Histori

“KURTHI I MJALTIT” / Spiuni në krevat, ose joshja si armë

E quajnë “honey trap”, ose kurthi i mjaltit: kur agjentët e fshehtë kanë përdorur armën e joshjes

spiuni

E quajnë “honey trap”, ose kurthi i mjaltit: kur agjentët e fshehtë kanë përdorur armën e joshjes

Sa kohë do të ekzistojë spiunazhi, do të ketë Romeo që do të pushtojnë viktima të pavetëdijshme”. Deklaratën e ka bërë një ekspert i vërtetë në materie, ish kreu i shërbimeve të fshehtë të Republikës Demkratike Gjermane, Markus Wolf, ideatori i krijimit të një grupi spiunësh të specializuar në joshjen e “Xhuljetave”. Me një fjalë, ndonjëherë për të bërë luftë, duhet të bësh … dashuri. Për të futur në kurth dikë apo për t’i marrë informacione, nuk ka gjë më të mirë se sa t’i shfrytëzosh vetminë apo dëshirat seksuale. E dëshmon këtë suksesi konstant i një arme të vjetër të spiunazhit, honey trap, “kurthi i mjaltit”: në praktikë, një agjent që përdor artin e dashurisë për të futur në kurth një kundërshtar. Sigurisht, nuk mund të përjashtohet apriori që një marrëdhënie e nisur në këtë mënyrë të mund të transformohet në dashuri të vërtetë. Por zakonisht, një ditë të bukur viktimat zbulojnë se nuk janë dashnorë të parezistueshëm, por buratinë më të ngjashëm me një bashkëshort klasik: domethënë, ai që është gjithmonë i fundit që e merr vesh që po e tradhëtojnë.

Emri i koduar, Cindy
Në vitin 1986 Mordechai Vanunu, një teknik izraelit që kish punuar në impiantin bërthamor të Dimonas, i zbuloi gazetave angleze se Izraeli kishte një arsenal bërthamor. Pohimet e tij jo vetëm që binin ndesh me ata zyrtarë të vendit, që shfaqnin një lloj ambiguiteti të pazgjidhshëm, por sipas tij, mund të verifikoheshin në çdo kohë. Sigurisht, gazetat angleze iu vunë të gjitha punës për të të bërë bashkë të gjithë versionin e rrëfimeve të Vanunu. Sunday Times bëri më të mirën dhe i ofroi një strehim të sigurtë ndërkohë që përpiqej të verifikonte detajet e historisë së rrëfyer prej tij.
Pushime romane. Megjithatë, një ditë Vanunu u deklaroi “gorillave” të dërguar nga gazeta se kishte njohur një vajzë me të cilën po projektonte një fundjavë romantike në Romë. Gazeta nuk mundi ta mbajë me zor, por ishte një gabim shumë i rëndë. Mikesha e re e Vanunu nuk ishte siç thoshte një studente amerikane, por një agjente e Mossadit: Cheryl Ben Tov, me emrin e koduar Cindy. Detyra e saj, më shumë se sa të joshte Vanununë, ishte që ta nxirrte atë jashtë nga Mbretëria e Bashkuar: duhej të largohej dyshimi nga një komplot izraelit, gjë që do të ishte e pashmangshme nëse ai do të zhdukej në vendin ku kërcënonte se do të zbulonte gjithçka. Sapo mbërriti në Romë, Vanunu u rrëmbye nga agjentë të Mossadit, u drogua dhe u dërgua me anije në Izrael, ku u gjykua për tradhëti. Pasi u dënua, qëndroi në burg për 18 vjet, 11 nga të cilët në izolim. Pasi u lirua në 2004, ai është megjithatë i detyruar që të strehohet në Jeruzalem dhe nuk mund të takojë të huaj, të përdorë internetin apo të përdorë një telefon celular. Dhe Cindy? Ajo jeton bashkë me bashkëshortin dhe dy bijat në SHBA, ku ka patur sukses si agjente. Pronash të paluajtshme.

