Motivuese

Letra prekëse e një babai për të birin: “Dua të kujdesesh për mamanë dhe motrën. Familja është kryesorja”

“I dashur Christopher,

Dua të të kërkoj të falur që kam qenë i sëmurë dhe nuk kam qenë pranë teje, në të gjitha rastet kur ke pasur nevojë për të më pasur pranë. Mirëpo dua të kesh diçka shumë të rëndësishme parasysh, të dua aq shumë sa nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë.

Dua të rritesh dhe të jesh i suksesshëm në gjithçka që dëshiron të bësh. Koha që kam kaluar me ty, ka qenë e bukur, e jashtëzakonshme dhe ti e bëre të ishte e tillë. Jam duke qarë ndërkohë që të shkruaj këtë letër, pasi e di që kur ta lexosh, nuk do të jem më pjesë e kësaj bote. Më beso që e kam pasur shumë të vështirë ta marr vendimin për ta shkruar këtë letër. Jam shumë krenar për ty. Dua të rritesh dhe ta përdorësh trurin për të menduar mbi gjëra të mëdha, por edhe të pyesësh për gjërat që nuk arrin të kuptosh.

Mbi të gjitha, dua të kem sigurinë se do të jesh përherë aty për nënën dhe motrën tënde. Kujto gjithmonë se familja është gjëja më e rëndësishme në këtë botë. E di se ndonjëherë do të mërzitesh se mamaja nuk do të lejojë të bësh ndonjë gjë që dëshiron ta bësh, por dije se ajo dëshiron më të mirën për ty. Dëgjoje dhe mëso prej këshillave të saj.

Ke gjithçka që unë të kam lënë. Detyra e një prindi është të punojë për t’i siguruar diçka fëmijës së vet. Nuk të kam lënë shumë gjëra, por shpresoj të jesh i kënaqur. Ke një shtëpi dhe nuk do të mbetesh ndonjëherë jashtë. Ke makinën time, ndoshta nuk është model i ri, ama do të të lehtësojë lëvizjen nëpër qytet. Ke edhe një familje të mrekullueshme, sërish të kujtoj të duash fort mamanë dhe motrën.

Së fundmi, dua të të kërkoj forcë për të përballuar jetën dhe sfidat e saj. Nëse mendon përherë për gjërat e bukura të jetës, atëherë gjërat e këqija nuk do të duken aq të tmerrshme. Je djalë i bukur dhe i zgjuar, dhe unë të uroj gjithë fatin e botës. Christopher, të lutem mbaj mend gjithmonë se të dua më shumë se çdo gjë në këtë botë. Edhe nëse nuk jam me ty fizikisht, dije se ti je përherë në mendjen dhe zemrën time.

Me dashuri,

Babi yt”.

Back to top button