LetersiPersonazhe

Letërsi burgu: Shënime nga shtëpia e të vdekurve – Fjodor Dostojevski

Screen Shot 2016-07-25 at 07.15.49

Asnjë shkrimtar nuk ka si qëllim të krijojë atë që rëndom quhet “letërsi burgu”. E megjithatë, pasojat e izolimit dhe gjithë çka vjen prej tij jo rrallë kanë ndikuar në krijimtarinë e disa prej atyre që janë privuar nga liria. “Letërsisë së burgut” i përkasin, romane, poema, tregime erotike, ese, trakte ekonomike, biografi, kujtime, filozofi…

Letërsia e shkruar në kushtet e burgut në asnjë rast nuk është profesionale, ashtu sikurse nuk është krijim i pastër, pasi vjen nga një mjedis ku çdo shfaqje e vullnetshme e personalitetit konsiderohet krim.

Pikërisht këto fjalë shfaqen që në fillim të “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, një shkrim gjysmë-autobiografik nga Fjodor Dostojevski, ku portretizohet jeta e të dënuarve në një burg siberian, në të cilin vetë autori kaloi katër vjet.

Dostojevski arriti ta përfundonte librin gjashtë vjet pas lirimit. Në të dy pjesët përbërëse të librit ndihet përpjekja e tij për të organizuar kujtimet, për t’i bërë më shumë se kaq, për t’i trajtuar artistikisht. Shumë pak libra kanë arritur të japin një panoramë më jetësore të jetës në kushtet e burgut.

“Edhe njerëzit me burgim të përjetshëm ëndërronin për diçka të pamundur”,- kujton narratori.

Fuqia e krijimtarisë së burgut nuk qëndron thjesht te përshkrimi i asaj që është dhe duket; te vuajtja fizike dhe shpirtërore, dëshpërimi dhe thyerja. Fuqia e kësaj krijimtarie është te shpresa e vakët, gjysmë-ëndrra për të mundurën dhe të pamundurën.

Kushtet në burg nuk ishin më të mirat e mundshme për të zhvilluar krijimtarinë. Në një letër dërguar të vëllait, Dostojevski përshkruante vendin ku kaloi vitet si i dënuar: “Imagjino një strukturë të vjetër druri, që duhej të ishte shembur vite më parë. Në verë, një ajër mbytës që të mbërthen prej gryke; një dimër, një i ftohtë i papërballueshëm,”.

Mbi të gjitha, nëse të kapnin duke shkruar o kishe hak ca fshikullime me kamxhik. Jo se një gjë e tillë e pengoi Dostojevskin që të mbante ditar, në të cilin gjeje poezi, copëza dialogësh dhe anekdota burgu, që më vonë u jetësuan në “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”.

Sipas biografit të Dostojevskit, periudha e burgut e ndryshoi rrënjësisht shkrimtarin rus. I detyruar të kalonte vitet në të njëjtat ambiente me hajdutë, vrasës, kriminelë të çdo lloji, Dostojevski nisi të besonte në atë që e quante “bukurinë morale të fshatarësisë ruse; aftësinë për të dashur dhe falur ata që për shumë kohë kishin mëkatuar ndaj saj”.

Pjesa më e madhe e librit përshkruan përpjekjet e të burgosurve për t’i bërë ditët më pak të padurueshme, për t’i dhënë pak ngjyrë grisë së jetës mjerane: lojëra me letra, dyluftime me thika, celebrime festash…

Për Dostojevskin, mbajtja e shënimeve ishte pikërisht një nga këto gjërat ndryshe, të ndaluara, por që i jepnin dritë. Mbase nuk ishte qëllimi i tij të shkruante letërsi te mirë në burg, por i detyruar të punojë në atë situatë, nuk kishte kuptim e vlerë të ndrydhte personalitetin dhe talentin e fuqishëm krijues. /Botimeshqip

Leave a Reply

Back to top button