Legjendarja Mata Hari
Edhe pse është e njohur si një nga spiunet më legjendare të Shteteve të Bashkuara, ndoshta Mata Hari nuk kishte aspak të bënte me spiunazhin. Pat Shipman, autore e një biografie të saj, këmbëngul se më shumë se sa një femër kurthesh, ajo ishte një njeri i sinqertë që në fakt u fut në kurth nga njerëz prej të cilëve nuk donte informacione, por thjeshtë dashuri. Që e vogël, holandezja Margaretha Geertruida Zelle kish qenë e preferuara e babait dhe ishte rritur me dëshirën për t’i pëlqyer seksit të fortë. Në vitin 1893, në moshën 16 vjeçare, u dëbua nga shkolla për shkak të një marrëdhënieje me drejtorin. Dy vjet më vonë njohu kapitenin Rudolf MacLeod: i gjatë, bukurosh dhe shumë më i madh se ajo. Tërheqja ishte e menjëhershme: u martuan tre muaj më vonë dhe u transferuan në Java në Indonezi, por martesa u fundos shumë shpejt dhe ajo, pa para, vendosi të transferohet në Paris. Këtu, pas disa takimesh “me pagesë”, gjeti punë në një cirk. Jepte shfaqje duke ekzekutuar vallëzime që i kish mësuar në Lindje: me emrin Mata Hari, “Syri i ditës”, ajo u bë e famshme dhe fitoi, përveçse teatrot më të mëdhenj të Europës, edhe një seri të gjatë dashnorësh. Mes tyre, një diplomat gjerman në Hagë, Alfred von Kremer (por disa historianë e njohin si Karl Kramer). Ishte ai që i dha, në vitin 1916, 20 mijë franga, një detyrë të fshehtë dhe një emër të koduar: H21.
Mata Hari mori paratë, por – me sa duket – nuk mori seriozisht detyrën. Madje, pasi u kthye në Paris pranoi që të bëhej spiune për Francën, në këmbim të një kompensimi astronomik prej 1 milionë frangash. Për punën e saj ka shumë dyshime: disa thonë se ajo nuk dha asnjëherë asnjë informacion, shumë e zënë me fitimin dhe dashurinë, ndërkohë që të tjerë thonë se ishte pikërisht fakti që spiunoi si për gjermanët, ashtu edhe për francezët që ishte fatal për të. Në çdo rast, kur në Gjermani nisën të dyshojnë për lojën e dyfishtë, dërguan një telegram të koduar me udhëzime për agjenten H21, duke përdorur megjithatë një kod të vjetër të dekriptuar tashmë prej francezëve, të cilët zbuluan kështu identitetin. Mata Hari u arrestua në 13 shkurt 1917. Kundër saj mungonin provat solide për veprimtari spiunazhi. Megjithatë, shkruan Shipman, Mata Hari kishte një faj: “Ishte një grua e bukur, udhëtonte e vetme, ishte e pasur, dhe e dëshiruar. Edhe gjatë procesit gjyqësor pranoi se kishte shumë dashnorë. Pra ishte imorale dhe tek ajo nuk duhej besuar”. Zelle u ekzekutua në 15 tetor 1917. Atë mëngjes u vesh me kujdes, përshëndeti ekzekutorët dhe refuzoi të mbulojë sytë.

Klima e Luftës së Ftohtë
Për Jevgeni Ivanovin, diplomat rus në Londër në fillim të viteve gjashtëdhjetë, jeta me siguri dukej si një festë: ishte i pashëm, i shoqërueshëm, shumë popullor në trupin diplomatik dhe mysafir i shpeshtë në festat e Stephen Ward, i njohur për ftesat që u bënte grave më të bukura të Londrës. Mes tyre ishte Christine Keeler, një vajzë e emancipuar që u bë shumë shpejt e dashura e tij. Pak kohë më vonë, Christine nisi të frekuentojë edhe sekretarin e shtetit John Profumo, i martuar. Por Ivanovi nuk ishte një tip xhelozi, edhe sepse, sipas disa hipotezave, ishte ai vetë që organizonte për llogari të shërbimeve të fshehtë rusë takime me persona me ndikim, të cilët përgjoheshin ose filmoheshin në fshehtësi.

Problemi lindi sidomos kur në 1963, marrëdhënia mes Profumo dhe Keeler përfundoi në gazeta. Skandali, nga një tradhëti banale mori shumë shpejt notat e një rasti spiunazhi. Pavarësisht mungesës së provave, Profumo u detyrua që të japë dorëheqjen, edhe pse gjithmonë mohoi që të kishte zbulkuar sekrete. Keeler fitoi shumë para për shkak të rrëfimeve të saj për shtypin: bleu edhe një apartament pranë Pallatit Mbretëror, por vetëm pas pak vitesh humbi pothuajse gjithçka në investime të gabuar. Ivanov u thirr në Moskë, prej ku nuk pushoi asnjëherë së talluri me të gjithë historinë e spiunazhit duke e quajtur një barcaletë. Profumo u fal nga bashkëshortja, por karriera e tij politike ishte mbyllur tashmë. Vdiq në 2006, në moshën 91 vjeçare.

