Bota

Kush po kërkon ta gjunjëzojë gjigandin? Pyetjet pa përgjigje pas sulmit në Sulltanahmet

Atentati në Stamboll duket se riprodhon egërsinë e sulmeve terroristë në muzeun Bardo dhe në rezortin e Tunizit. Po kush ka interes ta transformojë gjigandin mysliman në rajon, në një vend gjithnjë e më të pasigurtë?

stambolli123

Antonio Ferrari

Kjo ditë e re terrori ka zgjedhur si teatër qendrën e Stambollit, domethënë një prej qyteteve më të bukur të botës. Mijëra turistë, çdo ditë, zgjedhin Sheshin Sulltanahmet, disa hapa larg prej Xhamisë Blu dhe pallatit të topkapi, për të vizituar qendrën historike të megalopolit turk. Nëse gjithçka do të konfirmohet, domethënë nëse një kamikaz (ose njëkamikaze) i veshur ose e veshur me eksplozivë është hedhur në erë pranë një autobusi me turistë gjermanë, që po shijonin  mrekullitë e Stambollit, kjod o të thotë që tashmë nuk ka më zona të sigurta. Dhe këtu duhet të thuhet me zë të lartë se ajo që ndodh është pasojë, ose ndoshta efekt anësor, i një klime kundërvënieje që tashmë është bërë e tmerrshme.

Pavarësisht sigurive të atyre që këmbëngulin, prej injorancës apo të qënit sipërfaqësorë, të cilët nënvlerësojnë atë që po ndodh në një vend kyç si Turqia, mund të themi që po asistojmë në një kolaps autentik: me terrorizmin që sulmon, kurdët që reagojnë ndaj hetimeve dhe margjinalizimit, duke kujtuar se janë të vetmit që luftojnë në terren ekzekutorët e ISIS-it; një pushtet politik qendror, i gatshëm për gjithçka, vetëm që të demonstrojë se është i vetmi që lufton forcat armiqësore, duke përkëdhelur pulsimet më ekstreme të ultranacionalistëve; paqartësinë e shoqëruar me arrogancë të presidentit Erdogan, i cili ka krijuar tashmë një shoqëri të militarizuar prej linjës së tij islamiko-konservatore. E vështirë të thuhet se kush e ka organizuar atentatin. Shumë e lehtë të parashikosh atë që do të dëgjojmë nga qeveria dhe nga partia AKP, që do të jenë gati të godasin me kokën ulur kurdët. Eshtë po kaq e lehtë të parashikosh reagimin e këtyre të fundit, që do të thërrasin se është provokim politik. Sigurisht, një detaj shumë i rëndësishëm të vjen në mendje: këtë herë nuk ka patur kundërshtarë institucionalë, kazerma apo seli partish, por turistë të pafajshëm gjermanë, mysafirë, njerëz të zakonshëm që nuk janë të përfshirë në çështjet e brendshme të vendit.

Pra është një atentat që duket se risjell egërsinë e atentateve në muzeun Bardo dhe rezortin e Tunizit, apo ndaj turistëve në Sinai të Egjiptit, natyrisht pa harruar tmerrin e e sulmeve në Paris dhe dhunën kundër grave në Këln dhe qytete të tjera gjermane. Pra, është detyrim të përpiqemi të kuptojmë kush ka interes ta transformojë Turqinë, gjigandin mysliman të rajonit, në një vend gjithnjë e më të pasigurtë. Goditje me vdekje e turizmit? Goditje e Erdoganit dhe pritjeve të tij diktatoriale? Goditje e kurdëve, pikërisht në ditët kur shpallet komisioni për heqjen e imunitetit parlamentar të udhëheqësit të HDP, Demirtas? Janë këto pyetjet që presin përgjigje. Do të jetë e vështirë të gjenden./CdS – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button