HistoriMAIN

Legjionet: Shtylla e fuqisë ushtarake të Perandorisë Romake

Nuk ka asnjë dyshim se historia e gjatë dhe madhështore e Romës, ishte në një masë të madhe e varur nga ushtria e saj e fortë dhe shumë e zhvilluar për kohën. Që nga shfaqja e saj më e hershme, përgjatë Mbretërisë, Republikës dhe Perandorisë Romake, sukseset e Romës diktoheshin gjithnjë nga aftësia dhe madhësia e ushtrisë së saj.

Dhe zhvillimi më i rëndësishëm i asaj ushtrie ishin legjionet romake. Nga Britania dhe Galia, deri në Siri dhe Egjipt, zgjerimi i Romës u ndërtua duke u bazuar pikërisht tek fuqia e legjioneve romake. Për disa qytetarë të Romës së lashtë, karriera e një ushtari brenda një legjioni ishte një burim i sigurt i të ardhurave.

Për të tjerët, ajo ishte një shkallë drejt suksesit dhe famës, nëpërmjet së cilës mund të fitohej edhe një titull perandori. Historia na ka treguar se legjionet romake përfaqësonin pjesën kryesore të të gjitha sukseseve por edhe disfatave të Romës.

Termi “legjion”, është bërë një fjalë shumë e zakonshme për të gjithë ne, por rrallë ndalemi për të parë kuptimin e tij origjinal. Në latinisht, “legjion” ose legio, tregon një rekrutim ushtarak, dhe buron nga fjala ‘legere’ që do të thotë ”të zgjedhësh”.

Historia e hershme e Romës nuk është shumë e qartë për sa i përket periudhave të mëvonshme të zhvillimit të kësaj njësie. Deri në fundin e shekullit II Para Erës Sonë, shumica e legjioneve ishin të ndarë në grupe prej 100 ushtarësh, të quajtur centurionë.

Për qëllime ushtarake, centurionët mund të grupoheshin bashkë për të formuar një forcë të disiplinuar dhe të frikshme. Është e qartë se që nga fillimet e Romës, udhëheqësit romakë i kushtuan një vëmendje të madhe forcave të armatosura.

Ata ishin të vetëdijshëm për rëndësinë që një ushtri e fortë kishte në politikë dhe diplomaci. Për këtë arsye, shërbimi në ushtrinë e Romës u “reklamua” si një detyrë jetike dhe si një

tipar dallues i çdo qytetari të aftë dhe të nderuar të Romës.

Legjionet romake spikatën në periudhën e Republikës Romake. Me kalimin e çdo dekade, ushtria romake u përfshirë gjithnjë e më shpesh në fushata më të mëdha ushtarake. Roma i zgjeroi kufijtë e saj më shpesh përmes luftërave, ndaj ushtria e saj u zhvillua dhe u rrit me shpejtësi.

Në fillimet e Republikës e gjithë ushtria romake ishte ndarë në dy legjione. Në këtë mënyrë, secili nga dy konsujt në detyrë mund të kontrollonte njërin nga legjionet. Struktura ndryshoi shpejt kur në vitin 494 Para Krishtit ndryshoi një numër shumë më i madh ushtarësh dhe legjionesh.

Zgjerimi i legjioneve të ushtrisë romake në atë vit ndodhi gjatë diktaturës së Manius Valerius Maksimus. Nën sundimin e tij u urdhërua “shkëputja e parë e plebenjve” dhe 3 fiset fqinje me Romën u ngritën në revoltë. Për t’u përballur me rebelët Volsci, Aequi, dhe Sabines, diktatori ngriti dhjetë legjione, me afro 45.000 ushtarë.

Ishte hera e parë që një numër kaq i madh burrash u rekrutuan për ushtrinë romake. Për pasojë, legjionet romake u shndërruan në një organizatë efektive dhe të besueshme ushtarake. Por legjionet u formuan vetëm për një kohë të shkurtër. Në fillim ishin 4 legjione gjatë epokës së Republikës, dhe kur një fushatë e re ushtarake apo një kërcënim kërkonte një numër më të madh burrash, u ngritën legjione të tjera sipas nevojës.

Kjo metodë rekrutimi mund të konsiderohet si një mënyrë efikase dhe e përballueshme për të strukturuar një ushtri, pa pasur nevojë të paguash për ushtarë shtesë në kohë paqeje. Llojet e njësive ushtarake në një legjion ndryshonin sipas periudhave të historisë së Romës, por edhe sipas evoluimit të metodave të luftës përgjatë shekujve.

Në fillim, fokusimi më i madh ishte tek kalorësia. E njohur në Romë si Equites, kalorësia cilësohej si më prestigjiozja dhe vdekjeprurësja nga të gjitha njësitë. Vendet në këtë njësi ishin të rezervuara për të rinjtë e shquar të shtresës së lartë të Romës, si një mënyrë për t’u ngritur në karrierë si në qarqet politike ashtu edhe ushtarake.

