisja për përvojat e mia si refugjat, në atë që ishte gjuha ime adoptive, suedishtja. Takimet e tij përfundonin gjithmonë me këngë nga Mikis Teodorakis, interpretuar në suedisht nga këngëtari finlandez Arja Saijonmaa. A do të arrinte të mbijetonte kjo frymë në Evropën e sotme?

Jo të gjithë njerëzit që kërkojnë strehim nga mizoritë që po ndodhin në Siri, do të kthehen një ditë në atdheun e tyre, por shumica do ta bëjë këtë. Evropa ka mundësinë historike, nëse jo detyrimin, për të hartuar një plan për një Lindje të Mesme të qëndrueshme, ku komuniteti në emigracion do të luajë një rol vendimtar.

Evropa mund dhe duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi, për të përgatitur dhe përforcuar kthimin në shtëpi të gjithë atyre që do të thirreshin për të rindërtuar një shoqëri tashmë të shkatërruar. Do të jenë arkitektët dhe inxhinierët e shoqërisë së re, të aftë për t’i rezistuar autoritarizmit të diktatorëve, fundamentalistëve dhe populistëve. Do të jenë ata që do të krijojnë institucione të përgjegjshme dhe transparente për mbrojtjen e diversitetit, çlirimin e potencialit të grave dhe burrave, për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe në të njëjtën kohë një përdorim efikas dhe të qëndrueshëm të burimeve natyrore të vendit.

Kjo përgjegjësi do të thotë se ne duhet të ridizenjojmë historinë e miliona njerëzve, të cilët vijnë në brigjet evropiane. Është e sigurtë se menaxhimi i një eksodi masiv për të cilën jemi dëshmitarë, nuk është një detyrë e lehtë. Si një qytetar grek, unë jam i vetëdijshëm për vështirësitë e përditshme që rezultojnë nga kjo krizë humanitare, por le të mos e humbasim këtë mundësi historike.

Ashtu si Olof Palme investoi në atë grup refugjatësh disa vite më parë, po kështu edhe ne duhet të investojmë tek këto familje që mbërrijnë sot në Evropë. Do të jenë liderët e një rilindje arabe që një ditë do të gjallojë. Ne duhet të sigurojmë që ata të mësojmë nga historia evropiane, nga mësuesit e tij, nga qytetarët, institucionet dhe praktikat demokratike, ashtu si ne të tjerët bëmë në vitet ‘60.

Nuk duhet jo vetëm të mësojnë se si Evropa ka qenë në gjendje të kapërcejë një histori të përbërë nga spastrime etnike, diktatorë, racizëm dhe intolerancë, por gjithashtu duhet të jenë dëshmitarë të luftës sonë kundër alarmizmit në rritje, që është përhapur sot në vendet tona. Ata duhet të shohin që ne evropianët jemi mjaftueshëm të guximshëm për të sfiduar ultra-nacionalizmin dhe ksenofobinë, të cilat duket se kanë fituar avantazh, duke rezistuar ndaj atyre qytetarëve tanë që janë të gatshëm të përdorin levat e frikës, urrejtjes dhe pasigurisë, për ata që duan të ndërtojnë mure të reja dhe të na pengojnë nga gjetja e zgjidhjeve reale.

Si bashkësi, ne kemi nevojë të mobilizojmë burimet tona dhe ta shfrytëzojmë këtë moment për të mësuar dhe mësuar reciprokisht. Kjo është një pjesë integrale e çdo përpjekje për të ndërtuar një shoqëri të re në Lindjen e Mesme. Për të nderuar në mënyrë më autentike vlerat tradicionale që Bashkimi Evropian mund dhe duhet të mbrojë, do të jetë e udhës të përkujtohet një udhëheqës i madh si Olof Palme në përvjetorin e vdekjes së tij këtë javë.

“Huffingtonpost” / Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button