Fluksi i refugjatëve drejt Gjermanisë po vazhdon, ndërsa qeveria në Berlin nuk ka gjetur ende asnjë mënyrë për të ngadalësuar atë. Besimi në aftësinë e kancelares Angela Merkel, për të trajtuar problemin është po humbet me shpejtësi, veçanërisht brenda partisë së saj
“Der Spiegel”
Vetëm 4 javë më parë se gjermanët mirëpritën me gëzim trenat e parë me refugjatë, ndërsa e pagëzuan kancelaren si “Nëna Merkel” për bujarinë e treguar. Më herët, mesazhi i Merkelit ishte:”Ne mund të bëjmë këtë!”. Megjithatë kohët e fundit, shumë komunitete të dërrmuara janë përgjigjur me:”Ne jemi të sfilitur”. Shumica e ndihmësve në “fund lajthisin”, thotë Ralf Jager, ministër i Brendshëm në landin e Vestfalisë së Rinit Verior. Dhe me asnjë zgjidhje në horizont ndaj fluksit të refugjatëve, humori në Gjermani po përkeqësohet nga dita në ditë.
Nëse numri i refugjatëve që hyjnë çdo ditë në vend, mbetet kaq i lartë sa ka qenë gjatë javëve të fundit, sipas parashikimeve të ekspertëve deri në fund të vitit, do të kenë mbërritur rreth 1 milion njerëz, shifra më e madhe se kurrë më parë në historinë e Gjermanisë moderne. “Ne po i afrohemi me shpejtësi kufijve të mundësive tona”- tha zv.kancelari Sigmar Gabriel, njëherazi kryetar i Partisë Socialdemokrate, gjatë një intervistë të premten e kaluar për “Der Spiegel”.
“Edhe pse ligji jonë mbi azilin nuk ka një tavan të sipërm, ekzistojnë kufij realë, sesa presion mund të përballojnë qytetet dhe fshatrat tona”- shtoi ai. Ndërkohë ka shqetësime në rritje, se Gjermania në fakt e ka mbërritur pikën kritike. Për shembull, tensionet ndërmjet banorëve në qendrat e mikëpritjes shpesh të mbipopulluara të refugjatëve, kanë shpërthyer në akte dhune në jo pak raste.
Për më tepër, zyrtarët e qeverisë dhe oficerët e policisë kufitare, janë dëshpërimisht në kërkim të mënyrave për të vënë nën kontroll numrin e refugjatëve. Ky debat, ka një ndikim negativ në imazhin publik të Merkelit. Një sondazh i kryer nga kompania “Infratest Dimap”, për llogari të televizionit publik gjerman ARD të premten e kaluar, tregoi se përqindja e gjermanëve të cilët janë “të frikësuar” nga numri i refugjatëve që hyjnë në vend, është rritur nga 38 përqind në muajin shtator në 51 përqind në fillim të tetorit. I njëjti sondazh, tregoi edhe se vlerësimi për Merkelin kishte rënë me 9 pikë në 54 përqind, më e ulëta e saj në gati 4 vitet e fundit.
Për njëfarë kohe, kancelarja ishte në gjendje të amortizonte akuzat gjithnjë e më të mprehta nga kreu i CSU-së Seehofer, kundër politikave të saj mbi refugjatët. Por radhës së kritikëve, i është shtuar së fundmi edhe presidenti Joakim Gauk, që në fund të shtatorit i cilësoi si “fantazi”, disa nga premtimet e bëra nga Merkel lidhur me menaxhimin e kësaj situate. Duke deklaruar se nuk ka asnjë “kufizim në numrin” e refugjatëve, që lejohen të hyjnë në vend në bazë të ligjit gjerman mbi azilin, Merkel e hapi derën tërësisht, pa patur ndërkaq një plan sesi ta mbyllë atë sërish.
Kolaps që këtë dimër?
Është një debat, të cilën Merkeli do preferonte ta shmangte. Ajo ka frikë se kështu do të jepte përshtypjen, se qeveria federale nuk e ka situatën nën kontroll. Por guvernatori i Bavarisë Seehofer, përsëriti këtë fundjavë kërkesën që Merkeli të heqë dorë nga politikat e saj aktuale ndaj refugjatëve, dhe të rrikthejë kufizimin e emigracionit.
