Psikologji

Lërjani në dorë Karmës. Bëhuni versioni më i mirë i vetes suaj!

Jeta është e mbushur plot me vështirësi dhe situata që ndonjëherë na bëjnë të dalim nga vetja jonë. Janë të pashmangshme dhe reagimet tona në moment mund të jenë tepër të nxituara, ama kështu na bëjnë të ndihemi më mirë dhe të shfryjmë nervat tona.  Por cila është përshtypja që japim tek të tjerët? Më e keqja, se nuk dimë të kontrollojmë nervat tona.

Unë nuk jam këtu për t’ju dhënë mend, keni mjaftueshëm dhe e di këtë gjë. Jam këtu për t’ju thënë se çdo vështirësie i vjen në një moment fundi dhe ajo që mbetet, është pikërisht çfarë keni thënë apo keni bërë. Nëse keni bërë diçka, apo keni thënë diçka që ka lënduar persona të tjerë, kjo gjë nuk ka për t’u harruar lehtë.

Sado vështirësi të kemi, nuk e kemi në asnjë moment të drejtën për të lënduar të tjerët. Ajo çfarë bëjmë është padrejtësi, pasi ne mundohemi që edhe persona të tjerë të ndihen keq, po aq keq sa ne ndihemi për një fatkeqësi që mund të na ketë ndodhur, apo për diçka që mund të na kenë bërë.

Duhet të mundohemi jo të lëmë opinione të mira tek të tjerët, kjo gjë është e pamundur, por të shmangim shumë debate dhe zënka të kota që në fund do të na dëmtojnë vetë neve. Duhet të mundohemi të ruajmë raporte sa më miqësore, edhe me ata që duken hapur se na kanë zili apo që duan të na dëmtojnë (në fund, ata humbasin).

Duhet të mundohemi të shfaqim cilësitë tona më të mira tek të tjerët, jo sepse na intereson se çfarë thonë apo mendojnë ata, por sepse ne jemi të fortë dhe asgjë nuk na bën përshtypje. Nuk ka sfida apo zhgënjime që ne të na nxjerrin nga vetja. Jemi të pamposhtur dhe duhet ta tregojmë me vendosmëri këtë aspekt të vetes sonë.

Ne duhet të bëhemi  versioni më i mirë i vetes, të investojmë tek vetja dhe tek ajo që shfaqim tek të tjerët. Çdo e padrejtë që na bëhet, në një moment apo në një tjetër, u kthehet vetë të tjerëve. Karma funksionon dhe një ditë, secili do të marrë atë që realisht meriton.

Back to top button