Enciklopedike

Letra e Gjakut, simboli i revolucionit kundër turqve

Në fund të shekullit XIV-të, Perandoria e copëtuar Bullgare u pushtua përfundimisht nga Perandoria Osmane. Rreth mesit të viteve 1870, shpërtheu lëvizja kombëtare, ku bullgarët kërkuan të jetonin sërish në një shtet sovran. Kjo çoi në kryengritjen e prillit 1876, ku bullgarët u ngritën në revoltë kundër qeverisë osmane. 

Një nga udhëheqësit kryesorë të kryengritjes qe Todor Kableshkov. Pasi ai dhe revolucionarët e tjerë mundën ushtrinë osmane në qytetin e Plovdivit, Kableshkov u shkroi një letër rebelëve të tjerë në Panagurishte, duke u bërë thirrje atyre të bënin të njëjtën gjë. Ai e nënshkroi atë me gjakun e një Mydyri (zyrtar turk) të vrarë, dhe u bë e njohur si Letra e Gjakut, simbol i revolucionit. 

Por kjo kryengritje nuk shkoi shumë mirë. Qeveria osmane dërgoi me shpejtësi grupe ushtarësh  rezervistë të quajtur bashi-bozukë, të cilët e shtypën të gjithë rebelimin. Vetë Kableshkov u tradhtua dhe u kap nga autoritetet turke. Ai kreu vetëvrasje në burg. Bashi-bozukët krijuan shpejt reputacionin e mizorive të pabesueshme dhe mungesës së plotë të disiplinës. 

Një korrespondent amerikan lufte i quajtur Xhenuarius Mekgahan, i përshkroi mizoritë e ushtarëve turq, duke djegur vendbanime të tëra dhe vrarë të gjithë banorët. Këto skena e kthyen opinionin ndërkombëtar kundër Perandorisë Osmane. Rusia pa një mundësi për të minimizuar ndikimin e perandorisë turke, dhe pas një konference të dështuar ndërkombëtare të paqes, i shpalli luftë në vitin 1877. Me ndihmën e disa vende të Evropës Lindore, Rusia e fitoi luftën. Pas Traktatit të Berlinit në vitin 1878, Bullgaria u bë sërish një shtet i pavarur pas pothuajse 500 vjetësh sundimi osman. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button