Kur një ndërmarrje apo një person privat falimenton, hapat e tjerë janë të rregulluar qartë me ligj. Çështja çohet para gjykatësit, dhe rrjedha e mëtejshme përcaktohet pra nga një instancë neutrale dhe jo nga kreditorët e zemëruar.
Me Greqinë nuk është kështu. Këtu janë huadhënësit vetë, ato që i bëjnë gjyqin borxhliut. Ato përpiqen këtu të mbrojnë interesat e tyre dhe e quajnë atë “shpëtim”, ndërsa klima e bisedimeve helmohet prej mosbesimit dhe akuzave.
Filozofi Jürgen Habermas sheh këtu dështimin e politikanëve europianë: “Ata në fakt duken si politikanë, por komunikojnë vetëm në rolin e tyre ekonomik, si kreditorë”, thotë Habermas në një shkrim për gazetën Süddeutsche Zeitung.
Kundërshtimi i bankave
Negociatat e dështuara kanë treguar se sa problematik është roli i shumëfishtë i shteteve evropiane: Si kreditorë ato duan t’i diktojnë debitorit masat e kursimeve dhe të kontrollojnë madje vetë edhe zbatimin e tyre. Që në gjithë këtë merr pjesë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), një organizatë që është e spezializuar për shtete me borxhe të larta, e bën edhe më të dukshëm konfliktin e interesit të europianëve.
FMN-ja që në fillim të vitit 2000 ka këmbëngulur për një ligj të falimentimit të shteteve, deri tani më kot. “Atëherë bankat ndërkombëtare e patën kundërshtuar këtë kërkesë”, thotë Thomas Mayer, drejtor themelues i Flossbach von Storch Research Institute. “Bankave u interesonte më shumë që FMN-ja të ndërhynte me kredi, që t’u kthehen mbrapsht të gjitha paratë”, thotë Mayer për DW. Ai e di pozicionin e industrisë financiare, deri në vitin 2012 ai ka qenë kryeekonomisti i Deutsche Bank.
Ka vërejtje të tjera kundër një ligji të falimentimit. Këto janë le të themi çështje ligjore, se sa thellë lejohet të ndërhyhet në sovranitetin e një shteti. Por ky problem ekziston që në vitin 2011, kur Gjermania, Franca dhe vendet e tjera të eurozonës ia ndaluan kryeministrit grek Jorgo Papandreu, që të shpallte referendumin për kursin e mëtejshëm të shtetit në krizën e borxhit.
Falimentimi i shtetit konsiderohej prej kohësh si një problem i vendeve në zhvillim. “Procedura e falimentimit për vendet e zonës së Euros është diskutuar, por nuk është përcaktuar”, thotë Mayer. “Është menduar se është e panevojshme dhe se Greqia është rast i vetëm.”
Frika nga zgjedhësit
Meqë nuk ekziston një procedurë për falimentimin, FMN këmbëngulte të paktën për një lehtësim të mëtejshëm të borxhit për Greqinë. Ekonomistët mendojnë se borxhet e larta të këtij vendi nuk do të mund të paguhen kurrë tërësisht.
Por evropianët nuk duan t’ia dinë për këtë. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe homologët e saj merren aq kohë me politikë, saqë e dinë se duhet të kenë frikë nga zgjedhësit. Pasi bankat e mëdha i hoqën qafe kreditë e këqija greke me ndihmën e politikës, Merkel paraqitet si shenjtore mbrojtëse e taksapaguesve gjermanë, të cilët nuk duan që paratë e tyre të humbasin në Greqi.
Propozimin, që të paktën disa prej detyrimeve greke të kalonin nën kompetencën e ombrelës e shpëtimit ESM, Merkel e luftoi gjithashtu, fundja edhe për të përgjigjeshin taksapaguesit. Mesazhi moral i kancelares drejtuar grekëve: borxhet duhet të paguhen.
Leksione nga Gjermania
“Kjo është për të qeshur”, thotë ekonomisti francez Thomas Piketty në një intervistë me gazetën javore gjermane, “Die Zeit”. “Gjermania është vendi, që kurrë nuk i ka paguar borxhet e veta. Ajo nuk mund t’u japë leksione vendeve të tjera.”
Në marrëveshjen e borxhit të Londrës të vitit 1953 kreditorët, duke përfshirë Greqinë, i falën Republikës së re Federale shumicën e borxhit – duke bërë në këtë mënyrë të mundur mrekullinë ekonomike gjermane të periudhës së pasluftës.
Edhe në qoftë se Gjermania dhe vendet e tjera të zonës së euros janë kundër: “Në një farë mënyre do të ketë një falje tjetër të borxhit”, thotë Johannes Mayr, ekonomist në Bayerische Landesbank. “Ai mund të jetë eksplicit – ose dhe kjo është më e mundshme – problemi do të zhvendoset në të ardhmen nëpërmjet një shtyrjeje të mëtejshme.”
Dëm maksimal, pa zgjidhje
Tendenca e politikës evropiane, për të shtyrë problemet dhe për të luajtur me kohën, të çon në probleme shumë të çuditshme. Këtë e tregon shembulli i negociatave të pasuksesshme, që zgjatën shumë muaj ndërmjet Greqisë dhe Eurogrupit. “Ndërsa ne kemi negociuar për më shumë se 7,2 miliardë euro dhe nuk kemi mundur të biem dakord për kushtet, bankat greke kanë marrë 90 miliard euro kredi emergjente pa kushte”, thotë Thomas Mayer nga Flossbach von Storch Research Institute. Fjala është për kreditë e emergjencës, që u dhanë me miratimin e BQE nga Banka Qendrore e Greqisë.
Mayer pret që në referendumin grek shumica të votojë për masat e kursimit. Pas zgjedhjeve të reja mund të fillonin negociatat për një tjetër program ndihme. FMN-ja vlerëson se Greqisë i nevojiten 50 miliardë euro. Dëm maksimal pa zgjidhje të problemit – pikërisht kjo është ajo që duhet të pengojnë procedurat e falimentimit, apo falja e borxhit. Do të zgjasë ndoshta disa kohë, derisa kjo të mos pranohet edhe në Evropë.
Linku: http://www.dw.com/sq/kush-janë-paditësit-dhe-gjykatësit-e-greqisë/a-18561469