Analiza

Kush po i vret aleatët e ish-presidentit ukrainas Viktor Janukoviç?

Screen Shot 2015-04-22 at 21.51.30

Nga Victoria Butenko dhe Don Melvin

Pyetja e sikletshme në Kiev është kjo: Kush po i vret aleatët e ish-presidentit ukrainas të rrëzuar një vit më parë nga pushteti, Viktor Janukoviç?

Ideja se kjo mund të jetë duke ndodhur, nuk është krejtësisht e re. Por çështja është rikthyer në rendin e ditës sërish këtë javë, me dy vrasje të profilit të lartë në kryeqytetin ukrainas – njëri nga viktimat, ish-anëtar i parlamentit që kishte lidhje me Janukoviç, tjetri një gazetari i njohur për pikëpamjet e tij pro-ruse.

Oleg Kallashnikov, ish-anëtar i parlamentit, u qëllua për vdekje në orën 7 të pasdites të së mërkurës në hyrje të banesës së tij. Kallashnikov, 52-vjeç, ishte anëtar i Partisë së Rajoneve, ish-partia qeverisëse në Ukrainë, dhe një njeri i afërt me Janukoviç. Policia po e heton vdekjen e tij si një vrasje. Një ditë më vonë, të enjten, gazetari Oles Buzina, 45-vjeç, u vra pranë shtëpisë së tij, nga të shtënat e dala prej një automjeti tip “Forc Focus” me ngjyrë blu të errët, tha këshilltari i Ministrisë së Brendshme Anton Herashçenko. Raportohen se targa e makinës, dyshohet të ketë qenë nga Letonia ose Bjellorusia.

Disa prej vdekjeve të dyshimta të muajve të fundit

Vrasjet kanë ricikluar spekulimet, të nxitura nga vdekjet të mëhershme të pazakonta, mbi një komplot për të vrarë njerëzit e afërt të Janukoviç. Të paktën tre ish-anëtarë të parlamentit në Partinë e Rajoneve, njoftohet se kanë kryer vetëvrasje në 7 javët e fundit:

• Në 28 shkurt, Mikail Çeçetov, thuhet se u hodh nga dritarja e banesës së tij në katin e 17-të në Kiev, duke lënë një shënim që  të linte të mendohet se ishte vetëvrarë. Ai ishte i dyshuar se kishte falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në fillim të vitit 2014, të cilat në thelb shkaktuan protestën e qindra mijëra njerëzve kundër qeverisë së Janukoviç, dhe në fund rrëzimin e këtij të fundit.

• Në 9 mars, Stanislav Melnik, një ish-anëtar i parlamentit në Partinë e Rajoneve, dhe drejtues i disa bizneseve në qytetin separatist filosrus të Donjeckut, u gjet i vdekur në banesën e tij pranë Kievit. Edhe për të, thuhet se kishte lënë një shënim të shkurtër se ishte vetëvrarë.

• Dhe tre ditë më vonë, në 12 mars, Oleksandër Peklushenko, një tjetër ish-anëtar i parlamentit, u gjet në shtëpinë e tij në Zaporizhia, në juglindje të Ukrainës, i vdekur nga një plagë plumbi. Policia po heton mbi skenare të ndryshëm, duke përfshirë edhe vetëvrasjen. Këshilltari i Ministrisë së Brendshme, Anton Gerashçenko tha se me këtë gjest Peklushenko “mund të ketë kërkuar të shmangë dënimin, për përdorimin e dhunës kundër protestuesve në sheshin qëndror të Kievit vitin e shkuar, për të cilin ai ishte i akuzar”.

Ukraina është thellësisht e ndarë, dhe e tillë ka qenë për vite me rradhë. Rreth një e treta e popullsisë flet rusisht. Nëse vendi do të dalë nga orbita e Rusisë apo e Perëndimit, kjo është një çështje e organeve të brendshme, një pyetje jo politike, por më tepër mbi identitetin e shumë ukrainasve. Ngjarjet e fundit, e kanë thelluar këtë ndarje.

Në vitin 2014, pasi Janukoviç i ktheu shpinën Bashkimit Evropian, në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë, ai u dëbua nga detyra pas demonstratave masive. Me aneksimin e mëvonshëm të Krimesë nga Rusia, dhe mbështetjen e Moskës për separatistët rusisht-folës në Ukrainën Lindore, armiqësia shkatërrimtare bëri transformimin e shëmtuar të këtij raporti të acaruar në një luftë të ashpër.

Teori kundërthënëse mbi motivet e vrasjeve

Me një qeveri të rrëzuar dhe konfliktin e armatosur në lindje, ukrainasit kanë arsye të forta ta duan njëri-tjetrin të vdekur. Por ajo që shkakton më shumë debate, është pikëpamja se kush mund të jetë përgjegjës për serinë e vdekjeve misterioze. Blloku i Opozitës, partia kryesore e opozitës në vend, nuk ka asnjë dyshim se vdekjet janë të motivuara politikisht – “terror i përgjakshëm, kundër politikanëve të opozitës dhe gazetarëve”, i cilësoi zyra për shtyp e opozitës këto akte. “Është një shtypje e qartë e atyre, që nuk kanë frikë të kritikojnë qeverinë”-thuhet me tej në reagimin për mediat.

Pa ndonjë çudi, qeveria i sheh gjërat ndryshe. Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, i cili erdhi në pushtet pas rrëzimit të Janukoviç, ka kërkuar hetimin e plotë të vrasjeve të Kallashnikov dhe Buzinas. “Është e qartë se këto krime kanë të njëjtën origjinë. Natyra e tyre dhe petku politik janë

të qarta. Ky është një provokim i qëllimshëm, që është në favor të armiqve tanë. Ai ka për qëllim destabilizimin e situatës brendshme politike në Ukrainë, dhe diskreditimin e zgjedhjes politike të popullit të Ukrainës”- thuhej në deklaratën për mediat nga zyra e shtypit të presidentit.

Ndërkohë Anton Gerashçenko, këshilltar i ministrit të brendshëm të vendit, e zhvilloi më tej këtë teori. “Nuk duhet të përjashtohet mundësia, që vrasjet e Oleg Kallashnikov dhe Olez Buzinas, të jenë planifikuar dhe organizuar nga Moska, si pjesë e një plani për të destabilizuar Ukrainën, dhe mbështetur më tej frymën anti-ukrainase në shoqërinë ruse”-tha Gerashçenko. /CNN/ Perkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button