E dashur vetja ime,
E di që ka ditë, kur humorin e ke totalisht përtokë, kur ke ndjerë inat ekstrem brenda vetes dhe është dashur shumë punë që t’ia dalësh mbanë. Por ka edhe ditë të tjera, kur ke ndjerë lumturi të tejskajshme dhe më bëhet qejfi që ke qeshur me shpirt dhe i ke përjetuar maksimalisht ato momente. Janë të vetmet që ia vlejnë realisht.
Sot, unë dua të falenderoj që ia ke dalë me sukses gjithë stuhive të jetës. Dua të falenderoj që ke kaluar çdo ditë, sidomos ato ditë kur je ndjerë sikur të është shkëputur shpirti nga trupi. Janë ato ditë që na bëjnë të fortë dhe ke ditur se si t’i kapërcesh.
E di që gjithmonë i ke rrëzuar barrierat e vendosura për persona të caktuar, ama unë të falenderoj që nuk je dorëzuar asnjëherë, kur të tjerët po largoheshin. Është i vështirë vendimi që merret, kur zgjedh jetën, edhe kur nuk ke asgjë për të humbur. Kërkon kurajo dhe vullnet të fortë, ama ti ia ke dalë. Sot unë krenohem me ty që zgjodhe të jetosh, edhe kur jeta nuk të ofronte asgjë.
Krenohem se si gjithmonë sheh dritën në fund të tunelit, sado e errët është dukur situata. Sepse ti e di që çdo situatë e rëndë, e ka një anë pozitive. Sado të duket e pamundur, e ka. Është thjesht çeshtje këndvështrimi dhe se sa shumë thellohesh për ta gjetur. Ti ke ditur që vështirësitë t’i kthesh në forcë e mësime, kurse anët pozitive në lehtësira për t’ia hedhur çdo vështirësie.
Faleminderit që më ke rritur!