Për mijëra vite, gjuetarët sunduan Evropën, derisa papritmas u zhdukën rreth vitit 5000 para erës sonë. Deri kohët e fundit, shkencëtarët mendonin se ata u masakruan nga fermerët emigrantë, por kërkimet e të reja kanë zbuluar se të dy popujt e Epokës së Gurit, jo vetëm jetuan në Evropë në të njëjtën kohë, por ata gjithashtu jetuan së bashku
Nga Rasmus Kragh Jakobsen
Të huajt erdhën papritmas. Ditë për ditë, pylli i bënte jehonë goditjes së sëpatave të tyre të gurit, teksa prisnin pemët e vjetra, për të marrë materiale ndërtimi. Ata jetonin në grupe në banesa të mëdha në formë kërpudhe, ndërsa fushat e gjuetisë mbilleshin me elb dhe grurë. Edhe pse luftëtarët fisnorë rrëmbyen armët, ata nuk mundën të ndalonin të ardhurit e rinj, të cilët po shtoheshin gjithnjë e më shumë.
Pas një kohe jo shumë të gjatë, fiset vendase thuajse u shfarosën, dhe disa që i mbijetuan masakrës u larguan drejt veriut. Kjo është ajo që shkencëtarët mendonin se kishte ndodhur, kur fshatarët e parë mbërritën në Evropë dhe hynë në territorin e gjahtarëve. Por zbulimet e reja arkeologjike, tregojnë se takimi mes dy kulturave nuk ishte vetëm një luftë dramatike për tokën, jetën dhe vdekjen.
Përkundrazi, duket se fermerët dhe gjuetarët jetuan në paqe krah për krah në Evropë, për mijëra vjet me radhë. Arkeologët e dinë se bujqësia u përhap në Evropë nga Pllaja Anadolliane, ku shtrihet aktualisht Turqia e sotme. Shkencëtarët, kanë qenë në gjendje të vëzhgojnë zhvillimin e kulturës në kontinentin evropian, falë zbulimeve të bëra tek shtresat 7.000-vjeçare të tokës.
Gjurmët e mbetura nga fermat dhe shkallët karakteristike, të shumëfishuara në një një pikë të caktuar, dhe pastaj, të gjitha provat e ekzistencës së gjahtarëve nomadë, të cilët sunduan Evropën për gati 45 mijë vjet, zhduken. Ndryshim i mëhershëm dhe i papritur ndërmjet dy kulturave, bëri që arkeologët të besonin se fshatarët e parë arritën ta mposhtin popullsinë vendase, duke e shfarosur shpejt dhe duke pushtuar territorin e saj.
Gjenet dokumentojnë historinë
Vitet e fundit, objektet arkeologjike janë plotësuar me fushën e re shkencore, gjenetikën e fosileve. Studimet e materialit gjenetik nga skeletet, që datojnë disa mijëvjeçarë, kanë zbuluar prova të reja vendimtare të asaj që ka ndodhur në të vërtetë, kur u takuan të dy këta popuj, me stile të ndryshme jetese.
Një nga rezultatet më të habitshme nga studimi i ADN-së, i atribuohet një grupi shkencëtarësh nga universiteti “Johannes Gutenberg” në Gjermani. Shkencëtarët, studiuan ADN-në e disa skeleteve të gjetura në një shpellë me emrin “Blätterhöhle” në Hagen, Gjermani.
Për disa mijëvjeçarë, shpella kishte funksionuar si një lloj katakombi, ku njerëzit varrosnin të vdekurit e tyre. ADN-ja e 25 skeleteve, dëshmon se gjuetarët dhe fermerët, kanë përdorur të njëjtën shpellë si vend varrimi, për jo më pak se 2 mijë vjet, duke jetuar dhe vdekur përkrah njëri-tjetrit.
Analizat e skeletit të dhëmbëve, tregojnë se tek të dyja kulturat, kishte shprehi shumë të ndryshme mbi të ngrënit. Gjuetarët hanin kryesisht peshk, ndërsa fshatarët jetonin me grurë, çka dëshmon se ata ndanë tokën dhe burimet mes tyre. Gjuetarët peshkonin nëpër lumenj, ndërsa fshatarët mbillnin në fusha. Ndonëse shkencëtarët kanë të dhëna vetëm nga një vend, ata besojnë se kjo lloj bashkëjetese ishte ndoshta e përhapur kudo në Evropë, ku fermerët dhe gjuetarët u takuan me njëri-tjetrin.
