MAINNunc est Bibendum

Kur thuhet .. “pa dallim feje’’! Verë nga Lindja

Siç e kemi thënë edhe më parë në Nunc Est Bibendum: Jo vetëm mbi verëtarë, a verëra, do të jenë shkrimet tona, por edhe mbi të tjerë, njerëz të verës, siç i ‘’pagëzoi’’ puna ndër vite, që i çoi të njihnin copëza terreni, varietete, histori, tradita, teknologji. Me pak fjalë, ata që ishin aty e që i provuan apo i krijuan. Shpeshherë ishin verëra që ndoshta kurrë sdo të vijnë më. Se vetë toka ka ndryshuar, se shijet,  pritshmëritë nuk janë më si më parë

Kësaj here, me sytë nga Lindja, për të sjellë një shembull të pashoq të jetës dhe punës në harmoni… paçka se në shërbim të vreshtit.

Bëhet fjalë për një nga kantinat më të veçanta në krahinën e Judesë: pjesërisht në territorin izraelit, pjesërisht përtej murit, në të ashtuquajturin Bregun Perëndimor (apo CisJordani). Po, kjo është padyshim një kantinë e veçantë. Quhet Cremisan Winery dhe u themelua në fund të shekullit të 19-të, brenda një manastiri bizantin të shekullit të 7-të pas Krishtit. Kantina e verës u themelua nga Don Antonio Belloni, një mik i madh i Don Boskos dhe një misionar salezian në Tokën e Shenjtë.

Ky realitet administrohet ende nga salezianët, por 75% e tokës në të cilën rriten hardhitë i përket fermerëve të zonës, pjesërisht palestinezë, pjesërisht izraelitë. Të gjithë arrijnë të bashkëjetojnë në të njëjtin realitet, ku çdo ditë punojnë krah për krah katolikët, të krishterët protestantë, hebrenjtë dhe myslimanët. Mundi i tyre  është i përbashkët teksa mbërrijnë në punë, me luftën, me vreshtat e ndarë nga muri dhe pikat e kontrollit me ushtarë izraelitë të armatosur që duhen kaluar çdo ditë.

Stabiliteti i këtij komuniteti është vënë padyshim në rrezik pas asaj që ndodhi në Izrael më 7 tetorin e vitit të kaluar e që po vijon që atëherë, në Gaza dhe pjesërisht edhe në Bregun Perëndimor. Edhe pse kohët janë të vështira dhe bashkëjetesa tashmë është padyshim më problematike, Cremisan Ëinery ka arritur të mbijetojë e padëmtuar gjatë gjithë këtyre muajve dhe vazhdon të prodhojë verërat e saj, të cilat u vlerësuan për herë të parë edhe në Vinitaly. Produktet e saj vijnë nga hardhi shumë të ndryshme kultivuar në të dy anët e murit: si rrushi Cabernet Sauvignon, Merlot, Petit Verdot, Baladi dhe Syrah, të cilët, kur përzihen, prodhojnë një nga shishet kryesore: Star of Betlehem, ose si Baladi, një tjetër verë e kuqe që vjen nga rrushi me të njëjtin emër me origjinë nga Palestina, e që rritet  vetëm në luginën e Kremisanit dhe në Hebron. Ashtu si edhe Dabouki, një verë e bardhë nga rrushi me të njëjtin emër që ekziston vetëm në rrethinat e Betlehemit dhe Hebronit. Nisur nga natyra e veçantë e kësaj kantine, nuk kishte si të mungonin edhe verërat për meshë.

Verëtaria së bashku me verën në Cremisan Winery, ia del pra, të bëjë bashkë  myslimanë,  të krishterë e hebrenj. Vetëm pse bëhet fjalë për një ‘’bijë’’ tokës së shenjtë, apo do të arrinte këto efekte edhe kudo tjetër? Na pëlqen të besojmë këtë të dytën.

Back to top button