Simbol i infinitit (pafundësisë), i referuar si një 8 e përmbysur në pozicionin horizontal, u krijua dhe u përdor për herë të parë nga Xhon Uollis në vitin 1655, por filloi të përdoret ndërkombëtarisht vetëm nga viti 1800. Uollis qe një studiues anglez dhe autor i shumë traktateve shkencore mbi çështje të ndryshme në lidhje me matematikën dhe gjeometrinë, duke përfshirë pikërisht analizën e serive të pafundme, dhe dhënë kësisoj një kontribut thelbësor në zhvillimin e llogaritjeve në infinit.
Nuk dihet me siguri arsyeja e vërtetë pse Xhon Uollis përdori pikërisht këtë simbol, megjithatë ekzistojnë disa hipoteza lidhur me këtë çështje. Një nga pretendimet më të besueshme, është se simboli i infinitit rrjedh nga transformimi i gërmes M që sipas numërimit romak tregon një numër jashtëzakonisht të madh, të barabartë me 1000.
Një tjetër hipotezë është ajo që lidh me deformimin grafik të shkronjës greke f (phi ), shumë të ngjashme me numrin 8 e përmbysur. Një hipotezë e tretë, ia atribon lindjen e simbolit, deformimit të dy shkronjave të para të fjalës latine aequalis (që do të thotë “të barabartë”), e përdorur dikur për të treguar barazinë. Në matematikë ky simbol është i lidhur me konceptin e limitit, i përdorur edhe në teorinë e të përbashkëtave, në gjeometrinë projektive dhe atë algjebrike (ku quhet edhe lemniskata).
Në filozofi simboli infinit tregon gjithçka që nuk ka kufij, që është e pafundme, dhe që për këtë arsye lidhet shpesh me imazhin e Zotit. Sot, simboli i infinitit është shumë i vlerësuar, aq sa përdoret edhe në industrinë e modës, në të cilën ne shohim të riprodhohet në mënyrë të veçantë në aksesorë dhe bizhuteri, si byzylykët, varëset dhe unazat, por edhe në tatuazhe. /bota.al