Gjene të përziera
Teoria e bashkëjetesës mbështetet edhe nga studimi më i gjerë i kryer deri më tani, mbi gjenetikën e njerëzve parahistorikë. Një tjetër grup shkencëtarësh, po nga universiteti “Johannes Gutenberg”, ka renditur gjenet e 364 skeleteve të gjetura në 25 vende të rajonit “Mittelelbe-Saale” në Gjermani, një pjesë kjo e Evropës ku kultura të ndryshme, janë kryqëzuar me njëra-tjetrën.
Shkencëtarët, mundën të konstatojnë se edhe pse gjenet e gjuetarëve thuajse u zhdukën krejtësisht nga Evropa Jugore dhe Qëndrore, dhe më së pari për shkak të grupit të madh të të ardhurve, kultura e tyre nuk u zhduk. Bujqësia u përhap më tej në veri, ndërsa fshatarët edhe një herë hasën përballë gjuetarët.
Kur ata u takuan, jo vetëm që arritën të jetonin së bashku, por gjithashtu krijuan një kulturë të tërë të re, të njohur si kultura “Funnelbeaker”. Kjo e fundit, karakterizohet nga një përzierje e jetesës së gjuetarëve dhe fermerëve. Kultura e re përbëhet nga një popull baritor, që mbarështon bagëti, ashtu si edhe fermerë, dhe prodhojnë të njëjtat enë qeramike në formën e gypave, prej nga dhe ka marrë emrin kultura e tyre.
Por njerëzit e rinj, gjithashtu shkonin për të shkuar peshkuar apo gjuanin kafshë të egra, ashtu siç bënin gjuetarët origjinalë. Pas 1.000 vjetësh, kultura e re u zhvendos në jug të Evropës, duke u përzjerë me fermerët, e duke përhapur sërish gjenet e gjahtarëve.
Një grup shkencëtarësh suedezë nga universiteti i Upsalas, ka gjetur ndërkohë mbetje gjenetike të kulturës evropiane të veriut, një përzierje e gjuetarëve dhe fshatarëve. Në studimet e tyre të 11 skeleteve, 5000-7000-vjeçarë suedezë, ata mundën të shohin sesi gjenet karakteristike të kulturës fshatare, ishin të përziera me gjenet e gjuetarëve. Zbulimi tregon se fermerët nuk e shtypën popullsinë vendase, përkundrazi ata ishin në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer njohuri dhe madje u martuar dhe patur fëmijë nga njëri-tjetri.
Në fund fshatarët triumfuan mbi gjuetarët
Edhe pse kultura fshatare nuk e zhduku të gjithën menjëherë atë gjuetare, kultura e lashtë ishte jashtë konkurrence, me një mënyrë të re e të zgjuar të jetës. Stili i jetesës në bujqësi, përfshinte përparësi të natyrshme, në krahasim me atë të gjuetarëve, të tilla si të qenit në gjendje për të ndërtuar vendbanime të përhershme.
Kjo do të thoshte se ishte e lehtë për fermerët të kishin më shumë fëmijë. Dhe për rrjedhojë numri i tyre u rrit shumë shpejt. Përveç kësaj, të merreshe me bujqësi dhe blegtori, do të thoshte shumë më pak mungesë ushqimi. Edhe nëse dimri do të ishte veçanërisht i ftohtë dhe i gjatë, ose nëse të korrat do të dështonin, fshatarët mund të jetonin, me tepricat e të korrave të mëparshme.
Kështu numri i fermerëve u rrit, ndërsa gjuetarët u reduktuan në numër, dhe ishin më të shpërndarë në hapësirë. Ata s‘do të ishin kurrë të sigurtë nëse do të gjenin ushqim. Dhe për shkak të kulturës së tyre nomade, ata s’mund të kishin shumë fëmijë, çka ishte shumë pak për të ruajtur popullsinë. Ndërkohë, zgjerimi i fushave dhe vendbanimeve të fermerëve, do të thoshte se gjuetarët, duhet të largoheshin nga bazat e tyre të gjuetisë.
Pra, gjuetarët nuk u spastruan aq shpejt dhe brutalisht, nga të sapoardhurit: ata në heshtje u asimuluan nga deti i madh i fshatarëve. Bujqësia dhe blegtoria prodhuan një tepricë ushqimi. Kësisoj, disa njerëz nuk kishin më nevojë, për të siguruar ushqim për veten e tyre. Evropianët do të kursenin kohë, për zhvillimin e profesioneve të reja dhe teknologjitë. Gjithashtu teprica e ushqimit tregtohej. Ndaj për të qenë në gjendje të mbanin shënime, mbi sasinë e grurit në magazinë, u zhvillua gjuha e shkruar. Për pasojë, mënyra e jetesës së fshatarit, shtroi rrugën për ekonominë, themelimin e qyteteve dhe gjuhës së shkruar: të gjitha këto karakteristika të qytetërimit modern./new scientist/
www.bota.al
5 minutes read