Sport

“Kush të duket vetja, Messi?” Batuta që nisi ‘luftën e ftohtë’ tek PSG

Mendohej se do të ishin një skuadër mjaft e konsoliduar por për Paris Saint- Germain gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet. Tek parizienët ka plasur një “luftë e ftohtë” dhe kjo u vu re në episodin e fundit mes Neymar dhe Cavanit, të cilët patën një konflikt se kush do të gjuante penalltinë në ndeshjen ndaj Lyon. Por sipas disa raportimeve të fundit, pakënaqësitë kanë filluar më parë dhe shkaku ka qenë një batutë.

Sipas gazetës spanjolle “El Pais”, gjithçka ka ndodhur pak minuta pasi Neymar kishte shkelur për herë të parë në dhomat e zhveshjeve të klubit duke u takuar me shokët e rinj të skuadrës.

“Kush të duket vetja, Messi?”, ka qenë batuta e Edinson Cavanit, e cila ka ngrirë buzëqeshjen e Neymar, ndonëse nuk kuptohej nëse uruguaiani e kishte thënë këtë në shenjë sfide apo thjesht për shaka.

Që nga ai moment, dy sulmuesit kanë komunikuar pak ose aspak me njëri-tjetrin, për të arritur deri në pikën ku u zunë në fushën e lojës për gjuajtjen e penalltive dhe goditjeve të dënimit.

Por nuk ishte vetëm kjo. Sipas të njëjti burim, edhe pjesa tjetër e lojtarëve është e pakënaqur me sjelljen e Neymar dhe me faktin se afrimi i tij ka shkatërruar ekipin. Për shkak të tij, 8 lojtarë janë nxjerrë në shitje brenda 48 orëve dhe 2 janë larguar që në verë, me pjesën tjetër që do të transferohen në janar.

Tani pritet të shohim çfarë vendimi do të marrë klubi i PSG për të sjellë harmoninë në ekip, nëse vërtet kërkon që të fitojë Ligën e Kampioneve. /OraSport

Leave a Reply

Back to top button