Pa kufizimin e numrit të njerëzve që hyjnë në vend, tha ai, situata mund të degjenerojë në një “kolaps”, këtë dimër. “Ne s’mund të vazhdojmë kështu”- shtoi ai. Bavaria është në epiqendër të krizës së refugjatëve në Gjermani, me më shumë se 10 mijë njerëz në ditë që kaluan kufirin nga Austria në ditët e pikut, dhe 5000 persona mesatarisht. Të njëjtin mendim ndajnë edhe politikanë të tjerë kristiandemokratë nga landet e tjera në Gjermani. Björn Thümler, kreu i grupit parlamentar të CDU-së në parlamentin e landit të Saksonisë së Ulët, pohoi se “humori në mesin e popullsisë ka filluar tashmë të ndryshojë”.
Protestat e fundjavës së shkuar, duket se e nxorrën në pah këtë shqetësim. Të dielën, agjencitë e lajmeve vlerësuan se mbi 2.500 njerëz u mblodhën në qytetin gjerman të Sebnicit pranë kufirit me Çekinë, për të protestuar kundër refugjatëve. Ndërkohë, mbi 1.000 vetë u mblodhën për të protestuar kundër një qendre të planifikuar për refugjatët në Shemnicimn aty pranë. Të dyja këto protesta, ishin të organizuara nga lëvizja PEGIDA.
Problemi i Merkelit në këtë moment, është se ajo ka pak me të cilën mund të përballet me kritikat në rritje. “Në 90 përqind të të gjitha mbledhjeve të komisioneve, pavarësisht se çfarë është në rendin e ditës, ne fokusohemi tek çështja e refugjatëve”-tha një drejtues kristiandemokrat i grupit parlamentar. “Gjithkush e di se duhet të bëjmë më shumë”.
Parlamentarë të zemëruar, kanë raportuar në komisionet përgjegjëse mbi situatën e tensionuar në zonat e tyre zgjedhore. Andreas Shojer, sekretar i përgjithshëm i CDU-së bavareze, tha se austriakët po i marrin refugjatët dhe i çojnë drejt kufirin gjerman, përpara se t’u tregojnë sesi të shkojnë në Bavari. Një tjetër deputet nga Straubing, pranë Regensburgut, foli për refugjatët që ishin arratisur nga qendra e strehimit, pasi nuk pëlqyen kushtet e ofruara.
Një vendim për të ‘përmbytur Gjermaninë’
Merkel është e vetëdijshme, se po e humbet kontrollin saj mbi çështjen e refugjatëve. Ndjesia e publikut po ndryshon dhe klima në vend është ftohur. Por vetë kancelarja nuk dëshiron të luajë rolin e mbretëreshës së akullt. Ajo ndërkaq ka pak konsideratë për aktivizmin që ka mbërthyer partinë e saj, dhe dëshiron të vazhdojë me politikën e saj pro-refugjatëve – edhe për shkak se ajo nuk beson që alternativat e sugjeruara janë të realizueshme.
Në kuadër të kancelarisë, zyrtarët besojnë se mbyllja e kufijve të Gjermanisë është diçka e pazbatueshme. Dhe nëse kjo nuk është e mundur, vazhdon argumenti, atëherë është më mirë që thjesht të mos flitet për të. Pikëpamja e kancelares, është se asgjë nuk mund të jetë më e dëmshme, sesa një premtim politik që nuk zbatohet.
Merkel beson se e mënyra e vetme për të zvogëluar numrin e refugjatëve në Gjermani, është nëpërmjet përpjekjeve ndërkombëtare për të trajtuar problemin. Si e tillë, Kancelaria po sheh mundësinë e arritjes së një marrëveshje me Turqinë për të mbyllur kufijtë e saj evropiane për refugjatët. Por është e qartë se Ankaraja do të dëshirojë diçka në këmbim.
Burime nga CDU-ja thonë se qeveria në Ankara, po kërkon udhëtimin pa viza për qytetarët e saj, të cilën të djathtët gjermanë e kanë refuzuar prerë në të kaluarën. Duke pasur parasysh situatën e tanishme, duket se shumë politikanë të CDU-së dhe CSU-së, po e konsiderojnë këtë si një çmim të vogël për t’u paguar.
Përkthimi: Bota.al