Sipas kantautorit të grupit të famshëm “Beatles”, Xhorxh Harrison, të gjitha gjërat marrin fund një ditë, dhe sipas dekadave të modeleve matematikore dhe astronomike, këtu përfshihet edhe Dielli. Atëherë, kur pritet të shpërthejë ai?
Megjithëse vdekja përfundimtare e masës diellore, pritet të ndodhë triliona vjet në të ardhmen, “jeta” e Diellit në fazën e tij aktuale, e njohur si “sekuenca kryesore” e tij – në të cilën shkrirja bërthamore e hidrogjenit, e lejon atë të rrezatojë energji dhe të sigurojë presion të mjaftueshëm për të parandaluar shpërbërjen e tij- do të përfundojë rreth 5 miliardë vjet nga tani.
“Dielli ynë është pak më pak se 5 miliardë vite i vjetër. Është një lloj ylli i moshës së mesme, në kuptimin që jetëgjatësia e tij do të jetë e rendit 10 miliardë vite apo më shumë”- thotë Paola Testa, astrofizikane në Qendrën për Astrofizikë, një bashkëpunim midis Observatorit Astrofizik Smithsonian dhe Observatorit të Universitetit të Harvardit.
Pasi Dielli të ketë djegur pjesën më të madhe të hidrogjenit që ka në bërthamën e tij, ai do të kalojë në fazën e tij të ardhshme si një yll gjigant i kuq. Në këtë pikë, pas 5 miliardë vjetësh, Dielli do të ndalojë së gjeneruari nxehtësi nëpërmjet bashkimit bërthamor, dhe bërthama e tij do të bëhet e paqëndrueshme duke nisur që të tkurret.
Ndërkohë, pjesa e jashtme e Diellit, e cila do të përmbajë ende hidrogjen, do të zgjerohet, duke marrë ngjyrën e kuqe ndërsa ftohet gradualisht. Ky zgjerim do të gëlltisë gradualisht planetët fqinjë me Diellin, Mërkurin dhe Venusin, dhe do t’i forcojë shumë erërat diellore të Diellit, deri në pikën kur ato do të shkatërrojnë fushën magnetike të Tokës dhe zhdukin atmosferën e saj.
Sigurisht, ky do të jetë me siguri një lajm i keq për çdo formë jete, që do të ketë mbetur në planetin tonë deri në atë moment. Gjithnjë duke supozuar se ndonjë i ka mbijetuar rritjes prej 10 për qind të shkëlqimit të Diellit, që pritet të avullojë oqeanet e Tokës pas 1-1.5 miliardë vjetësh, sipas një studimi të vitit 2014 të publikuar në “Geophysical Research Letters”.
Brenda disa milion viteve nga ky zgjerim fillestar, ka të ngjarë që Dielli të konsumojë gjithashtu edhe mbetjet shkëmbore të Tokës, sipas një studimi të vitit 2008 të botuar në “Monthly Notices of the Royal Astronomical Society”.
Më pas Dielli do të fillojë të shkrijë heliumin e mbetur nga shkrirja e hidrogjenit në karbon dhe oksigjen, përpara se të shpërbëhet deri në nivelin e bërthamës, duke lënë pas një mjegullnajë të madhe planetare. Mjegullnaja do të jetë e dukshme vetëm për rreth 10.000 vjet.
Ajo që do të mbetet nga Dielli, do të ekzistojnë edhe për triliona vjet duke u ftohur, përpara se të bëhet përfundimisht një objekt që nuk lëshon më energji. “Duke bashkuar shumë informacione të ndryshme nga shumë yje të ndryshëm, astronomët dhe astrofizikanët mund të ndërtojnë një model për mënyrën se si evoluojnë yjet. Kjo na jep një supozim shumë të saktë se sa i vjetër është Dielli”- thekson Testa. / LiveScience – Bota.al