Berberi homoseksual
Gazetarit Jeremy Wolfenden i takoi ndoshta të humbasë jetën për shkak të një honey trap. Por në versionin mashkullor. Pas studimeve në Eton dhe Oksford, ai ish bërë korrespondent i Daily Telegraph në Moskë. Por kishte dy dobësi që e bënin një “pre të lehtë”: homoseksualiteti, i papranueshëm në mesin e viteve gjashtëdhjetë (edhe pse babai i tij, lordi John Wolfenden ndonëse i neveritur nga prirjet e të birit ishte njeriu që bëri të legalizohet homoseksualiteti në Mbretërinë e Bashkuar) dhe pasionin për pijen. Kurthi i tij ishte një berber në shërbim të ministrit të tregtisë së jashtme në BS: takimet e tyre u dokumentuan nga një fotograf i fshehur prapa një dollapi në Hotel Ukrainë, atje ku takoheshin. Me ato fotografi KGB synonte të detyronte Wolfenden që të bënte spiunin për rusët.
Por gazetari vendosi që t’ia rrëfejë gjithçka ambasadës angleze në Moskë. Kështu, sapo u kthye në shtëpi në Londër për një pushim të shkurtër, ai u thirr nga një zyrtar i kundërspiunazhit, i cili i sugjeroi që të bashkëpunojë me rusët, por të lajmëronte anglezët për operacionet që kryente për llogari të tyre. Por, loja e dyfishtë i rriti stresin si dhe e bëri të vazhdojë e të pijë më shumë. Gjatë një pritje në ambasadën angleze në Uashington ai takoi përsëri zyrtarin e MI5. Mendoi që e ndiqnin kudo. Gjithnjë e më i tensionuar nisi ta humbë shpesh. Vdiq në vitin 1965 në moshën 31 vjeçare: Kufoma e tij u gjet në banjë, me kokën e deformuar për shkak të përplasjes me murin. Incident apo krim?

Spiunët Romeo
E quanin njeriu pa fytyrë. Markus Wolff, njeriu që për shumë vite nuk lejoi ta fotografonin, ishte një prej anëtarëve më brilantë të shërbimeve të fshehtë të Gjermanisë Lindore. Për këtë arsye konsiderohet modeli frymëzues i John Le Carre për personazhin e “Karlas”, mjeshtëri i kundërspiunazhit sovjetik në librat e tij për luftën e ftohtë (edhe pse autori e ka mohuar gjithmonë). Në fillimin e viteve pesëdhjetë, Wolf kishte kuptuar se vdekja e miliona burrave gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte favorizuar karrierën e shumë grave në qeveri, në tregti dhe në industrinë e Gjermanisë Perëndimore. Shumë prej tyre ishin të vetme dhe të gatshme të binin në krahë don zhuanësh. Për këtë arsye Wolf organizoi një departament të veçantë të Stasit, të destinuar për agjentët më të pashëm dhe inteligjentë: spiunët “Romeo”. Duke joshur gratë me pushtet, në një pikë Romeot mundën të infiltrojnë deri në sekretarinë e Helmut Schmidtit, kancelar i republikës Federale Gjermane në vitet shtatëdhjetë.
Nga lindja në perëndim. Mekanizmi i ideuar nga Wolf funksionoi deri kur kundërspiunazhi i Gjermanisë Perëndimore gjeti një mënyrë për të identifikur agjentët e Republikës Demokratike Gjermane para se këta të kishin suksese: vëzhgimi i modelit të prerjes së flokëve të tyre.

Në fakt, kur hynin në republikën Federale vazhdonin të kishin një prerje praktike në krahë, në vend të modelit kapelon që ishte në modë në perëndim.
Karriera e Wolfit përfundoi me ribashkimin e Gjermanive. Në 1993 u akuzua për tradhëti, por në apel kjo u hodh poshtë për arsye se u konkludua që Markus Wolff kish vepruar në favor të atij që dikur ishte vendi i tij. Një proces i dytë për një rrëmbim të kryer nga Stasi solli një dënim me dy vite, më pas i pezulluar. Vdiq në moshën 83 vjeçare, ditën e përvjetorit të 17 të rënies së Murit të Berlinit.

bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button