Duke sfiduar vënien në lojë prej të ashtuquajturve intelektualë të Parisit, unë nuk e kam fshehur asnjëherë pasionin tim për disa serialë televizivë amerikanë. Në fillim nga “Columbo” tek “MacGyver”, nga “Sopranos” tek “Friends”, nga “The West Wing” tek “ER”. Dhe më pas, kam kënaqësinë të them dolën serialë televizivë të një cilësie më të lartë, të cilat mund t’i shoh pa shumë pendim, dhe ndaj të cilave jemi bërë tashmë të varur: “House”, me cinizmin freskues. “24”, me shijen e tij neokonservatore. “Homeland”, shumë më i hollë, por i bazuar mbi të njëjtën ide. Më pas erdhi i madhi “The Wire”, i cili flet më shumë për Amerikën se sa një mijë kurse shkencash politike. Dhe meqë jemi këtu, “House of Cards”, që sipas mendimit tim nuk ishte më i mirë se sa “The West Wing”, por fansat e të cilit u toleruan shumë më tepër. Por janë edhe shumë seri të tjera televizive amerikane që më kënaqin pa masë: “Mad Men” (mbi botën e reklamave, ngjarjet e të cilit zhvillohen në vitet gjashtëdhjetë), “The Good Wife” (dramë ligjore dhe politike). Si dhe shumë seri të tjera televizive po kaq ngazëllyese: “In Treatment” (mbi psikanalizën, bazuar në serinë televizive izraelitë). “Borgen” (dramë politike, nga Danimarka). “The Office” (përshkruan jetën e përditshme të disa zyrtarëve, nga Britania e Madhe) dhe kohët e fundit, një margaritar i vërtetë: “True Detective”. Janë histori të mrekullueshme, skenarë fantastikë, aktorë të jashtëzakonshëm dhe regjisorë të nivelit të lartë. Ka mjaftueshëm në secilën seri televizive, për të folur me orë të tëra. Ato janë një pasqyrë që flet shumë për kohët që jetojmë. Por, nga ana tjetër, janë një faktor i rëndësishëm në përshpejtimin e “Perëndimizimit” të botës. Dhe, ashtu si futbolli, janë tema globale bashkëbisedimi.
Pastaj vjen, shfaqja më e mirë televizive e të gjitha kohërave, e cila ka mbërthyer gjithkënd. Më e mrekullueshmja, edhe për shkak të asaj që thotë për kohën tonë: “Game of thrones”, prodhuar nga HBO, një adaptim i serisë së romaneve fantastikë të George R. R. Martin, nga e cila kemi parë tashmë tre sezone, dhe në SHBA sapo ka nisur i katërti, nën një histeri totale globale. Seria televizive flet për konfliktet politikë në një Mesjetë të sajuar, në kontinentet e Westeros (Perëndimit) dhe Essos (Lindja). Në fillim, seria ofron një kronikë të betejave të dhunshme dinastike mes familjeve dinastike të mbretërisë, për kontrollin e Fronit të Hekurt të Shtatë Mbretërive, pas një thatësire një-dekadëshe. Më pas, me dimrin që afrohet, rrezikun në rritje të krijesave mitike nga Veriu, ndërkohë që i mbijetuari i fundit i një dinastie të rrënuar përpiqet të rifitojë fronin.
E gjitha të ngjan me të tjera gjëra që kemi lexuar dhe parë nga J.R.R.Tolkien, Robert Howard apo Clive Lewis, megjithatë, suksesi i “Game of Thrones” nuk ka të krahasuar. Janë tre elementë që e shpjegojnë këtë sukses: së pari, financimi i pakrahasuar që i është dhënë kësaj serie – mjafton të shohësh natyrën globale të këtij tregu, e cila garanton që pozicionet e shkrimtarëve, efekteve specialë dhe aktorëve janë të mbushur me kandidatë të kalibrit të lartë. Së dyti, përdorimi i rrjeteve socialë ia zmadhon shumë efektin: kështu ndodhi që, pas serisë së 9 të Sezonit 3 të “Game of Thrones” u dërguan më shumë mesazhe në Twitter se sa në cdo lloj ngjarje tjetër botërore. Një video e shndërruar tashmë në kult në YouTube, tregoi reagimin e njerëzve në mbarë botën. Aq sa tashmë askush nuk po e lufton më shkarkimin e paligjshëm të serisë në internet, përmes Netflixit apo P2P, për arsye se tërheq vizitorë dhe forcon reputacionin. E fundit, dhe ndoshta më e rëndësishmja, për arsye se skenari i referohet pikërisht asaj që planetin tonë e pret në të ardhmen: dicka e ngjashme me një Mesjetë të re, plot me dhunë, trazira sociale, luftëra për pushtet, me kthesa dhe përmbysje shumë të shpejta. “Game of Thrones” përshkruan botën që do të vijë pas kolapsit të Perandorisë Amerikane, një Mesjetë e re ku asnjë fuqi nuk është e qëndrueshme, ku gjithcka mund të ndodhë.
Mund të refuzosh globalizimin. Eshtë e kollajtë të mbyllemi në botën tonë të vogël. Fatmirësisht, apo fatkeqësisht është e pamundur: Mesjeta e re ka ardhur. Ajo na magjeps. Eshtë e mbushur me premtime dhe histori frymëzuese. Eshtë e mbushur edhe me barbarizma. Ato na presin. Na takon ne t’i përdorim sa më mirë që të mundemi.