“Kur arrin në moshën time, ndjen një qetësi të jashtëzakonshme mbi afrimin e vdekjes, e cila është e pashmangshme. Jeta është një rrugë me fund të ditur, nuk mundet t’ia dalësh mbanë i gjallë nga ky planet. Duke pasur këtë gjë në mendje, ndjen një liri të jashtëzakonshme. Ndihesh jashtëzakonisht i qetë.
Unë mendoj se kur arrin moshën 80, apo 90 vjeçare, ke jetuar mjaftueshëm në këtë planet. Unë ndoshta mund të jetoj edhe ndonjë vit tjetër, por gjithsesi në fund do të ndahem nga kjo botë, duke thënë: “Mirupafshim, ka qenë një rrugëtim i bukur!”. – Anthony Hopkins
Jeta nuk është asnjëherë mjaftueshëm. Ke gjithmonë diçka që duhet ta bësh dhe kur vjen momenti që duhet të ndahesh nga kjo botë, të duket sikur nuk i ke mbyllur të gjitha gjërat. Fundi dihet, të gjithëve na pret i njëjti fund. Dikë më herët, dikë më vonë. Ama prapë, sado të kesh jetuar, jeta të duket përherë e shkurtër. Gjithmonë kërkon edhe pak më tepër kohë në këtë botë.
Aktori më sipër shprehet se në një moshë të madhe (ai është aktualisht 84 vjeç), vdekjen e pret me qetësi. Kjo është e vërtetë, pasi është diçka që e pret herët a vonë. Mirëpo të shprehesh se po largohesh i lumtur, është edhe disi një shenjë egoizmi, pasi vërtet mund t’i kesh realizuar gjithë gjërat që ke dashur të bësh, ama nuk mendon që po lëndon të tjerët përreth që të kanë dashur. Një person, sado i moshuar të jetë, nëse e ke familjar, vdekja e tij të dhimbset në çdo moment. Është një anëtar i familjes, të cilit do t’i ndihet mungesa. Nuk do të jetë më i pranishëm në vaktet e ditës, në debatet e shtëpisë, apo në daljet për qejf.
Ajo që duhet të bëjmë, është sigurisht të mundohemi ta realizojmë çdo plan që kemi, pa pasur hatërmbetje. Jetës nuk i dihet. Askush nuk e di se kur do të jetë fundi i tij. Ndaj, në kushte të tilla, le të përpiqemi të jetojmë çdo moment, pa e vrarë shumë mendjen për gjëra të kota. Le të stresohemi më pak dhe të jetojmë më tepër.