BotaMAIN

Le Pen u ndal, por qeverisja mbetet një rebus

Ishte skenari më i papritur për Elysee-në, ku deri dje në mëngjes diskutohej për një emërim të mundshëm të Jordan Bardellas edhe pse me një shumicë relative, një mënyrë kjo për t’u përballur me përgjegjësinë e një refuzimi nga elektorati, ose dështimi në numra. Por, në vend të kësaj, Emmanuel Macron bëri një gabim të dyfishtë vlerësimi. Ai nuk e kishte parashikuar që e majta e ndarë mund të ribashkohej, duke krijuar një kartel elektoral në vetëm pak orë pas shpërndarjes së Parlamentit. Dhe akoma më pak e kishte imagjinuar ai suksesin që do të kishte ajo në votime. Natyrisht, në një mbrëmje zgjedhore në të cilën flamujt e kuq valëviteshin në Place de la Republique, ndërsa selia e Rilindjes nuk kishte planifikuar as një vendqëndrim për militantët, rrethi i Macron ishte i kënaqur me frenimin e Marine Le Pen, armikja e përhershme. Dhe që ka mundur të mbajë një bllok centrist që i kalon 150 mandate, njëqind më pak se sa kishte shumica në largim. Një gjysmë fitore ose një gjysmë humbje, në varësi të këndvështrimit…

Tani Macron do të luajë me faktorin kohë. “Duke respektuar traditën republikane, do të presë që të strukturohet Asambleja e re Kombëtare përpara se të marrë vendimet e nevojshme”, sqaroi Elysee, duke mohuar zërat për një koment nga kreu i shtetit. Natën e kaluar Macron, shpjegoi më tej Elysée, po studionte “rezultatet legjislative sipas zonave zgjedhore”. I rrethuar nga bashkëpunëtorët e tij, ai nisi lojën e kombinimeve të mundshme, duke llogaritur karriget e partive individuale, por edhe duke menduar për emrat e personaliteteve në koalicionet e ndryshme të mundshme. François Hollande do të udhëheqë një aleancë me bllokun e majtë pa France Insoumise? Do të ishte një kthesë e fatit të shihje ish-kreun e shtetit, të cilin Macron e kishte tradhtuar duke zgjedhur të futej në garën presidenciale, që të bëhej kryeministër. Edouard Philippe ka nisur tashmë ngritjen e disa urave drejt së djathtës, së bashku me ministrin e Brendshëm, Gérald Darmanin, me të cilin mund të krijojë një grup të ri parlamentar.

Ky është kërcënimi i parë që rëndon mbi Macronin, për të mbajtur të fortë bllokun e qensrës, i përbërë tashmë nga tre forca: partia e tij e Rilindjes, Modemi i Bayrou dhe ajo e Philippe, Horizons. Aleatët e djeshëm ndoshta nuk do të jenë ata të së nesërmes. Dhe brenda Rilindjes mund të ketë një ndarje në krahun e majtë, që tashmë e sheh Gabriel Attalin si një lider të ri. Kryeministri aktual ishte mbështetësi më i vendosur i frontit republikan me të majtën që bllokoi rrugën e Le Pen. Attal, i cili kishte një të kaluar në Partinë Socialiste, imponoi linjën e tij në Elysee, iu imponua fort makronistëve që nuk donin të tërhiqeshin për të favorizuar fitoren e atyre që ishin në të majtë. Rezultati i djeshëm konfirmoi se ishte një zgjedhje fituese, por jo e mjaftueshme. Të bësh pakte rezistence nuk është njësoj si të bësh pakt për ndërtimin e një bashkëqeverisjeje të mundshme.

Attal ka paraqitur dorëheqjen sot, sipas protokollit, por ka thënë se është i disponueshëm për të qeverisur çështjet aktuale, ndërsa pret që të formohet një qeveri e re. Dakord, po cila? “Në rolin e saj si garantuese e institucioneve tona, ajo do të sigurojë respektimin e zgjedhjes sovrane të popullit francez”, nënvizon Elysee në lidhje me zgjedhjen që do të duhet të bëjë kreu i shtetit. Sipas Kushtetutës, është ai që ka vendimin për të emëruar kryeministrin, edhe nëse loja parlamentare rrezikon t’i shpëtojë pjesërisht kontrollit të pallatit presidencial. Palais Bourbon, shtëpia e Assemblée Nationale, tani bëhet qendra e gjithçkaje. Dhe të gjithë sytë do të jenë te seanca e parë plenare e 577 deputetëve, më 18 korrik, kur do të duhet të zgjedhin kryetarin e Dhomës. Kjo do të pasohet nga formimi i grupeve politike që tashmë do të jetë treguesi i parë i koalicioneve të mundshme. Është “strukturimi” që Macron dëshiron të shohë përpara se të vendosë për ndonjë lëvizje. Ndërkohë të martën në mbrëmje ai do të fluturojë për në Uashington, për samitin e NATO-s. Dhe pak ditë më vonë do të jetë parada kombëtare e 14 korrikut. Macron ka shmangur një situatë ku mund ta gjente veten në Champs-Elysées, me një qeveri të ekstremit të djathtë. Por bashkëjetesa me një ekzekutiv që nuk i përket plotësisht është tashmë e sigurt. / bota.al

Back to top button