Pozicionet në njësitë e këmbësorisë së lehtë, ose Velites, u liheshin banorëve të shtresave të varfra të Romës, dhe ato përbënin pjesën më madhe të legjioneve të hershme. Meqë ushtarët romakë ishin përgjegjës për pajisjen e tyre me armë, Velites nuk kishin mundësi të blinin pajisjet e duhura.

Këmbësoria e lehtë e Romës ishte e shkëlqyer në beteja. Ajo luftonte, duke u mbështetur tek shtizat e lehta, dhe ndihmoheshin nga pjesa më e madhe e një legjioni, këmbësoria e armatosur rëndë. Këta të fundit do të ishin gradualisht një pjesë thelbësore e legjionit.

Këmbësoria e rëndë përbëhej kryesisht nga qytetarë që nuk ishin as shumë të pasur por as të varfër, pra në thelb ishin “shtresa e mesme”. Duke qenë grupimi më i madh në një legjion, këmbësoria e rëndë klasifikohej sipas përvojës.

Triari ishin veteranët, që ishin më të besuarit, të testuar në shumë beteja, dhe që për këtë arsye përdoreshin për situatat më ekstreme. Principes ishin në rreshtin e dytë, dhe kishin një përvojë modeste në luftime. Pastaj vinin Hastati, një grupim që përbëhej nga rekrutë të rinj pa përvojë.

Legjionet e Romës u riorganizuan shumë mirë gjatë Reformave Mariane në periudhën e vonë të Republikës. Pas tyre, një legjion numëronte rreth 4500 burra në total. Ai përbëhej nga 10 grupe, 1 kohortë, 4 para kryesore dhe 9 kohorta të tjera të zakonshmet, me 500 ushtarë shtesë nga kalorësia.

Kjo strukturë ishte shumë efektive dhe e lehtë për t’u manovruar në terren. Dhe ishin këto përparësi strategjike që i bënë legjionet romake më superiore sesa njësitë e tjera luftarake. Kjo gjë i solli Romës shumë fitore. Reforma pati një avantazh tjetër thelbësor për perandorin dhe qytetarët e Romës.

Legjioni nuk ishte më një forcë ushtarake “sipas kërkesës”, por një njësi e përhershme ushtarakësh profesionistë. Legjionet e reja përbëheshin nga të gjitha shtresat e qytetarëve, përfshirë ato më të varfra. Në këtë mënyrë, karriera ushtarake u bë e mundur për burrat e varfër, si një mënyrë për të pasur një rrogë të mirë dhe për të rënë në sy.

Reformat Mariane rritën shumë përmasat e ushtrisë romake, duke i dhënë mundësi asaj të zhvillonte njëkohësisht fushata ushtarake në disa fronte. Nga ana tjetër, ky sistem ushtarak e vinte shumë theksin tek gjeneralët dhe komandantët e veçantë, besueshmëria dhe popullariteti i të cilëve me ushtarët e legjionit mund t’u jepte një avantazh shtesë në momente vendimtare.

Kështu, një legjion kishte shumë pushtet të cilin mund ta shfrytëzonte edhe në zonat politike. Shembulli më i famshëm është Jul Çazari, “Kapërcimi i Rubikonit” i të cilit dhe Lufta Civile Romake që pasoi u mbështet plotësisht nga legjionet nën komandën e tij, të cilët ishin besnike së pari ndaj tij dhe më pas ndaj shtetit.

Çdo legjion i ri kishte numrin, emrin dhe simbolin e vet. Shpesh, këto simbole kishin lidhje me një arritje apo ngjarje thelbësore në të kaluarën e legjionit. Gjatë Luftërave Civile, kur Roma kaloi nga një republikë në një perandori, disa gjeneralë u dhanë legjioneve numrin e tyre.

Ndërsa kufijtë e Romës u zgjeruan me kalimin e shekujve, popujt e pushtuar gradualisht u asimiluan dhe mund të bëheshin qytetarë romakë. Kjo e bëri ushtrinë romake multi-etnike, dhe më pas legjionet morën emrin e rajoni nga ku u morën ushtarët. Jul Çezari krijoi disa legjione për t’i përdorur kundër Galëve në Fushatën e tij Galike.

Secili prej këtyre legjioneve ishte vendosur në një pjesë të ndryshme të Perandorisë Romake, dhe ishte përgjegjës për mbajtjen e pushtetit në kufijtë e Romës, dhe parandalimin e inkursionit të fiseve ”barbare”. Gjatë gjithë ekzistencës së Perandorisë Romake, legjioni u bë sinonim i suksesit dhe aftësive të saj ushtarake.

Edhe sot e kësaj dite, legjionet romake mbeten shembull i një njësie ushtarake me funksionim të përsosur, shumë efikas dhe të zhvilluar në mënyrë perfekte. Nga perspektiva ushtarake, legjionet romake ishin thuajse të përsosura. Por ato u bënë në fakt një mjet që manipulohej shpesh nga perandorët e ardhshëm romakë dhe gjeneralët e etur për pushtet. Legjionet u përdorën shpesh në grushtet e shtetit, dhe si një mjet i fuqishëm për të forcuar pushtetin. / Ancient Origins – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button